8 deputetë 23 pyetje ministrit:
Mafie dhe skllavëri në miniera

8 deputetë 23 pyetje ministrit:<br />Mafie dhe skllavëri në miniera
Vdekjet e shpeshta dhe kushtet e punës të minatorëve në Shqipëri shtyjnë 8 deputetë të opozitës të kërkojnë marrje informacioni prej ministrit te METE Nasip Naço që të hedhë dritë mbi gjendjen dhe shfrytëzimin e minierave, duke nisur nga vdekjet në Minierën e Bulqizës dhe gjithë misterin korruptiv që lidhet me dhënien në konçension të kësaj miniere. Deputetët bëjnë akuza të rënda dhe i paraqesin 23 kërkesa ministrit. “Ka dyshime serioze sipas të cilave grupe tërësisht mafioze e të veshura me pushtet, kontrollojnë shfrytëzimin dhe tregëtimin e mineralit duke përdorur minatorët si skllevër e pasurinë kombëtare si mall pa zot”


I nderuar z. Ministër,

Edhe pse greva e minatorëve mori fund pak kohë më parë me një marrëveshje ndërmjet Sindikatës dhe Shoqërisë Koncesionare ACR duke i dhënë vetëm zgjidhje të përkohshme problemeve të vetë minatorëve, familjeve të tyre, qytetit dhe banorëve që jetojnë me galeritë e minierës, fakte të njëpasnjëshme më kokëforë sesa justifikimet politike Tuajat, të Kryeminsitrit e të Qeverisë, na lënë të kuptojmë se zgjidhja përfundimtare është më larg se kurrë, siç është rreziku fatal më afër se ndonjëherë më parë.

Minatorët vazhdojnë humbin jetën në galeritë e minierave. Vetëm gjatë këtij muaji kanë humbur jetën mbi 5 minatorë. E pavarësisht shkaqeve të deklaruara ose të fshehura, fakt mbetet se fëmijë e familje vazhdojnë mbeten jetim mes katër rrugëve pse kanë humbur prindin, vëllain a të afërmin në errësirën e tuneleve.

Pasuria kombëtare në minierën e Bulqizës ashtu si dhe në çdo burim tjetër minerar, vazhdon të shfrytëzohet pa asnjë kriter duke rrezikuar seriozisht shkatërrimin përfundimtar dhe varrosjen pa kthim të pasurisë kombëtare.

Ka dyshime serioze sipas të cilave grupe tërësisht mafioze e të veshura me pushtet, kontrollojnë shfrytëzimin dhe tregëtimin e mineralit duke përdorur minatorët si skllevër e pasurinë kombëtare si mall pa zot.

Galeritë e minierave janë shëndruar në kampet e përqëndirmit të kohëve moderne, ku varfëria mban peng vetë jetën dhe lirinë e minatorëve e familjarëve të tyre, ndërkohë që pushtetarë e biznesmenë të babzitur nxjerrin miliona euro përfitime me ccmimin e lirë të lëkurës së minatorëve skllevër, që varfëria i detyron të punojnë e vdesin në galeritë e minierave.

Në këto rrethana, në ushtrim të detyrës tonë si Deputet në Kuvendin e Shqipërisë, e pavarësisht presioneve mafioze e korruptive të njëpasnjëshme ndaj nesh, qoftë nëpërmjet botës së errët të krimit a qoftë nëpërmjet padish gjyqësore të stisura në kazanin e korrupsionit në qeveri e gjyqësor;


Në mbështetje të nenit 48 të Kushtetutës, në të cilin parashikohet se “Kushdo, vetë ose së bashku me të tjerë, mund t’u drejtoj kërkesa, ankesa ose vërjetje organeve publike, të cilat janë të detyruara të përgjigjen në afatet dhe kushtet e caktuara me ligj”;

Në mbështetje të nenit 8 të ligjit “Për Statusin e Deputetit”, në të cilin parashikohet se “Deputeti ka të drejtë të kërkojë shpjegime për çdo çështje që ka të bëjë me permbushjen e detyrës së tij, të ministrave ose drejtuesve të institucioneve të tjera qëndrore, si dhe të çdo institucioni tjetër në administratën shtetërore e të qeverisjes vendore. Drejtuesit ose stafet e tyre jane te detyruar ti përgjigjen deputetit brenda 15 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës”;


Kërkojmë informacion të detajuar e të plotë për çështjet e poshtëshënuara:

