Arrestohet killeri me pagesë i doganierëve

DURRES (13/9/2000) Arrestohet në Durrës Klodian Saliu, njeriu që qëlloi mbi fuoristradën e blinduar të ish-drejtorit të Përgji-thshëm të Doganave, duke vrarë Arjan Pajën, atentatorin e kapos së njohur të Beratit, Altin Dardha. Policia kriminale e qytetit bregdetar pas një pune të madhe operative, për gati dy vjet rresht, arriti të bjerë në gjurmët e Saliut, ekzekutor me pagesë i të paktën 7 vrasjeve të bujshme në Durrës dhe rrethinat e tij. Njeriu i shumëkërkuar është prangosur pas një operacioni të shpejtë në të gdhirë të ditës së hënë, në një nga bazat e tij ku strehohej në Durrës. Prangosja e Saliut është një nga aksionet më të suksesshme të policisë gjatë muajëve të fundit, duke pasur parasysh veprimtarinë e pasur kriminale të këtij të fundit dhe rrezikshmërinë publike që paraqiste ai. I riu 24-vjeçar Klodian Saliu është njëri nga ekzekutorët e vrasjes së bujshme në kodrën e Rrashbullit më 29 tetorin e vitit 1998, ku mbetën të vrarë Viron Curri, oficer i doganave, Arjan Paja, për të cilin ende nuk është zbuluar motivi i saktë pse ai është ndodhur në makinën e doganave. Në këtë atentat u plagosën rëndë Marsel Sotiri, oficer i antikontrabandës dhe punonjësi i një lavazhoje pranë vendit të ngjarjes, Arben Jupe. Kjo vrasje e bujshme u cilësua si një hakmarrje e bërë nga bashkëpunëtorët e Altin Dardhës, i cili ishte vrarë në fillimin e shkurtit të atij viti, në periferi të Janinës nga killeri i njohur Arjan Paja. Operacioni Kapja e Klodian Saliut ishte bërë një nga objektivat kryesore të policisë së Durrësit, pas arrestimit të kapos së Vlorës, Gaxhai. Policia kriminale, duke bashkëpunuar me ekspertët e kriminalistikës, kishte mundur të evidentonte gjurmët e gishtrinjëve të Saliut në të paktën 7 vrasje, ndërkohë që, edhe nga dëshmitarë e të dhëna operative mbi këto krime, kishte rezultuar prezenca e 24-vjeçarit. Shefi i policisë kriminale të Durrësit, Arjan Doda, tha se "arrestimi i Saliut u bë i mundur falë punës shkencore të laboratorit kriminalistik, i cili në tre vepra penale të rënda zbuloi gjurmët e tij". Policët kriminalë të Durrësit, pasi siguruan informacionin e saktë të vendndodhjes së tij, bënë rrethimin e zonës dhe në orët e para të mëngjesit të ditës së hënë kryen pa bujë, duke e kapur në befasi të plotë shumë të kërkuarin Saliu, cili nuk pati mundësi të bënte rezistencë. Akuzat Klodian Abedin Saliu, 24 vjeç, akuzohet për të paktën 7 vrasje, dhe përbën një nga kapot e fundit të mbetur në liri në qytetin e Durrësit. Aktiviteti kriminal i Saliut, sipas policisë, ka filluar qysh në vitin 1993, kur në bashkëpunim me shtetasin Oltjon Çyrbja kanë vrarë Klodian Llanin. Në atë kohë Saliu ka qenë vetëm 17 vjeç. Pas kësaj vrasjeje, Saliu mundi t'i fshihej policisë, ndërsa Çyrbja u arrestua. Gjykata e dënoi Çyrbjen me 10 vjet burg, kurse Saliun për shkak të moshës së mitur vetëm me 2 vjet burg në mungesë. Saliu shpëtoi nga ky dënim i gjykatës së Durrësit gjatë amnistisë së bërë nga ish-presidenti Berisha, në trazirat e vitit 1997. Pas amnistisë, Saliu iu kthye aktivitetit të tij në bashkëpunim me persona të tjerë, madje dyshohet se ka kryer edhe vrasje me pagesë. Më 9 korrik të 1998-ës, Saliu akuzohet se ka vrarë shtetasin Dritan Disha, 26 vjeç, nga Shën Vlashi. Ky i fundit u gjet i përgjakur nga plumbat në makinën e tij luksoze tip Benz, në Shëna Vlash. Autori Klodian Saliu, sipas policisë kriminale të Durrësit, gjatë kohës që ka qenë në kërkim nga viti 1993 deri në marsin e vitit 1997, ka qëndruar i fshehur jashtë shtetit, kryesisht në Perëndim. Ai është kthyer pas trazirave të 1997-ës, ku është lidhur me pjesëtarë të bandës së Gaxhait, që u strehuan në qytetin e Durrësit. Policia kriminale e Durrësit ka të dhëna për implikimin dhe lidhjet e Saliut edhe me ish-pjesëtarë të bandës së Altin Dardhës. Madje, për vrasjen e këtij të fundit ai është hakmarrë më 29 tetorin e 1998-ës. Pas kësaj vrasjeje dhe arrestimit të Gaxhait, Saliu mendohet të jetë larguar nga Shqipëria, ku është kthyer gjatë javëve të fundit. Policia kriminale e Durrësit shpreson se duke pasur prova të pakundërshtueshme për krimet e Saliut, të marrë nga ky i fundit informacione edhe për bashkëpunëtorë të tjerë të tij, si dhe për vendndodhjen e tyre. Shpresohet se Saliu mund të çojë hetimet e 7 vrasjeve të dokumentuara nga policia drejt zbardhjes së plotë dhe identifikimit të ekzekutorëve.

//Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Propozimi i PS, a na duhet një reformë e re anti-korrupsion?



×

Lajmi i fundit

Zgjedhjet parlamentare në Maqedoni, Ali Ahmeti: Kemi siguruar 19 mandate