Kështu u shpreh ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri në aktivitetin “Policia e Gjeneratës tjetër”, ku ishte i ftuar dhe kryeministri Edi Rama. Aktiviteti u mbajt tek Kisha Ortodokse ne Tirane.
Duke përcjellë reformat që janë bërë në Policinë e Shtetit, Tahiri falënderoi kryeministrin Edi Rama, për miratimin që i ka dhënë kërkesës për rritjen me 17% të pagave të 11 mijë punonjësve të policisë.
Rritja
-Rritja e nivelit bazë me 17%
-Vlera në lek 10.070 lekë, rreth 107 mijë lekë të vjetra
Shembull: Paga e inspektorit, bëhet 69 mijë lekë.
Krahasuar me vitin 2013, rritet me 45%
BRENDA 3 VITESH, PAGAT E RRITURA 2 HERE
Sipas Tahirit, deri para viti 2013, punonjësi i Policisë ishte i tradhëtuar nga qeveria e tij. Ndërsa sot, tha ai, polici përfiton rritjen e dytë brenda 3 vitesh.
“Ulja e pagës deri në 2013, është shembulli më i mirë për ata që e kanë parë si të tepërt përcaktimin “tradhëti”.
Sot, punonjësi i Policisë jo vetëm nuk është i tradhëtuar, por është në qendër të vëmendjes. Dhe rritja e pagës për të dytën herë brenda 3 vitesh, është investimi më i qeverisë, për të mbështetur Policinë”.
Rritja ne vitin 2013
Taksa progresive në 2013 rriti:
-pagën neto të punonjësve të nivelit bazë të Policisë mesatarisht me 2.3 %
- pagat e nivelit bazë ndikoi në një rritje 5%
Rritja ne vitin 2014
Gjatë vitit 2014, u rritën me 25% pagat e punonjësve të nivelit bazë të Policisë së Shtetit.
Paga mesatare e nivelit bazë ishte 45.600 lekë dhe u bë 57.100 lekë.
AKUZAT E PD, RAMA: OPOZITA, ENERGJIA NEGATIVE QË CËNON MORALIN
I ftuar në këtë aktivitet kryeministri Edi Rama përgëzoi reformat në Policinë e Shtetit, ndërsa nuk kurseu kritikat ndaj opozitës, për rolin që ka luajtur në drejtim të Policisë së Shtetit. Sipas, Ramës, opozita me akuzat që ka bërë në adresë të Policisë, mund të përkufizohet si, ‘energjia negative’ e këtij vendi.
“Për fat të keq, sot opozita nuk është një fuqi alternative që na shtyn për të bërë dhe më shumë, por forcë energjie negative që cënon moralin dhe pasionin e çdo punonjësi policie. Jam munduar vazhdimisht të vihem nën lëkurën tuaj (iu drejtohet policëve) e ta përfytyroj vetën punonjës policie që ndahet në mëngjes nga familja, përqafon fëmijët dhe niset në një punë ku gjithçka mund të ndodhë e pastaj kthehet se është i detyruar të dëgjojë kaq shumë gjëra që nuk kanë lidhje me atë që bën”.
I ndalur tek pagat, Rama kujtoi se dhe rritjen që iu bë Policëve pas vitit 2013, ishte një akt kuptimplotë, krahasuar me kushtet ku ndodhej ekonomia e vendit.
“Le të kthehemi 3 vite më parë,ku u shënua një nga aktet më kuptimplota të vullnetit për ti dhënë policisë në duar fuqinë e cila i ka munguar. Aktin e rritjes së rrogave për gjithë trupën e policisë, në kushte të zakonshme do ishte e zakonshme por ishte akt i jashtëzakonshëm pasi ndodhi në kushte të jashtëzakonshme. Shqiëpria që ne morëm ishte në një situatë shumë më të rëndë sesa Shqipëria që ne dinim se do merrnim.
Ne rritëm rrogat e punonjësve të policisë, ndonëse FMN na tha që të mos bënim një gjë të tillë për shkak të gropës së madhe në buxhet, akt i jashtëzakonshëm rritja e pagave për efektivët.
Tre vjet më parë, në cdo cep të vendit kryefjala ishte që ‘Na shpëtoni nga kthetrat e krimit, makthi se në cdo moment mund të na ndodhë dicka’. Sot nuk është më kryefjala, por një nga shqetësimet që kërkon punë.
Rritëm pagat dhe filluam procesin e rindërtimit nga themelet të policisë që e gjetëm më të vjetrën në moshë dhe më të paarsimuarën në rajon. E gjetëm si një organizatë punësimi për militantët, kushërinjsh, fukarenjsh që për të vënë kapelen e policit paguanin para, trupë e çoroditur, e braktisur”.
Kryeministri Edi Rama gjatë konferencës “Policia e gjeneratës së re”, theksoi se sot Policia e Shtetit është institucioni më i besuar i shqiptarëve. Ai pohoi se qeveria e tij i ka dhënë një fytyrë të re policisë.
“Qytetarët shqiptarë besojnë se policia e shtetit në këto tre vjet ka qenë shembulli më domethënës për të bërë shtet, në kuptim më troç të fjalës. Policia e shtetit është institucioni më i besuar i shqiptarëve.
Nuk ka dyshim, dua që ta dëgjoni dhe ta besoni, se për asnjë moment nuk kemi harruar që të çojmë mundim e madh të gjithë juve këtu dhe bashkë me ju ata që i kanë dhënë policisë së shtetit një fytyrë të re, larg të qenit të shpërblyer për atë që keni bërë.
Është rezultat i një pastrimi shembullor që iu bë policisë duke përjashtuar 11% të trupës për shpërdorim detyre nga aktet më shembullore të shkeljes së ligjit deri tek abuzimet e vogla. Kjo nuk do të thotë që lufta e brendshme me këtë traditë të shpërdorimit të detyrës ka përfunduar. Është një luftë që vazhdon me vetëdijen që sot ende në policinë e shteti shfaqen fenomen me te cilat policia është ndarë me vendosmëri dhe me një vullnet që dëshmohet përditë".
FJALA E PLOTE/TAHIRI
Punonjësit e policisë ishin të tradhëtuar. Jo vetëm nga bashkëpunimi me krimin, por më shumë akoma nga braktisja e qeverisë.
Kush e ka quajtur të tepërt a kush e ka quajtur politikë, përcaktorin “tradhëtinë e Policisë nga Qeveria”, ka mundësi të kuptojë tradhëtinë e vërtetë vetëm duke parë trajtimin financiar që kishte Policia deri në 2013.
Rritja e fundit e pagave, në 2003,
Që atëherë, paga neto e punonjësit të policisë është ulur, viti 2011 me 4%
2005-2013 policia më e keqtrajtuara financiarisht
Një punonjës policie merrte 34% me pak se punonjesit e administratës.
Madje një punonjës policie i Patrullës së Përgjithshme kishte pagë më të ulët se një punonjës pastrimi në administratë.
Policia e Shtetit kishte pagat më të ulta në rajon, për të mos folur për BE.
Ne u angazhuam që tradhëtinë e Qeverisë së shkuar ta kthejmë në besim dhe mbështetje për Policinë.
Vendosja e taksës progresive në 2013 ndikoi në rritjen e pagës neto të punonjësve të nivelit bazë të Policisë mesatarisht me 2.3 %, ndërkohë më pagat e nivelit bazë ndikoi në një rritje 5%.
Gjatë vitit 2014 u rritën me 25% pagat e punonjësve të nivelit bazë të Policisë së Shtetit, duke hedhur një hap të rëndësishëm drejt trajtimit më të mirë financiar.
Paga mesatare e nivelit bazë ishte 45.600 lekë dhe u bë 57.100 lekë.