1. Sa janë minatorët që kanë humbur jetën në galeritë e minierave nga viti 2000 deri sot?
2. Cila është pozita ligjore e kompanisë ACR në raport me shtetin shqiptar?
3. Cili është kontraktori i vërtetë? Vazhdon Darfo me nënkontraktor ACR apo është ACR që zëvendëson Darfo me ndryshim emri?
4. Darfo SRL dhe Darfo SPA janë e njëjta kompani apo dy të ndryshme?
5. Cili është aktiviteti ekonomik i ACR nga viti 2000 kur është regjistruar për herë të parë si person juridik deri në 2007 kur filloi biznesin e mineralit në Bulqizë?
6. Sa eshte prodhimi i mineralit te kromit në Minierën e Bulqizës?
7. Nga prodhimi i pergjitheshem i mineralit te kromit sa eshte shkrire ne uzinat e ferrokromit dhe sa eshte ekportuar direkt si mineral?
8. Sa eshte vellimi i eksportit te mineralit te kromit apo ferrokromit ne ton dhe ne vlere?
9. Bazuar në Marreshjen koncesionare të miratuar në Parlament 10 vite më parë, sa është totali i investimeve të realizuara nga Koncesionari për secilin nga zërat e marrëveshjes?
10. A ka filluar te hapet Zona Veriore e minieres se Kromit Bulqize? Sa eshte avancuar drejt thellesise dhe kur perfundon hapja e saj?
11. METE, dhe ju si Ministër i METE, i njihni vlerë ligjore dhe detyruese marrëveshjes së nënshkruar në 9 Korrik 2009 ndërmjet Ministrit Ruli dhe ACR, marrëveshje që modifikonte marrdhënien koncesionare, por që ende sot e kësaj dite nuk është miratuar në parlament siç e kërkon ligji?
12. Cili është arsyetimi institucional bazuar në Kushtetutën e RSH dhe legjislacionin në fuqi sipas të cilit kjo marrëveshje edhe pse e pamiratuar në Parlament, ka fuqi ligjore?
13. Sa është fitimi i deklaruar i Koncesionarit kryesor në Bulqizë?
14. Sa serioz është rreziku që Bulqiza të shkatërrohet për shkak të mungesës totale të investimeve kapitale?
15. Sa është numri total i subjekteve të liçensuara që shfrytëzojnë pasuritë minerare të Bulqizës?
16. Në dijeninë tuaj, sa është numri i subjekteve që punojnë pa asnjë liçensë?
17. Sipas raporteve që ju dispononi, afërsisht sa ton mineral përbën tegu i mineraleve që eksportohet?
18. Cilat janë kushtet e punës së minatorëve?
19. Sot që flasim a po punohet në ndonjë zonë që haptazi cilëzohet si tejet e rrezikshme për jetën e minatorëve?
20. Sa është numri i çështjeve gjyqësore të përfunduara ndërmjet kompanive private dhe METE sa i përket shfrytëzimit të pasurive minerare dhe cili është përfundimi i tyre?
21. Për çështjet gjyqësore të përfunduara në favor të kompanive private, sa është shuma totale e dëmshpërblimit të caktuar nga gjykata që duhet të paguajë shteti?
22. Sa është numri i çështjeve gjyqësore në vazhdim ndërmjet kompanive private dhe METE sa i përket shfrytëzimit të pasurive minerare dhe cila është ecuria e tyre?
23. Miniera e Kromit Bulqize a eshte shpallur si miniere me regjim gazi? A garantohet jeta e punonjesve ne kete miniere duke punuar me paisje qe nuk plotesojne kushtet e antideflagrances?


Përveç përgjigjeve për këto pyetje, kërkojmë të na vini në dispozicion gjithashtu edhe të gjithë dokumentacionin përkatës që disponon METE dhe agjensitë shtetërore të varësisë pranë METE.

Gjithashtu, kërkojmë të na vihet në dispozicion i gjithë komunikimi ndërmjet kompanisë koncesionare “Dedeman” dhe METE, në mënyrë specifike shkresat me nr. Prot. 1742/3, dt. 20.04.2011 dhe 25.04.2011.

Po keshtu duam te na vihen ne dispozicion urdherat Tuaja si Minister nëpërmjet të cilave keni urdheruar ndalimin e punes ne Minieren e kromit Bulqize dhe me pas fillimin e punes ne kete miniere.
Në pritje të përgjigjes Tuaj brenda afatit të parashikuar nga ligji

Saimir Tahiri
Eduard Shalsi
Besnik Baraj
Blendi Klosi
Artan Goçi
Ndue Kola
Arion Muçaj
Anduel Xhindi

  • Sondazhi i ditës:

    Listat e deputetëve të hapura në 2/3 dhe jo plotësisht, jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Ministri Balla: Bashkëpunim me vende të tjera për të luftuar krimin! Armëmbajtja pa leje shqetësim

Ministri Balla: Bashkëpunim me vende të tjera për të luftuar krimin! Armëmbajtja pa leje shqetësim