​Fjala e plotë e Kryetarit të Kuvendit për Ditën e Europës

E nderuar znj. Leskaj, Nënkryetare e Kuvendit të Shqipërisë,
 
E nderuar znj. Dade,
 
E nderuar Ministre Gjosha,
 
E nderuar Ambasadore Vlahutin. Shkëlqesi Ambasadorë të pranishëm!
 
Të dashur të reja e të rinj, Zonja e zotërinj,
 
Ju uroj mirëseardhjen në ambientet e Kuvendit të Shqipërisë në këtë Ditë të Evropës, në këtë ditë të rinisë, kur ne bashkarisht festojmë një ide, për një vizion të jashtëzakonshëm që solli krijimin e një entiteti të suksesshëm politik përgjatë shtatë dekadave duke ndryshuar fatin dhe jetët e dhjetëra miliona qytetarëve, jo vetëm në hapësirën evropiane, por edhe në mbarë botën.
 
Ne sot duhet të ndjehemi mirënjohës ndaj baballarëve themelues të këtij projekti historik si Konrad Adenauer, Jean Monnet, Robert Schuman, etj., të cilët treguan që kishin vizion të qartë, kurajë të fortë e vendosmëri të palëkundur për ta çuar përpara këtë projekt ambicioz.
 
Ish-Kryeministri britanik, Winston Churchill, në fjalën e tij të famshme në Universitetin e Zyrihut në vitin 1946, vetëm një vit pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, u kërkoi popujve evropianë krijimin e një Evrope të Bashkuar, duke u kthyer shpinën vuajtjeve, urrejtjes së të kaluarës dhe tmerreve të luftës, për të parë drejt të ardhmes, për ta imagjinuar kontinentin e vjetër si një familje të përbashkët të drejtësisë, barazisë, solidaritetit dhe lirisë.
 
Mendoj se nuk ka vend më domethënës sot në Shqipëri se sa ky Parlament, për të reflektuar rreth atij vizioni të guximshëm e shpresëplotë që krijoi këtë Union, ku ne sot si shqiptarë, së bashku me popujt e tjerë të Ballkanit, po integrohemi.
 
Jam shumë i lumtur sot që kemi mes nesh të reja e të rinj, sepse e ardhmja i përket pikërisht këtij brezi të ri.
 
Shpresat, ëndrrat e tyre për të ardhmen duhet të motivojnë e të rrisin peshën e përgjegjësisë tonë politike e qytetare më shumë.
 
Vetë Kuvendi i Shqipërisë ka detyrimin e madh që të bëhet shembull për brezin e ri, duke u kthyer në shtëpinë e demokracisë të vërtetë, atë të dialogut politik, të tolerancës e mirëkuptimit dhe të përgjegjshmërisë së lartë.
 
Në këtë mënyrë ne do të demonstrojmë se jemi në lartësinë e vlerave evropianiste, që populli shqiptar ka përqafuar që në dhjetor të vitit 1990, kur thirrja e “Duam Shqipërinë si gjithë Evropa” frymëzoi Lëvizjen Studentore e më pas gjithë popullin tonë për të çelur një epokë të re.
 
Ndaj edhe dëshira ime në këtë ditë është që ky parlament, të mbushet me të reja dhe me të rinj, jo vetëm si pjesëmarrës këtu, por me parlamentin e ri që do
 
të krijohet, sepse të rinjtë dhe të rejat kanë qenë dhe janë shembulli më i përkryer i pasionit të sinqertë për Shqipërinë e vërtetë evropiane.
 
Sepse të rinjtë dhe të rejat reflektojnë energji të jashtëzakonshme pozitive, e cila buron ndaj idealizmit dhe dëshira për një jetë më të mirë, për një komunitet dhe një vend më të suksesshëm e dinjitoz.
 
Sot, falë projektit evropian për paqe, stabilitet ekonomik e mirëqenie për miliona qytetarë të kontinentit tonë, të rinjtë nuk kanë më nevojë të zgjedhin armët, por zgjedhin dijen, demokracinë dhe avantazhet që jep liria e lëvizjes dhe punësimit në këtë hapësirë të përbashkët ekonomike e politike.
 
Dhe kam bindje të thellë se vetëm fuqia e rinisë mund ta ndryshojë këtë vend dhe të çojë përpara ëndrrën dhe projektin evropian.
 
Ndaj, në emër të ëndrrave e dëshirave të këtyre të rinjve e të rejave të mrekullueshëm, vendit tonë i duhet më tepër përgjegjshmëri e jo më shumë egoizëm. Më tepër vetëmohim, më tepër dialog e më pak arrogancë. Më tepër kulturë kompromisi dhe më pak kokëfortësi. Më shumë qetësi. Më shumë stabilitet. Më shumë investime e natyrisht më shumë mundësi punësimi dhe barazi sociale.
 
Duke vendosur interesat e vendit dhe të ardhmen e tij të përbashkët evropiane, si prioritet kryesor i gjithë axhendave të veçanta politike, asnjëherë nuk është vonë të gjejmë zgjidhjen e përgjegjshme e gjithëpërfshirëse, me qëllim që Shqipëria të ecë denjësisht drejt anëtarësimit të saj në Bashkimin Evropian, duke hedhur hapin e duhur: çeljen e negociatave sa më shpejt të jetë e mundur.
 
Ju falënderoj që keni ardhur sot këtu dhe nuk do të rresht kurrë në përpjekjet e mia për dialog, për bashkëpunim, për kompromis, e mbi të gjitha, për të promovuar shpirtin e unitetit kombëtar në shërbim të axhendës sonë evropiane dhe të ardhmes së të rinjve tanë të mrekullueshëm.

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

‘Ushtari’ i Ervis Martianjt dhe 6 të tjerë marrin peng të riun në Tiranë, e kanosin për t’i marrë pasurinë! 4 arrest në burg, 3 arrest shtëpie