Ligji i ri i Policisë së Shtetit parashikuam dhe rritje të pagës për efekt të vjetërsisë në punë, me efekt që nga marsi i këtij viti. Kjo sjell një rritje mesatare të pagave me rreth 5%.
Që në vitin e parë miratuam ligjim “Për sigurimin shëndetësor të veçantë të punonjësve të strukturave Speciale Operacionale të Policisë së Shtetit”, sepse punonjësit e forcave speciale shkonin në operacione pa sigurim për shëndetin.
Përveç pagave të ulta, deri në 2013, për mbi 2 vjet punonjësve të Policisë së Shtetit, kryesisht punonjësve të forcave speciale, nuk u paguheshin orët jashtë orarit, dietat, shpërblimet për largësinë nga vendbanimi.
U shlyen të gjitha detyrimet e prapambetura për punonjësit e Policisë së Shtetit ndër vite – 325.9 milion lekë (2.2 milion euro) që qeveria e kaluar ua kishte borxh punonjësve të policisë dhe tani orët jashtë orarit, dietat dhe shpërblimet jepen menjëherë.
Sot është dita për një lajm të mirë!
Po, pagat e mbi 11 mijë punonjësve të policisë në të gjithë Shqipërinë, do të rriten nga Janari 2017.
Faleminderit zoti Kryeministër!
Do rrisim pagat e policëve të nivelit bazë me rreth 17% ose në vlerë absolute me një rritje 10.070 lekë.
Për t’ju marr një shembull, paga e inspektorit në vitin 2017 bëhet 69 mijë lekë, pra krahasuar me vitin 2013, rritet 45%.
Deri dje, punonjësi i Policisë ishte i tradhëtuar nga qeveria e tij. Ulja e pagës deri në 2013, është shembulli më i mirë për ata që e kanë parë si të tepërt përcaktimin “tradhëti”.
Sot, punonjësi i Policisë jo vetëm nuk është i tradhëtuar, por është në qendër të vëmendjes. Dhe rritja e pagës për të dytën herë brenda 3 vitesh, është investimi më i qeverisë, për të mbështetur Policinë.
Kjo domethënë më shumë mirëqënie për familjet dhe fëmijët e punonjësve të policisë.
Deri dje të ishe polic ishte hall më vete, për shkak të pagës dhe kushteve skandaloze të punës.
Për këtë arsye kemi investuar në mjete të reja për policinë, në infrastrukturë, në teknologji. Në mjedise të reja punë, në uniforma të reja.
Sepse për ne të jesh punonjës policie, nuk mund të jetë hall mbi halle.
Sepse në përballjen me krimin nga njëra anë, me baltën e opozitës nga ana tjetër, përballja me varfërinë në familje dhe pamundësinë në detyrë, është fare fare e tepërt.
Ndaj detyra e kësaj qeverie është të lehtësojë këtë betejë të padrejtë me pamundësinë, me pabarazinë.
Betejën e padrejtë të punonjësit të Policisë dhe familjes së tij me varfërinë dhe keqtrajtimin financiar.
Ky investim i Qeverisë, do të thotë më shumë punë, më shumë shërbim, më shumë rezultat për ta bërë Shqipërinë më të sigurtë e më të drejtë.
Ne rrisim pagat e policisë, por nuk ka asnjë çmim, puna që duhet të bëjmë për t’i shërbyer qytetarëve.
Nuk ka asnjë çmim besimi i qytetarëve.
Nuk kanë asnjë çmim rezultati që duhet të arrijmë kundër informalitetit, paligjshmërisë dhe kriminalitetit.
Shqipëria e sigurtë dhe e drejtë që duam, nuk ka asnjë çmim.
Ndaj rritja e pagës, është një motivim më shumë për policinë që duam, për shqipërinë e gjeneratës së të ardhmes.
Edhe njëherë faleminderit zoti Kryeministër!
Urime punonjësve të policisë në të gjithë Shqipërinë për rritjen e pagës në 2017!