​‘Qeveria po shfrytëzon
resurset publike për fushatë’

​‘Qeveria po shfrytëzon<br />resurset publike për fushatë’
PRISHTINË - Qeveria e Kosovës po shfrytëzon resurset publike për të bërë fushatë, vlerësojnë në Grupin për Studime Juridike dhe Politike dhe sipas tyre partitë politike kundërligjshëm kanë filluar promovimin e agjendave të tyre politike, para kohës zyrtare të fushatës, duke e vlerësuar të kundërligjshëm edhe mosdeklarimin e financimit të aktiviteteve të tyre partiake.
 
Fisnik Korenica, në konferencën me temë “Ecuria e deritanishme e procesit zgjedhor”, vlerësoi se prej momentit kur është caktuar data e zgjedhjeve deri në ditën e fushatës, vazhdimisht po bëhen shkelje të standardeve të një procesi demokratik zgjedhor.
 
Korenica thotë se Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) e ka juridiksionin për të vepruar në këtë aspekt, por nuk po e bënë një gjë të tillë, dhe vlerëson se po cenohet seriozisht integriteti i këtij procesi zgjedhor.
 
“Sa i përket shfrytëzimit të resurseve publike, keqpërdorimi duhet të shikohet në nivel të institucioneve sepse nuk janë partitë ato që e keqpërdorin, këto janë shefat e institucioneve të cilët e keqpërdorin pozitën e tyre zyrtare për të bërë fushatë politike. Pra, kur i referohemi keqpërdorimit të resurseve publike, duhet të nisemi prej institucioneve jo prej partive politike dhe ata që janë bartës të pushtetit, natyrisht që kanë mundësinë, dhe janë ata që po e keqpërdorin këtë punë, natyrisht nuk janë të gjithë, nuk mund ta bëjmë një përgjithësim që i kapë të gjithë, por Qeveria e Kosovës ju e keni vërejtur që po shkon në një drejtim të tillë në mënyrë të vazhdueshme duke bërë fushatë prej zyrës së Qeverisë” , shprehet Fisnik Korenica.
 
Grupi për Studime Juridike dhe Politike thotë se u ka kërkuar të gjitha partive të jenë sa më transparente në deklarimin e financimit të fushatës dhe deklarimet e shpenzimeve të bëhen çdo tre ditë, pasi sipas tyre ka shpenzime marramendëse.
 
“Ekziston në Kosovë dukuria që subjektet private, firmat e ndryshme shkojnë dhe paguajnë në emrin e tyre, aktivitetet të caktuara, për partitë politike. Ligji mbi financimin e subjekteve politike qartësisht e ndalon një gjë të tillë. Janë vetëm partitë politike ato, si subjekte të cilat mund të paguajnë për një aktivitet politik që ato bëjnë. Pra, kushdo që bënë pagesë të një aktiviteti, të një partie politike, e bënë atë në formë të kundërligjshme”, deklaron Korenica.
 
Albana Merja, thotë se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka caktuar shumën prej 890 mijë euro për dhjetëditëshin e fushatës, por që tani ka shpenzime të padeklaruara, e që sipas saj, gjithmonë lihet vend për keqpërdorim.
 
“Kjo pasi është shumë e rëndësishme mënyra se si financohen partitë politike, dhe dihet që gjithmonë lihet vend për korrupsion apo për keqpërdorim të fondeve, si fondeve publike po ashtu edhe fondeve private duke i premtuar pastaj, me ardhjen në pushtet dhënien e tenderëve, apo aferave të tjera që kanë të bëjnë me korrupsion”,-shprehet Merjani.
 
Sipas tyre, edhe gjatë hartimit të listave, disa parti politike nuk kanë ndjekur standardet e demokracisë së brendshme, duke thënë se Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje ka mbledhur Këshillin Drejtues, Partia Demokratike e Kosovës nuk ka mbajtur, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk e ka raportuar mbajtjen apo jo, kurse Aleanca Kosova e Re nuk e ka obligim statusor./Kosovapress/

Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Gjirokastër/ Zjarr në kullotat e Hundkuqit, zjarrfikësit në vendngjarje! Situata duket kritike

Gjirokastër/ Zjarr në kullotat e Hundkuqit, zjarrfikësit në vendngjarje! Situata duket kritike