“Dante i shqiptarëve”, kështu titullohet aktiviteti i cili do të shoqërohet edhe me ekspozitën e botimeve të Dantes në shqip, i organizuar nga Biblioteka Kombëtare, Instituti Italian i Kulturës, Shoqata “Dante Alighieri”, Komiteti i Tiranës dhe Shoqata e të Verbërve të Shqipërisë.

Aktiviteti do të mbahet ditën e martë, ora 11:00, në Bibliotekën Kombëtare. Në këtë aktivitetë promovues, kulturor e shkencor, kushtuar marrëdhënies së veprës danteske me kulturën shqiptare, do të vijë në Shqipëri për të mbajtur ligjëratën e tij dantologu italian, Prof. Rino Caputo.

Me rastin e këtij aktiviteti bëhet edhe prezantimi i botimit të parë në Brajl (alfabeti i të verbërve) në shqip i “Komedisë Hyjnore”.

Në kulturën shqiptare kryevepra poetike e Dante Alighierit zë një vend të privilegjuar. Nga sprova e parë e përkthimit prej Luigji Lorekios në arbërisht, kanë kaluar vetëm 120 vjet, por tashmë “Komedia Hyjnore”  gëzon disa përkthime të plota në shqip e të tjera sprova premtuese.
 



Redaksia Online
(u.s/shqiptarja.com)