​Minoritetet përplasin ministrin
Bushati me deputetin Klevis Balliu

​Minoritetet përplasin ministrin<br />Bushati me deputetin Klevis Balliu
Ligji i ri për mbrojtjen e pakicave kombëtare ka përplasur në Komisionin e Jashtëm ministrin e Jashtëm, Ditmir Bushati dhe deputetin demokrat Klevis Baliu. Demokrati i kërkoi ministrit llogari se pse nuk mbrohen shqiptarët në Greqi, sikundërse Greqia mbron minoritarët e saj këtu.

Teksa po prezantonte ligjin për pakicat kombëtare, politikani me eksperiencë, Ditmir Bushati, u vendos me shpatulla pas murit nga deputeti më i ri, Klevis Balliu. Ministri i jashtëm e pati të vështirë të argumentonte se pse ky ligj nuk ishte bërë në kushtet e reciprocitetit me Greqinë. 

Balliu: Është shumë i përgjithshëm për mendimin tim, sepse pjesë specifike të problematikave që ka Shqipëria nuk përcaktohen. Të rishqyrtohen qoftë dhe për të ndihmuar stabilizimin, ristabilizimin e marrëdhënies sonë me Greqinë.

Bushati: Këtu ka pakicë, të cilët gjendja e tyre mund të jetë e mjerueshme dhe ato pakica janë disa herë më pak të organizuara se pakicat që kanë një lidhje të caktuar me shtete të ndryshme. Ne nuk e shohim këtë as si një debat me fqinjët, e aq më pak një koncesione ndaj fqinjëve.   

Por debati vijoi kur ministri tha se në bashkitë ku jeton të paktën 20 % e popullsisë minoritare, pushteti vendor detyrohet të komunikojë me ta edhe në gjuhën e tyre, kusht që sipas të dhënave e plotëson vetëm minoriteti grek.

Balliu: Unë pres nga ministri, që në qoftë se një shqiptar në Greqi ka një problem dhe i bëhet një padrejtësi, ky ministër do të shkojë, do të kujdeset dhe t’i kërkojë llogari atij shteti. Po njëlloj bëjnë vendet e tjera për minoritetet që janë këtu. Nëse kujdesemi mirë për ta, me një shtet marrëdhëniet me të cilin janë të acaruara sot, do të rregullohen.

Bushati: Unë e thashë që në fillim me mënyra nga më të ndryshmet për ta lënë për t’u kuptuar se ky ligj është bërë si shprehje e vullnetit tonë.

Edhe pse ishin dakord me ligjin në parim, PD dhe LSI kërkuan më shumë kohë për shqyrtim. Mendime të ngjashme ndanë dhe deputeti demokrat i Dropullit, Tritan Shehu dhe ai socialist, minoritar greke, Andrea Marto. 

Shehu: Unë jam vetë deputeti i Dropullit, pra unë do ta konsultoj me minoritetin e Dropullit në mënyrë aktive dhe i kam lajmuar banorët atje dhe drejtuesit atje. Kam marrë votat e tyre.

Marto: Që të zbatohet kjo në praktik do një mbështetje të fuqishme buxhetore, veç vullnetit politik. Unë i takoj minoritet etnik grek, krenar për këtë, krenar që jam shtetas shqiptar, por vitet e fundit shpesh ekuilibrat janë prishur. 

Në përfundim u miratua vetëm në parim projektligji i cili veç të tjerash, siguron një fond vjetor rreth 140 mijë euro për ndihmën e komuniteteve. Kjo ishte mbledhja e dytë e Komisionit të Jashtëm e drejtuar nga Mimi Kodheli, e cila hoqi barrierat, duke lejuar që mbledhja të ndiqej nga afër nga gazetarët e kamerat, ndryshe nga ç'ndodhte më parë, kur mbledhjet drejtoheshin nga Arta Dade.

Redaksia Online
D.Ç./Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?



×

Lajmi i fundit

Mero Baze: Mbi përballjen e socialistëve me drejtësinë dhe nevoja për administratën e Shqipërisë në BE

Mero Baze: Mbi përballjen e socialistëve me drejtësinë dhe nevoja për administratën e Shqipërisë në BE