Denoncoi rastin e korrupsionit, por arrestohet sepse ofroi ryshfet. Ky është rasti i biznesmenit Gani Manollari nga Dibra, rasti i të cilit u bë i njohur pas transmetimit të një video në një emision investigativ. Policia ndaloi në orët e para te mëngjesti Gani Manollarin, personin që i dha ryshfet 18 mijë euro oficerit të Policisë Gjyqësore.

Ky i fundit, në një regjistrim me video tha se, eurot i donte për Prokurorin Ardian Braho, për të zhbllokuar një shumë të madhë parash, origjina e transfertës së të cilave ishte e dyshimtë.

Biznesmeni Manollari u ndalua në aeroportin e Rinasit rreth orës 01:00 pas mesnate. Burime për Shqiptarja.com bëjnë me dije se, biznesmeni ishte duke u kthyer nga Italia, dhe sapo zbriti në aeroport iu konfirmua masa e ndalimit e shoqërimit nga policia.

Rasti flagrant i korrupsionit është zbuluar pas një video të publikuar nga emisioni investigativ "Stop", ku prokurori Ardian Braho, përmes Oficerit të Policisë Gjyqësore, Fatos Lushi, merr nga Gani Manollari shumën e 18 mijë euro, për të hequr urdhrin e bllokimit të një transferte bankare në shumën 150 mijë euro.

Për të marrë atë që i takonte”, iu desh të paguante plot 18 mijë euro për prokurorin.

Shuma e bllokuar po hetohej pikërisht nga Prokurori Ardian Braho dhe ky i fundit, sipas asaj që kuptohet nga video, ka kërkuar 18 mijë euro për të hequr bllokimin e transfertës. 

Po sipas videos në fjalë, të transmetuar në emisionin investigativ, Braho, i merr lekët nëpërmjet oficerit të policisë gjyqësore, Fatos Lushi. 

Menjehere pas ngjarjes u pezullua nga detyra Prokurori i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, Ardian Braho. Në kërkim ndodhet oficeri i Policisë Gjyqësore Fatos Lushi i cili edhe mori paratë e korrupsionit.
Sipas Ligjit , korrupsion bën jo vetem ai që merr paratë, por dhe ai që i jep, në këtë rast Gani Manollari.

Ryshfeti Prokurorit
Prokurori i Rrethit Tiranë, Ardian Braho u denoncua nga emisioni “Stop”, pasi mori i ryshfet një qytetari për t’i zgjidhur një çështje gjyqësore që kishte të bënte me bllokimin e një shumë parash prej 150 mijë euro. Gani Manollarit, sipas videos takon oficerin e Policisë Gjyqësore Fatos Lusha (në kërkim) dhe i jep 18 mijë euro. Videoja dëshmoi në makinë momentin kur qytetari dhe oficeri numërojnë 18 mijë eurot.