"Aldo Bare", 157 vjet burg Bandës së Lushnjes

ELBASAN (9/28/2001) Mbyllet në qeli e ashtuquajtura Banda e Lushnjes. Gjykata e Faktit në Elbasan ka dhënë dje vendimin e saj përfundimtar për 10 të akuzuarit e Bandës së Lushnjes. 157 vjet burg është vendimi i dhënë dje nga kjo gjykatë për çështjen "Bare", e cila ka startuar në janar të këtij viti. Para disa ditësh prokurorët e çështjes, Dritan Gripshi e Përparim Hasa, kanë dhënë pretencën për 10 të akuzuarit, burg përjetë për Aldo Baren dhe Arben Boriçin, ndërsa për 8 të akuzuarit e tjerë, 116 vjet heqje lirie. Por, vetëm dje, togat e zeza kanë dhënë verdiktin përfundimtar. Pas një konsultimi me kolegët, kryetari i trupit gjykues, Taulant Tafa, ka lexuar vendimin ndaj të akuzuarve për krijim bande të armatosur, vrasje, heqje lirie me torturim fizik, falsifikime, armëmbajtje pa leje, dhunim varresh dhe terrorizëm të mbetur në tentativë. Dënimi maksimal, sipas gjykatës, i takon Aldo Bares, i cili u dënua me 25 vjet heqje lirie, në mungesë për 5 vepra penale; Arben Boriçi, 23 vjet për 3 vepra penale; 22 vjet për Leonard Priftin, për 3 vepra penale. Gjithashtu Gjykata ka dhënë 22 vjet heqje lirie edhe për Ilir Stërgun, i akuzuar për 3 vepra penale. Po ashtu, 20 vjet do të qëndrojë në burg Enver Dondollaku; 17 vjet Erion Çiçi, për 6 vepra penale, dhe 16 vjet Enver Boriçi, i akuzuar për 2 vepra penale. I akuzuari tjetër, Maksim Çela, është dënuar me 10 vjet burg dhe Erion Aliçka është dënuar me 1 vit e 10 muaj. Ndërsa për të akuzuarin e fundit, me origjinë maqedonase, Ysniqemal Ymeri, Gjykata ia ka kthyer dosjen edhe një herë Akuzës, për të rishqyrtuar akuzat. Menjëherë pas dhënies së vendimit, kanë reaguar avokatët e të pandehurve, Vladimir Meçe, Enver Lame, Kozma Jano e Roland Mici, të cilët kanë pohuar për Gazetën, se "ky vendim është absurd, pasi nuk ka prova për akuzat e ngritura", si dhe kanë pohuar që çështjen do ta çojnë në Apel brenda 10 ditëve. Ndërsa prokurorët, të cilët kishin kërkuar burgim të përjetshëm për Baren e Boriçin, janë shprehur se ende nuk janë konsultuar, nëse janë apo jo të kënaqur me verdiktin e togave të zeza. Maratona e seancave ndaj të ashtuquajturës Banda e Aldo Bares ka nisur në janar të këtij viti dhe janë zhvilluar gjithsej 31 seanca, në të cilat kanë deponuar 38 dëshmitarë, pohimet e të cilëve kanë provuar (por edhe hedhur poshtë) akuzat ndaj 10 të akuzuarve, "karriera" e të cilëve nisi në vitin 1997, me vrasjen e vëllait të Alfred Shkurtit (Bare), Ramadanit, në Lushnje.

//Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?



×

Lajmi i fundit

Pr.ligji për nënat surrogate, Tritan Shehu: Shqipëria do kthehet në fermë uterusesh për llogari të grupeve kriminale