8 Dhjetori, Nishani mbledh në
një panel Ramën dhe Berishën

8 Dhjetori, Nishani mbledh në<br />një panel Ramën dhe Berishën
TIRANE- Presidenti Bujar Nishani ka bërë bashkë dje ish Kryeministrin Sali Berisha dhe Kryeministrin aktual Edi Rama, vetëm pak orë përpara nisjes së protestës së PD. Ndonëse Berisha kishte thënë se më 8 dhjetor do të rrëzohej Edi Rama, pikërisht dje ai ka qenë në shoqërinë e tij, në konferencën e mbajtur nga Presidenti Bujar Nishani. Përveç Ramës e Berishës ishin të pranishëm personalitete të ndryshme që kanë ndikuar në jetën politike të vendit.

“25 vite pas rënies së sistemit komunist, Shqipëria përballet me dy armiq kryesor: Korrupsioni dhe krimi i organizuar”, tha Berisha, i cili theksoi se gjendja është dëshpëruese, por shpreson që shqiptarët sërish do ia dalin siç ia dolën të rrëzonin sistemin komunist nga diktatori Enver Hoxha. “Sot ne përballemi me dy armiq kryesorë të qenies sonë, që janë korrupsioni dhe krimi i organizuar. Janë dy armiq që marrin përmasa të frikshme, rrënojnë çdo orë, çdo ditë qenien e shqiptarëve, që do mund të luftohen vetëm me të njëjtën kurajo, guxim siç luftuam të keqen e madhe që lamë pas 25 vite më parë.

Në këtë kontekst, gjendja është dëshpëruese, por përsëri besoj se shqiptarët do ia dalin”, tha Berisha. Ai ka shtuar se shqiptarët do arrijnë të rikthehen drejt shtetit ligjor, luftojnë korrupsionin, krimin dhe të zënë vendin e tyre mes kombeve të tjera ne BE. Kryeministri Edi Rama para të pranishmëve, teksa bëri një kthim në kohën e regjimit komunist, theksoi se disa vende e kapën më shpejt ‘trenin’ e BE. “Një temë e sqaruar në sfidën, Shqipëria 25 vite nga rënia e komunizmit.

Është një temë që do na merrte shumë, por do na merrte një refleksion se kush ishte Shqipëria 25 vite më parë dhe me atë që është sot. Do doja të ndaja me ju pa pretenduar atë që kam të drejtë për një fakt; nëse i referohemi faktit që Shqipëria ishte e fundit që arriti ta shembte diktaturën më të egër. Po të shohim shpejtësinë në të cilën vendet arritën të kapnin trenin e BE, përsëri është i njëjti grafi, e njëjta radhë. Vendet që u çliruan më shpejt, ishin vendet që e patën më të lehtë”, tha Rama.

Ai nënvizoi se për Shqipërinë ngelet sfidë integrimi i shtetit. “Sepse besoj se diferencën e bëri e shkuara. Për vende si Gjermania, Polonia, apo Sllovakia, rrugëtimi drejt BE ishte një rrugëtim për të rilidhur fijen e këputur të një historie që kishte ndërtuar institucione evropiane dhe universitetet evropiane e rrjet besimi brenda për brenda shoqërisë së gjerë të vendet evropiane. Ndërkohë, për vendet që patën vështirësi për tu çliruar, besoj se boshllëku i institucioneve në të shkuarën, s’flas për të shkuarën e afërt të komunizmit, por më të largëtën, pasi raporti jonë me integrimin është sfida jonë për BE.

Panorama që kemi me të shkuarën, dhe asaj që kemi para syve, është e qartë se kemi një dizavantazh historik, pa llogaritur periudhën e barbarisë komuniste”, tha Rama. E pranishme në konferencë, eurodeputetja Doris Pack tha se Shqipëria e ka gjetur rrugën e saj të zgjidhjes.

Ajo tha se të gjithë bëjnë gabime në kohë tranzicioni, por duhet që shqiptarëve t’iu krijohen mundësi që të mos ikin drejt Gjermanisë. “Të gjithë bëjmë gabimi në periudha tranzicioni. Edhe Gjermania ka bërë. Të jeni të përulur e të pranojmë se Shqipëria ka gjetur rrugën e vet për zgjidhje. Unë kam rënë në dashuri me këtë vend. Për 24 vite kam qenë në Shqipëri minimalist një herë në vit”, tha Pack. Ajo ka thënë se parlamentarët të jenë të respektuar, nuk duhet të punojnë për xhepat e tyre, por për qytetarët që i kanë  zgjedhur.
 
 
Nishani dekoron Berishën me
Urdhrin e “Flamurit Kombëtar”

 
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani ka vlerësuar ish kryeministrin Sali Berisha me dekoratën e “Flamurit Kombëtar”.
Dekorimi i Berishës është bërë me motivacionin e pjesëmarrjes në protestat e dhjetorit të 1990 dhe kontributit të dhënë në rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimeve euroatlantike. Së bashku me Berishën, janë dekoruar edhe Musine Kokalari e Lëvizja Studentore e Dhjetorit.

Në faqen e Presidencës thuhet se “Dekorata e flamurit kombëtar” u jepet personaliteteve shqiptare dhe të huaja për merita të jashtëzakonshme për lartësimin e shtetit dhe të kombit shqiptar. Dekorimi i ish-kreut të qeverisë Berisha është bërë në ceremoninë e pritjes që Presidenti Nishani ka organizuar mbrëmë me rastin e 8 dhjetorit. Mësohet se ambasadori i SHBA Donald Lu dhe ajo e BE, Romana Vlahutin nuk kanë marrë pjesë në pritje, ku sipas burimeve thuhet se kjo erdh për shkak të mosdistancimit të Presidentit nga dhuna në mitingut të djeshëm.

Burime jozyrtare bëjnë të ditur se Vlahutin ka kërkuar që ai të distancohet, por presidenti nuk i është përgjigjur kërkesës së tyre. Pas kësaj, duket se dy përfaqësuesit e SHBA kanë bojkotuar festën, ndoshta pasi kishin marrë informacion se përkrah Musine Kokalarit dhe Lëvizjes së Dhjetorit do dekorohej dhe Berisha. 

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)   


 

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Qeveria teknike e 2017 kishte 10 ministra nga PD por humbi 10 herë më thellë

Spahiu: Qeveria teknike e 2017 kishte 10 ministra nga PD por humbi 10 herë më thellë