9200 metra katrorë në bregdet biznesmenit Florenc Gjikuria për fshat turistik, PD: Ortak i Ramës, qeveria e hoqi nga zonat e mbrojtura hapësirën pyjore

Ashtu si ‘Rikthemelimi’ dy ditë më parë edhe grupi zyrtar u Partia Demokratike në Kuvend e ka akuzuar qeverinë se po i jep pronat më të lakmueshme të Shqiptarisë atyre që ta i quajnë milionerë. Sekretari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, deputeti Arbi Agalliu, në një dalje për mediat ka thënë sot se në një situatë kur vendi po kalon momente të vështira ekonomike qeveria punon çdo ditë vetëm për të bërë milioner një grusht të vogël njerëzish, miq, familjarë apo bashkëpunëtor të Edi Ramës.

Ai i është referuar vendimit të Qeverisë për t’i dhënë kompanisë ‘White Roads Hotel’ me pronar Florenc Gjikuria 9000 metra katror në Dhërmi nga shteti si investitor strategjik.

“Ekzaktësisht në të njëjtën ditë që zyra e tij e propagandës njoftoi luftën e rremë me milionerët, Edi Rama me vendim qeverie vendosi të bëjë milioner me pasurinë tonë publike një oborrtar të tij, duke i falur 9200 m2 pronë në bregdetin e Himarës”, tha Agalliu. Sipas tij Rama më parë e hoqi këtë pronat nga zonat e mbrojtura për t’ia dhënë Gjikurias.

“Me datë 5 Prill 2022 Edi Rama vendosi miratimin e Statusit “Investitor Strategjik” për projektin e investimit “Ëhite Roads Hotel”, në pronësi të kompanisë Gjikuria, në një nga pronat më të lakmueshme në zonën e bregdetit të Himarës, ku parashikohet të ndërtohet një hotel dhe 150 vila.  Këtij vendimi personal të Edi Ramës i kishte paraprirë miratimi i ndryshimeve me VKM Nr. 187, datë 25.3.2021, ku një pjesë e pasurisë publike që do i jepej më vonë kompanisë Gjikuria, pa garë dhe në kundërshtim me ligjin, ishte hequr nga fondi i zonave të mbrojtura të Monumentit Natyror “ Delta e Përroit të Palasës”. Vetëm pas ndryshimit të kufijve të Monumentit Natyror, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura konfirmon se sipërfaqja ku do të zhvillohet projekti ndodhet në afërsi të Monumentit Natyror “ Delta e Përroit të Palasës”, kategoria e III e zonave të mbrojtura, por nuk është më pjesë e zonës së mbrojtur. Për të realizuar qëllimin e tij personal, më datë 29 Korrik 2022, Edi Rama miraton një tjetër VKM, ku transferon për llogari të kompanisë Gjikuria 9200 m2 truall, duke ja vënë në dispozicion pa garë pronën publike për të ndërtuar hotel dhe 150 vila”, tha ai.

Sekretari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike tha se kulmi i abuzimit me ligjin e investimeve strategjike është vendimi i Qeverisë i datës 7 Shtator 2022, ku e gjithë prona publike në bregdet, me sipërfaqe rreth 9200 m2, i dhurohet klientit personal të Edi Ramës vetëm për 1 euro gjithsej.

“Për të favorizuar mikun e tij, për Edi Ramën 9200 m2 në bregdetin e Himarës, pronë e qytetarëve shqiptarë, kushton vetëm 1200 lekë të vjetra. Thënë ndryshe për Edi Ramën, 9200 m2 pasuri e shqiptarëve kushton më pak se 1 kafe në Himarë. Po kush është oligarku i Edi Ramës që ka përfituar 9200 m2 pasuri të shqiptarëve duke i paguar Buxhetit vetëm vlerën e një kafeje në Himarë? Është i njëjti oligark që një vit më parë, më datë 4 Shkurt 2021 ka përfituar statusin investitor strategjik për një tjetër projekt, të quajtur “Coast to Coast”, që gjithashtu parashikon ndërtimin e një kompleksi të përbërë nga 3 hotele, qindra vila rezidenciale, rinovimi i 40 (dyzet) shtëpive tradicionale dhe 1 (një) fermë me prodhimet bujqësore, në një sipërfaqe totale prej 21 ha. Edhe në këtë rast Qeveria parashikon në vendim që ti vendos në dispozicion pasuri të paluajtshme në pronësi të shtetit shqiptar, me qëllim realizimin e strukturës akomoduese turistike. Është i njëjti oligark që Qeveria i ka dhënë me koncesion ndërtimin e rrugës “Orikum – Llogara”, me vlerë rreth 50 milion euro, me vlerë 3 fishi i cmimit në vendet e tjera të rajonit dhe europës. Është i njëjti që në këto 9 vite ka përfituar miliona euro nga tenderat korruptiv dhe klientelist të Edi Ramës”, tha ndër të tjera në deklaratën e tij z. Agalliu.

Ai u shpreh se PD do u provojë shqiptarëve që Edi Rama është në ortakëri me oligarkët që i bën milionerë me pasuritë tona publike.  Kompania ‘White Roads Hotel’ me pronar Florenc Gjikuria ka marrë 9000 metra katror në Dhërmi nga shteti si investitor strategjik. Përmes një vendimi të miratuar ditën e djeshme Këshilli i Ministrave finalizoi kalimin e kësaj sipërfaqeje të toke në bregdetin e Drimadhës me qira simbolike prej 1 euro në favor të projektit të Gjikurisë për ndërtimin e një fshati turistik – pasi i kishte dhënë më parë statusin e investitorit strategjik. Biznesmeni ka marrë statusin e investitorit strategjik nga Komiteti i Investimeve Strategjike pasi do të ndërtojë një hotel dhe 150 vila në fshatin  Gjilekë të Bashkisë së Himarës.

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Iris: 13/09/2022 03:59

    Qeveria ben shejtan budallain./Investitor strategjik/ nenkuptohet dikush qe investon ne projekte te rendesise se vecante,si miniera,HEC te nivelit te gjigandeve te Drinit,centrale berthamore,uzina e fabrika e kombinate si metalurgjiku,apo areporte,apo porte gjigande,apo rruge,ura,tunele,investime ne mbrojtje te nivelit te larte etj.Se si mund te quhet /investim strategjik/ndertimi i nje hoteli e disa vilave,kete vetem fyelli i Surrelit mund e duhet t'a shpjegoje.PD-se i jap te drejte kesaj rradhe.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja