STAMBOLL - Policia turke ka arrestuar më shumë se 900 persona në dy ditë protesta, në atë që mund të quhet "rebelimi" më i madh në vite. Ministri i Brendshëm, Muammer Guler tha se disa nga të arrestuarit janë liruar, ndërsa të tjerë do të dalin në gjyq.

Sipas tij, 26 policë dhe 53 civilë janë lënduar, njëri prej tyre në gjendje kritike. Dhuna nisi pasi policia ndërhyri për të shpërndarë një grup që protestonin kundër prishjes së një parku në Stamboll. Situata sot ka qenë e qetë, me disa protesta të vogla në disa rrugë të qytetit.

Megjithatë, ekziston mundësia që përleshjet të rikthehen në orët e pasdites. Korrespondenti i BBC-së, James Reynolds thotë se njerëzit janë të lodhur me qeverinë, që sipas tyre, kërkon t’u marrë liritë e pakta personale që kanë.

Kryeministri Recep Tayyip Erdogan është shprehur i gatshëm të flasë me protestuesit, por te këta të fundit, nuk duket të ketë një lider grupi. Amnesty International bëri të ditur se 2 persona kanë humbur jetën dhe 100 të tjerë janë lënduar, megjithatë, këto shifra nuk mund të konfirmohen.

Redaksia Online
(b.y/shqiptarja.com)