​Ku i gjen paratë LIBRA e Blushit?
Hafizi: Jemi me vetëfinancim

​Ku i gjen paratë LIBRA e Blushit?<br />Hafizi: Jemi me vetëfinancim
TIRANË-LIBRA është partia me e re politike dhe disa media kanë shkruar duke hedhur dyshime mbi mënyrën e financimit, nisur dhe nga aktivitetet në ambiente të shtrenjta që kjo parti ka bërë.

Nisur nga këto, deputetja Mimoza Hafizi dhe bashkëthemeluasje e LIBRA-s tregon për financimin e kësaj force politike të themeluar pak kohë më parë.
 
Përmes një postimi në faqen e saj në Facebook, Mimoza Hafizi i referohet specifikisht edhe eventit të LIBRA-s më 29 dhjetor në një prej hoteleve më të shtrenjtë të Tiranës, si ai i Plaza i sapo inauguruar në kryeqytet.
 
Sipas saj “LIBRA është organizatë politike e ngritur mbi parimin e vetëfinancimit përmes kuotave të anëtarësisë si dhe nga burime të tjera të ligjshme”.

Më poshtë reagimi i plotë i deputetes Hafizi.

Statusi i Mimoza Hafizit ne Facebook
"Ka një kuriozitet të arsyeshëm, që e mirëkuptojmë, rreth financimit të LIBRA-s.
LIBRA është organizatë politike e ngritur mbi parimin e vetëfinancimit përmes kuotave të anëtarësisë si dhe nga burime të tjera të ligjshme. Në fund të dhjetorit kemi miratuar një skemë kuote progresive, sipas të ardhurave të gjithsecilit. Kjo kuotë është 1% e pagës. Studentët, pensionistët e sigurisht të papunët, nuk do të kuotizojnë tek LIBRA.

Në dy muajt e parë të saj, LIBRA ka mbuluar mbi 70% të aktivitetit nga kuotat e anëtarësisë, kurse pjesa tjetër është mbuluar nga sponsorizime po nga anëtarët e saj, të cilat çdoherë kanë qenë shumë më poshtë se vlera tavan e përcaktuar nga ligji. Shpenzimet e LIBRA-s janë qiraja, dritat, uji, interneti e sallat e takimeve.

Së shpejti LIBRA do të ketë numrin e saj të llogarisë bankare, ku çdokush është i mirëpritur të dhurojë shuma edhe minimale, përkundrejt transparencës maksimale të çdo leku të shpenzuar. Aktivistët LIBRA po kërkojnë të ngrejnë zyra kudo në Shqipëri, të cilat do të jenë vendet e takimit të anëtarëve dhe miqve LIBRA.

Ne jemi organizatë e krijuar si e mirë publike, në shërbim të demokracisë dhe politikës në Shqipëri, dhe e konsiderojmë të arsyeshme dhe të pranueshme kontributin e çdo qytetari për funksionimin tonë normal.

LIBRA i qëndron parimit të modestisë dhe modernitetit, dy parime që do na bëjnë organizatën më të pakushtueshme politike në vend.

Ne, dy deputetët LIBRA, do nisim së shpejti kërkesën për ndryshime ligjore që kufizojnë financimet e partive politike gjatë fushatave dhe që bëjnë të detyrueshëm një audit serioz ndërkombëtar të të gjitha financimeve që përdorin aktualisht partitë politike.

Sa për sqarim, me datën 29 Dhjetor, LIBRA organizoi në Tiranë një takim të 400 anëtarëve të saj më aktivë në të gjithë vendin. Kemi kërkuar disa salla, salla e parë, në periferi të Tiranës, na u dha me çmimin surprizë të 90 mijë lekëve (të reja) dhe e anuluam thuajse në çastin e fundit. Një sallë në qendër të Tiranës, me kapacitet 600 vende, mund të merrej vetëm me 80 mijë lekë, kurse një tjetër po në qendër, në një hotel të njohur, me 200 vende të pamjaftueshme për ne, na u ofrua me 360 euro. Salla ku zhvilluam aktivitetin, për fat kishte numrin e duhur të vendeve dhe na u dha me çmimin 50 euro. Kjo është e vërteta e qirasë së sallës së aktivitetit të datës 29 Dhjetor, në të cilën patëm kënaqësinë të ofrojmë dhe një kokteil modest për të gjithë aktivistët tanë nga e gjithë Shqipëria, dhe që u vetëfinancua
", mbyll sqarimin Hafizi.

Më shumë se një reagim shpjegues, shkrimi i deputetes Hafizi duket më tepër një përpjeke justifikuese. Faktet e parashtruara prej saj nuk janë në përputhje me logjikën e tregut, e për më tepër nuk ka asnjë faturë financiare për shërbimet. 

Hafizi thotë se aktiviteti i LIBRA-s me 400 veta, në hotelin më të ri e ndër më të luksozët në kryeqytet ka kushtuar vetëm 50 euro, teksa në hotele të ngjashme vetë Hafizi thotë se ju janë kërkuar 400-700 euro. 

Dyshimi që ngrihet është: pse një hotel i shtrenjtë duhet t’i ofrojë një partie një çmim kaq të lirë? A mund të provojë LIBRA përmes një fature që vërtetë i është dashur të paguajë aq pak për këtë aktivitet?

(d.b/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kë doni ju që të fitojë zgjedhjet në SHBA?



×

Lajmi i fundit

Nesër zgjedhjet në SHBA/ Ish-ambasadori: Duhet ndryshuar rendi botëror! Endri Shabani: Trump thotë 'Amerika e para'! Po kur ka qenë ndonjëherë e dyta?!

Nesër zgjedhjet në SHBA/ Ish-ambasadori: Duhet ndryshuar rendi botëror! Endri Shabani: Trump thotë 'Amerika e para'! Po kur ka qenë ndonjëherë e dyta?!