Stela Toska, artizania inovative nga qyteti i Shkodrës, hap dyer e shtëpisë për emisionin “Një nga ne”, një hapësirë ku festa, krijimtaria dhe përkushtimi ndaj të bukurës bashkohen natyrshëm.

Pikërisht duke zbukuruar shtëpinë, zbuloi një tjetër anë të vetes, atë kreative.

“Në shtëpinë time është gjithçka nga dora ime dhe është shtëpia që më ka frymëzuar që të gjej veten. Kam përfunduar studimet e larta për lëndën Biologji-Kimi, por në fakt rrugëtimi im më çoi në një tjetër sferë që është artizanati inovativ.

E fillova rastësisht këtë profesion, tashmë është biznesi im prej 9 vitesh. Kam marrë dhe titullin “Mjeshtër” për këtë profesion dhe jam e lumtur për arritjet e mia”, tregon Stela.

Nga kartolinat unike tek shenjuesit e librave dhe suveniret, kujdeset që të sjellë produkte cilësore dhe unike.

“Faktikisht me të afërmit e mi ka nisur biznesi pasi ato më ndihmonin të kisha ndonjë të ardhur, i këshillonin ndonjë miku pastaj filloi tregu duke u zgjeruar sepse po merrja pjesë në panaire në Shqipëri, Kosovë, Mali i Zi që të promovohesha.

Puna ime është hobi im, është diçka që unë e pëlqej dhe nuk lodhem asnjëherë. Arritje për mua është që jetoj dhe punoj e lumtur. Nuk është punë për mua, është thjesht diçka e bukur që unë merrem gjatë gjithë ditës dhe në fund kënaqem me rezultatin.”, thotë ndër të tjera.

Puna nga shtëpia i jep liri dhe komoditetin ta menaxhojë kohën si do.

“Të punosh nga shtëpia është gjëja më e bukur dhe artizanati e ka këtë luks. Ne gratë kemi qejf të kryejmë shumë procese: të bëjmë për të ngrënë, të lajmë rrobat, të hekurosim, të jetë shtëpia ngrohtë kur vijnë fëmijët dhe unë nuk jam mërzitur kurrë duke punuar nga shtëpia”.

Prej dy vitesh, Stela është gjithashtu e angazhuar në orën e artit në Qendrën Kulturore të Fëmijëve në Shkodër ku arti shndërrohet në lojë, mësim dhe i mban fëmijët larg telefonave dhe botës virtuale.

Emisionin “Një nga ne” mund ta ndiqni çdo të shtunë, ora 13:00 në ekranin e Report Tv.