​Basha: Zgjedhjet e 25 Qershorit
ishin vdekje klinike e demokracisë

​Basha: Zgjedhjet e 25 Qershorit<br />ishin vdekje klinike e demokracisë
TIRANE - Lulzim Basha bashkëbisedoi me demokratë të Patosit, Roskovecit, Fierit, Mallakastrës dhe Lushnjes mbi zgjedhjet, rezultatin, cfarë nuk shkoi si duhet dhe rrugët për ringritjen e arritjen e demokratëve në fitore.

Basha tha se 25 qershori nuk reflekton vullnetin e qytetarëve, por është një deformim, i prodhuar nga blerja e votës me paratë e drogës dhe korrupsionit, nga presioni i administratës dhe përfshirja e banditëve në zgjedhje.

Do të ndërtojmë një raport të ri, me anëtarin e partisë dhe me qytetarët, u shpreh Basha.

25 Qershori ishte vdekja klinike e demokracisë. Nuk ishte një proces zgjedhor por ishte me të vërtetë një proces i manipuluar nga A-ja te ZH-ja. Nisja e fushatës elektorale për formacionin tonë politik, në fakt ishte fundi i fushatës elektorale për kundërshtarët tanë. Një javë para se demokratët të ishin në terren në një fushatë qytetare, demokratike, europiane, duke shpalosur platformë, një plan për të nxjerrë vendin nga kriza ekonomike, alternativë për të gjithë kategoritë e njerëzve që vuajnë këtë krizë ekonomike; kundërshtari kishte mbyllur punën. Jo me plan, as me platformë, as me alternativë, por ashtu siç di të mbyllë punë; Me pagesa të majme duke nisur nga votuesit e vet, ata që nuk i ka sistemuar dot me favore e me punë në administratë, duke vazhduar me mbledhjen e kartave të identitetit tek ata që dyshohen si mbështetës të opozitës, me përdorimin në masë të administratës së shtetit dhe favoreve, me përdorimin e parave të derdhura lumë nga trafiku i drogës, me kërcënime jo vetëm të votuesve demokratë por edhe të familjarëve të tyre, më të gjitha format dhe mënyrat për të tjetërsuar vullnetin e qytetarëve”, tha Basha.

“Por njësoj si në vitin 1991 është detyra jonë që në radhë të parë të bashkohemi brenda shtëpisë tonë, të bashkohemi rreth moralit tonë të konfirmuar në këto zgjedhje, me vullnetin e çdo shqiptari që do një shoqëri të lirë e jo të robëruar, me mundësi për të gjithë dhe jo për një grusht njerëzish. Do kërkoj përveç bashkimit, një raport të ri dhe të ndërtuar me kujdes në radhë të parë mes drejtuesve dhe anëtarëve dhe në radhë të dytë dhe më e rëndësishmja midis vetë Partisë Demokratike dhe qytetarëve. Leksioni që vjen nga ato zona që ne kemi fituar, siç është Kavaja, tregon se bashkimi i të gjithë faktorëve, përdorimi i të gjit​hë forcës dhe vendosmërisë për tu përballur me bandat dhe me lekët e pushtetit, pati sukses, vetëm atëhere kur nuk mbeti brenda dhe vetëm brenda familjes tonë por kur u shtri në çdo shtëpi e çdo votuesi”, pohoi Basha.

Lulzim Basha tha se anketa që po bën sot Edi Rama, tregon edhe një herë, se ai nuk kishte një program apo një alternativë qeverisëse, në zgjedhje, por vetëm skemë për kapjen e votës.

“Edi Rama ka hapur sondazh se çfarë duan shqiptarët nga qeverisja e tij. Hipokrizia e kësaj është përtej çdo përfytyrimi. Eshtë e qartë për çdo shqiptar se Edi Rama nuk ka as program, as plan për të qeverisur Shqipërinë. Eshtë e qartë se kjo maxhorancë është fiktive  dhe nuk përfaqëson vullnetin e qytetarëve por përfaqëson shtrembërimin e këtij vullneti përmes shit-blerjes së votës që u faktua në këto zgjedhje si varrmihësi i demokracisë tonë të brishtë”.



Selami: Basha u refuzua nga shqiptarët më 25 Qershor
Fushatën për postin e kryetarit të PD, kandidati Eduard Selami e vijoi në Patos, Mallkastër, Roskovec dhe Lushnje.

Duke analizuar shkaqet e humbjes së PD në zgjedhjet e 25 Qershorit, Selami tha se humbja e ka zanafillën më të hershme dhe së fundmi pati shmangie të konsiderueshme nga sistemi i vlerave, meritokracisë, konkurencës  dhe rregullave brenda partisë.

“Demokratët janë qytetarë të angazhuar por ata u shpërfillën dhe nuk u dëgjuan. Ne duhet ti kthejmë njëri-tjetrit besimin, duhet ti kthehemi vlerave të lirisë, e më pas tia rikthejmë ato, të gjithë shqiptarëve”, tha Selami.

Sipas tij humbja ne 25 Qershor ishte refuzim i shpiptarëve ndaj lidershipit të Bashës.

“Ne duhet ti rikthejmë demokracinë e brendshme PD, funksionimin demokratik, dhe duhet që të prezantojmë brenda forcës sonë politike një frymë të re e cila duhet të inspirojë jo vetëm demokratët por dhe të përcillet për gjithë Shqipërinë. Ne duhet të rrezatojmë shpresë për shqiptarët. PD që në vitin 92 ka qenë forca më promotore e zhvillimit dhe ajo duhet  të kthehet alternativa më e mirë për progresin e shqiptarëve”.

Kandidati Selami tha se së bashku me demokratët, seksionet dhe anëtarësinë do të punojë me një platformë bashkimi dhe jo përcarje, për të kthyer besimin te PD dhe te vlerat e demokracisë.

“Një anëtar një votë, me këtë rrugë do të zgjidhet cdo përfaqësues karriere në parti dhe në pushtetin e të gjitha niveleve, Parlament, ministra, bashki dhe në cdo përfaqësim pushteti. Po të më votoni, secili prej jush do te jetë pjesë e vendim-marrjes në respekt të frymës së fushatës për postin e kryetarit të PD”, tha Selami.

  • Sondazhi i ditës:

    Ku po i kaloni pushimet e verës?



×

Lajmi i fundit

Ministri Gonxhja reagon për zjarrin në Finiq: Asnjë prej monumenteve në Parkun Arkeologjik nuk është prekur

Ministri Gonxhja reagon për zjarrin në Finiq: Asnjë prej monumenteve në Parkun Arkeologjik nuk është prekur