“Gëzuar Ditëlindjen, Gjeneral i Ushtrisë së Letrave të bukura shqipe!”-shkruan Veliaj në faqen e tij në Facebook, për 80-vjetorin e e shkrimtarit me famë botërore Ismail Kadare.
Ndërsa kreu i opozitës Lulzim Basha e cilëson 80-vjetorin e Kadaresë si një ditë të shënuar për të gjithë shqiptarët. “Me rastin e 80 vjetorit i uroj ditëlindjen shkrimtarit tonë të madh kombëtar z. Ismail Kadare. Një ditë e shënuar jo vetëm për të dhe familjen Kadare, por për të gjithë shqiptarët kudo që janë,” shkruan Basha në Facebook.
Edhe kryeministri Edi Rama ka uruar Ismail Kadarencë për Ditëlindjen e 80-të. Urimi i tij është i thjeshtë. "Edhe 100"shkruan Rama në faqen e tij në Facebook.
Urimeve për 80-vjetorin e ditëlindjes së Kadaresë i ëhstë shtuar edhe ai i ambasadës amerikane në Tiranë. Nëpërmjet një kartoline në faqen zyrtare të ambasadës në Facebook, shkruhet: "Gëzuar ditëlindjen Ismail Kadaresë, një nga shkrimtarët më të mëdhenj të kohës sonë dhe një thesar kulturor i Shqipërisë".
Ndërsa Bashkia e Gjirokastrës ka zgjedhur si urim për shkrimtarin e romanit ”Qyteti i Gurtë”, kushtuar vendlindjes së tij, një shprehje kuptimplotë të vet Kadaresë: “Ka gjithmonë kohë që njerëzit të bëjnë diçka për poppullin e tyre”.
28 janari që përkon me 80-vjetorin e shkrimtarit, poetit, novelistit, romancierit Kadare, do të jetë një ditë e mbushur me aktivitete kulutrore jo vetëm në Gjiroasktër, e cila e ka shpallur 2016-ën si “Viti Kadare”, por edhe në Tiranë.
Kështu, në mesditë, në Universitetin e Arteve do të shfaqet “Kush e solli Doruntinën”, me regji të Laert Vasilit bazuar në romanin me të njëjtin titull të Kadaresë.
Aktivitete kulturore në 80-vjetorin e Kadaresë, do të kulmojnë në vendlindjen e shkrimtarit, e cila do të lexojë veprën e Kadaresë, në 8 hapësira publike të qytetit. Një maratonë leximi që do të bëjë bashkë dashamirësit e personazheve të romaneve të Kadaresë.
Nga data 12-28 shkurt, në Bibliotekën Kombëtare do të hapet ekspozita “Udhëtim në qytetin Kadarejan”. Konferenca “Ismail Kadare: leximi dhe interpretimi” më 12 shkurt do të bashkojë kontributet më të fundme mbi studimin dhe interpretimin e veprës së Ismail Kadaresë, përmes pjesëmarrjes së akademikëve, studiuesve, pedagogëve e shkrimtarëve.
Në muajin prill, ekspozita “Udhëtim në qytetin Kadarejan” udhëton në Kosovë, në kuadër të Javës së Bibliotekave, duke e përfshirë kështu edhe Kosovën në kremtimet specifike të 80-vjetorit.
Ismail Kadare lindi më 28 janar 1936 në Gjirokastër. Ai është një nga shkrimtarët më të mëdhenjtë të letërsisë shqipe dhe gjithashtu një nga shkrimtarët më të njohur të letërsisë botërore bashkëkohore. Me veprën e tij, që ka shënuar një numër rekord të përkthimeve në mbi 45 gjuhë të huaja, ai e ka bërë të njohur Shqipërinë në botë, me historinë dhe kulturën e saj shekullore.
I vlerësuar me shumë çmime ndërkombëtare, disa herë kandidat i çmimit “Nobel” në letërsi, Kadare së fundmi u nderua me dekoratën më të lartë franceze “Komandant i Legjionit të Nderit”.
Ismail Kadare është autor i veprave të njohura ndërkombëtarisht si "Dimri i Vetmisë së Madhe","Kronikë në Gur", "Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur", "Vit i Mbrapshtë", "Koncert në fund të dimrit", "Përbindëshi", "Nata me hënë" e shumë të tjera.
Redaksia Online
(u.s/shqiptarja.com)