Nëntë ditë para zgjedhjeve, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, bën me dije se janë printuar dhe paketuar fletët e votimit për 6 qarqe. Me një shënim në Twitter, Celibashi thotë se janë printuar fletët e votimit për qarqet Vlorë, Korçë, Berat, Gjirokastër, Elbasan dhe Fier, që pritet të mbërrijnë në Shqipëri brenda ditës së sotme.
"Ka përfunduar printimi dhe paketimi i fletëve të votimit për qarqet Vlorë, Korçë, Berat, Gjirokastër, Elbasan & Fier dhe mbërrijnë në Shqipëri brenda ditës së sotme. Fletët e Votimit po printohen nga kompania sllovene Cetis", shkruan Celibashi.
Ndërkohë pritet printimi i fletëve të votimit edhe për 6 qarqet e tjera të vendit, ndërsa në total do të jenë 3.5 milion fletë votimi, aq sa teorikisht është edhe numri i zgjedhësve të regjistruar.
Kujtojmë se pati një debat në lidhje me printimin në kohë të fletëve të votimit, për shkak të vonesës që u krijua nga mosgjetja e dakordësisë mes palëve për përzgjedhjen e fletës së votimit.
Kompania sllovene Cetis, që u përzgjodh për të printuar fletët e votimit, i dërgoi një letër KQZ, duke thënë se 10 ditë ishin të pamjaftueshme për shtypjen dhe printimin e fletëve të votimit dhe se do të duheshin minimalisht 20 ditë. Por kjo çështje u zgjidh, ndërsa Celibashi tha se fletët e votimit do të vijnë brenda afateve të caktuara.
Fleta e votimit më 25 prill do të jetë me numra, ku 12 partitë janë të renditura si rezultat i shortit të hedhur më parë në KQZ dhe logoja e secilës prej tyre qëndron në krye dhe më pas vjen numri i kandidatëve dhe sipër emri i partisë apo koalicionit dhe kryetari i saj.