Bashkia do të shpërngulet te Korpusi i Universitetit

(22/3/2002) TIRANE Bashkia e Tiranës do të shpërngulet në ambientet e Korpusit Qendror Universitar. Ditën e hënë të javës që vjen njerëzit të cilët kanë probleme me bashkinë apo kërkojnë ndihmë prej saj, të gjithë drejtuesit e institucionit që i qeveris do t'i gjejnë në sheshin "Nënë Tereza" apo, siç i thuhet në gjuhën e përditshme, tek Universiteti. Shpërngulja e Bashkisë së Tiranës do të bëhet pasi godina do të rikonstruktohet. Firma "Gjikuria", e cila është edhe zbatuesja e projektit për shtesën e Bashkisë, do të bëjë edhe rikonstruksionin e godinës së bashkisë, pjesën më të madhe të së cilës e ka nisur. Gjatë gjithë kësaj kohe në bashki ka funksionuar vetëm gjysma e katit të parë dhe kati i dytë, ku ndodhet edhe kabineti e zyra e kryetarit Rama, ndërsa pjesa tjetër dhe i tërë kati i tretë ka qenë duke u rikonstruktuar. Tanimë që firma është drejt mbarimit të ndërtimit të shtesës anësore, do të nisë edhe rikonstruksionin e bashkisë së vjetër. Shumica e drejtorive kryesore të bashkisë do të shpërngulen në disa ambiente të Universitetit e bashkë me to edhe materialet, dosjet dhe kompjuterat, për të lehtësuar apo përshtatur punën edhe në godinën universitare. Nga ky spostim disajavor nuk do të përfshihet Urbanistika, e cila është vendosur përkohësisht prej disa muajsh tek ish-hotel "Drini". Edhe lëvizja e zyrave të Urbanistikës u krye disa muaj më parë, pasi kati i tretë i bashkisë ku ato ndodheshin, u përfshi në rikonstruksion. Shtesa e re e bashkisë do të ketë tre kate dhe një kat të nëndheshëm, ku do të vendosen mjetet dhe arkivat. Në katin e parë apo, siç quhet, kati përdhes, do të jenë sallat e mbledhjeve të Këshillit Bashkiak, salla e pritjes së popullit dhe ajo e gjendjes civile. Në katin e dytë do të jetë zyra e kryebashkiakut, si dhe kabineti i tij, ndërsa në katin e sipërm do të jetë salla e projektimeve. Sipërfaqja e shtesës së re të bashkisë është rreth 1200 metra katrorë, pra rreth 300 metra katrorë çdo kat.

//Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Kë doni ju që të fitojë zgjedhjet në SHBA?



×

Lajmi i fundit

Harris apo Trump? Kush do të donin shqiptarët të ishte presidenti i SHBA-së! Ja rezultati në sondazhin e Shqiptarja.com! Votoni dhe ju