Arrestohet Nehat Kulla

(9/19/2001)Bie në pranga Nehat Kulla. Dje në orët e para të mëngjesit në një banesë në lagjen Kodra e Priftit, forca të policisë së Komisariatit nr.1 e kanë arrestuar, pas disa operacionesh të dështuara, 46-vjeçarin Kulla. Kulla, lindur dhe banues në Tufinë, kërkohej që prej majit të këtij viti nga policia. Për ndalimin e Nehat Kullës ka pasur dy urdhra: i pari është ai i datës 9 maj 2001 nga Prokuroria e Rrethit Tiranë dhe i dyti, me një vendim të Gjykatës së Rrethit Tiranë. Kulla është liruar nga burgu në fillim të majit. Po në të njëjtën ditë, në 3 maj, sipas policisë ai ka goditur dhe keqtrajtuar tre gazetarë të cilët kanë kërkuar një intervistë me të. Pas këtij veprimi Kulla është larguar në drejtim të paditur. Ndërkohë vetëm 6 ditë më vonë nga Prokuroria e Rrethit u lëshua një urdhër ndalimi për këtë vepër penale. Pas arratisjes së tij policia ka vazhduar kërkimet, por nuk ia ka arritur qëllimit. Dhe dy operacionet e fundit të kryrera në afërsi të Kafes së Rremës kanë dështuar. Kulla njëkohësisht kërkohej dhe për falsifikim dokumentesh dhe armëbajtje pa leje. Për këto dy vepra penale ai është dënuar nga Gjykata e Lartë me 8 vjet heqje lirie, dënim ky që u dha në 17 maj të këtij viti. Ndërkohë që në Gjykatën e Apelit Kulla u deklarua i pafajshëm dhe doli nga burgu, Gjykata e Lartë la në fuqi vendimin numër 23 të Gjykatës së Faktit, dhënë në 18 janar të këtij viti. Arrestimi i Kullës është kryer dje në orën 05.00, pas një aksioni të forcave të policisë të këtij komisariati, të cilët ndiqnin dy furgona të vjedhur në Kodrën e Priftit gjatë natës. Pas ndalimit të furgonit të parë, policia ka ndaluar dhe furgonin tjetër të dyshuar si të vjedhur. Furgoni i vjedhur i ka zënë rrugën një xhipi, i cili drejtohej nga 46-vjeçari Kulla. Sipas burimeve të policisë, Kulla që gjatë kësaj kohe është strehuar në Shkodër, mëngjesin e ditës së djeshme për arsye private ka udhëtuar drejt Tiranës. Pas 4 muaj kërkimesh dhe operacionesh të dështuara, Kulla në mënyrë "rastësore" ka rënë dje në duart e policisë, ku prej ambienteve të Komisariatit i është dorëzuar burgut, ku edhe do të kryejë dënimin e tij 8-vjeçar.

//Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

O’Brien nesër në Beograd për takime me krerët e Serbisë