ATHINE-E ndërsa numri i viktimave është 85 dhe operacioni për të zhdukurit vijon, ministri i Mbrojtjes së Qytetarit, Nikos Toskas u shpreh se ekzistojnë prova se zjarrvënia ka qenë e organizuar. “Kemi të dhëna serioze dhe gjurmë të rëndësishme për veprimtari kriminale që kanë të bëjnë me zjarrvënie” tha Nikos Toskas.

Ndërsa zëdhënësi i qeverisë greke ka deklaruar se vijojnë hetimet për të vendosur para drejtësisë autorët e zjarrit. ‘Kryeministri urdhëroi që dosja e çështjes t’u dërgohet autoriteteve gjyqësore’ tha ai. Deri tani numri i viktimave është 85, mes tyre zyrtarisht një shqiptare. Të plagosurit janë rreth 200, përfshirë mbi 13 shqiptarë, gra dhe fëmijë.

Megjithatë operacionet e autoriteteve greke vijojnë kërkimet në zonat që u dogjën nga zjarri masiv. Pas zjarreve, Athina u lëkund nga një tërmet dje, ndërsa më pas disa zona u përmbytën nga reshjet e shiut.