“Në nëntor dhe dhjetor Prokurorët u përpoqën të sekuestronin serverin e ILDKPKI, që është jetik për Vettingun, por nuk mundën”.

Kjo fjali e shqiptuar sot nga goja e ambasadorit amerikan në Shqipëri, Donald Lu duket se është pika më e fortë e përplasjes së sotme mes ambasadorit dhe kryeprokurorit Adriatik Llalla.

Çështja e serverit të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit (ILDKPKI) ka qenë një debat i madh me procese gjyqësore pak muaj më parë.

Në muajin Nëntor të vitit 2016, Prokuroria urdhëroi bllokimin e arkivës së ILDKPKI pasi hapi hetime me nismë të vet kundër kreut të këtij institucioni Shkëlqim Ganaj, me argumentin se ka dyshime që ky i fundit ka shkelur ligjin pasi nuk ka hetuar në mënyrë administrative rastet e dyshuara të konfiktit të interesit të disa deputetëve që kanë kryer marrëdhënie biznesi me shtetin.
 
Ndërhyrja Prokurorisë dhe kërkesa për të bllokuar të gjithë arkivën fizike dhe elektronike të ILDKPKI-së, u pa si një përpjekje për të bllokuar përdorimin e kësaj arkive në procesin e pritshëm të Vettingut.


Serveri i ILDKPKI është një arkivë e madhe ku mbarten disa mijëra deklarata vjetore të pasurive dhe të të ardhurave monetare që gjykatësit dhe prokurorët kanë plotësuar çdo vit që nga viti 2004.
 
Të dhënat në këtë server sot do të shërbejnë si një burim kryesor për të analizuar pastërtinë e figurës së gjyqtarëve e prokurorëve që do i nënshtrohen Vettingut.

Pas urdhrave të sekuestrove të prokurorisë, ILDKPKI iu drejtua gjykatave.

Procesi gjyqësor ndiqej me vëmendje të posaçme sidomos nga faktori ndërkombëtar i përfshirë direkt në reformën në drejtësi

 Me argumentin se nuk plotësohen kushtet ligjore, Gjyqtarët e Gjykatës së Lartë kanë rrëzuar gjashtë kërkesat penale të Prokurorisë, e cila këmbënguli të sekuestronte të dhënat e ruajtura në serverin qendror të ILDKPI dhe regjistrat fizikë për konfliktin e interesave të zyrtarëve të lartë.

Sekuestrimi i këtij serveri nga Prokuroria, nga ana tjetër do të kompromentonte atë, nga ndonjë ndërhyrje e papërgjegjshme në përmbajtjen e saj. Por Gjykatës së Lartë, ia mbylli derën përfundimisht kësaj mundësie.

 Tashmë serveri është në duar të sigurta dhe procesi i Vettingut sapo ka nisur.

Në fjalën e tij sot, Prokurori i Përgjithshëm në arsenalin e akuzave ndaj ambasadorit Lu, nuk e përmendi këtë cështje. Sipas tij, cdo fjalë e Lu është presion i hapur dhe i vazhdueshëm i nisur prej kohësh për shkak të disa dosjeve që sipas kreut të akuzës, ambasadori nuk dëshiron aspak të hetohen.

(d.b/Shqiptarja.com)