TIRANE-“Ndërrimi i viteve ishte vetëm feste, pa asnjë incident. Faleminderit qytetarëve për mirëkuptimin dhe besimin. Faleminderit gati 5.000 punonjësve të policisë që i shërbyen qytetarëve për festa”.
Kështu u shpreh ministri i Brendshëm Saimir Tahiri në profilin e tij në Facebook lidhur me natën e ndërrimit të viteve, duke shtuar, “Gëzuar 2017#policiaqeduam”

E ndërkohë urimi i bashkohet dhe Policia e Shtetit. "Gëzuar Vitin e Ri 2017".

Policia e Shtetit thekson se gjatë natës së ndërrimit të viteve kanë qenë në shërbim pothuajse gjithë uniformat blu. Falë këtyre masave, thekson Policia, qytetarët festuan dhe incidente nuk u shënuan. Por policia thekson dhe falënderon qytetarët për anën qytetare që kanë treguar në festime duke mos përdorur fishekzjarre që mund të sillnin dëme e deri plagosje.

"Gjatë natës së ndërrimit të viteve, e deri në orët e para të mëngjesit, pothuajse e gjithë Policia e Shtetit, ka qenë në shërbim, prezente në sheshet ku qytetarët festuan, në afërsi të lokaleve, në rrugët nacionale dhe rurale, kudo në të gjithë Shqipërinë.
 
Falë masave të marra nga Policia e Shtetit, qytetarisë së treguar gjatë festimeve, si dhe mirëkuptimit të treguar nga qytetarët për të respektuar këshillat e Policisë së Shtetit, gjatë natës e deri në mëngjesin e sotëm, në të gjithë Shqipërinë nuk ka asnjë humbje jete njerëzore si pasojë e aksidenteve rrugore apo e ngjarjeve kriminale.
 
Nga përdorimi i fishekëzjarreve në të gjithë vendin janë dëmtuar lehtë pa asnjë problem për jetën 9 shtetas, të cilët pas mjekimit janë larguar në banesat e tyre”, thekson Policia.
 
Po kështu, zyrtarisht njoftohet se në të gjithë vendin, konfliktet si pasojë e përdorimit të alkoolit pothuaj kanë qenë të papërfillshme.
 
Gjatë natës në të gjithë vendin është evidentuar 1 rast vjedhje lokali dhe 1 rast tentativë vjedhje banese.
 
Ështe evidentuar vetëm një ngjarje, ku persona te paidentifikuar në lagjen Bathore, në një lokal kanë hedhur nje sasi lënde plasëse, ku nga shpërthimi nuk ka pasur persona të dëmtuar, por vetëm dëme të vogla materiale.
 
Policia Rrugore dhe Patrullat e Përgjithshme iu kanë dhënë ndihmë qytetarëve për probleme të ndryshme në 24 raste në të gjithë vendin.
 
Policia e Shtetit thekson do vijojë shërbimin e përforcuar deri më datën 04.01.2017.

(d.b/Shqiptarja.com)