Në kuadër të vizitës së tij në Durrës për 80- vjetorin e fillimit të luftës antifashiste presidenti Ilir Meta ka takuar pasardhësit e dëshmorit Mujo Ulqinaku, i cili në këtë ditë 80 vite më parë u vra gjatë përplasjes në qytetin bregdetar. Me anë të një postimi në rrjetet sociale Meta shkruan se është i lumtur të takojë stërmbesat Aselin dhe Siriane të heroit Mujo Ulqinaku i cili vendosi Shqipërinë në anën e duhur të historisë dhe qytetërimit.
Fotoja është realizuar me gjithë familjen Ulqinaku dhe në sfond është busti i heroit në qytetin e Durrësit.
I lumtur të takoja Aselin dhe Sirian, stërmbesat e Heroit të parë të rezistencës antifashiste, Mujo Ulqinakut, sot në 80-vjetorin e rënies heroike të simbolit kombëtar të qendresës, i cili jo vetëm mbrojti me jetën e tij betimin ndaj Atdheut dhe flamurit, por i dëshmoi Europës se Shqipëria nisi rezistencën antifashiste edhe pse e braktisur dhe e harruar. Me gjakun dhe veprën e tyre, Mujo Ulqinaku dhe patriotët e tjerë frymëzuan rezistencën antifashiste që e vendosi Shqipërinë në anën e duhur të historisë dhe qytetërimit. Ndaj sot çdo shqiptar kudo ku ndodhet kujton me nderim e mirënjohje heroizmin e tyre sublim në emër të lirisë dhe flamurit.- shkruan Ilir Meta
Presidenti Ilir Meta me stërmbesat e heroit Mujo Ulqinaku