Ekzekuton kambistin dhe plagos oficerin kriminal

BERAT (6/21/2001) Rikthehen skenat e vrasjeve të 1997-s në qytetin e Beratit. Një kambist ka mbetur dje i vdekur, ndërsa një oficer i Policisë Kriminale është plagosur. Kjo ka ndodhur në mesditë në qytetin e Beratit, kur Mikel Radeshi, banues në këtë qytet, ka vrarë një kambist, Kudret Nelën, si dhe ka plagosur një oficer të Policisë Kriminale. Për arrestimin e tij është mobilizuar gati e gjithë policia e Beratit, si dhe një grup i RENEA-s, i mbërritur nga Tirana. Por çdo gjë ka qenë e kotë, pasi autori ka mundur të largohej. Vrasja Ngjarja ka ndodhur dje rreth orës 13.00, pranë një dyqani ku tregtohen mobilie italiane, rreth 200 metra nga Drejtoria e Policisë së Beratit. Mikel Radeshi, 45 vjeç, banor i lagjes "30-vjetori" ka zbritur nga një veturë dhe, pasi i është afruar kambistit Kudret Nela, 41 vjeç, ka zbrazur mbi të 5 plumba pistolete, 3 në kokë e 2 në gjoks, duke e lënë të vdekur në vend. Në këtë moment, një oficer i Policisë Kriminale, i ndodhur rastësisht në vendin e ngjarjes, Enel Llapushi, 26 vjeç, ka tentuar ta ndalojë vrasësin, duke qëlluar në ajër. Por, sipas Policisë së Beratit, Radeshi i është kundërpërgjigjur oficerit, duke qëlluar mbi të e duke e lënë të plagosur me një plumb në bark. Më pas autori është larguar, duke u fshehur në rrugicat e lagjes "Jani Vrusho". Ndërsa për motivet e vrasjes, as policia nuk ka ndonjë version. Policia Menjëherë forcat të shumta policie kanë rrethuar lagjen dhe kanë filluar kontrollin e të gjitha banesave. Por deri në orët e pasdites nuk është bërë e mundur kapja e tij. Në ndihmë të uniformave blu të Beratit kanë shkuar me helikopter nga Tirana edhe forcat e RENEA-s, të cilat kanë filluar aksionin special. Por duket se ka qenë vonë, pasi edhe aksioni i tyre ka rezultuar i njëjtë me atë të Policisë së Beratit. Deri në orët e mbrëmjes ka vazhduar kontrolli intensiv, por asgjë nuk ka rezultuar pozitive. Më pas, sipas të njëjtave burime policore, forcat e RENEA-s dhe ato të Policisë së Beratit janë tërhequr, pasi ka filluar të bjerë edhe muzgu. Kështu, autori 45-vjeçar i vrasjes dhe plagosjes ka mundur të largohet ose është mbyllur në lagje, në ndonjë vend tepër të fshehtë. Pas kësaj, Policia e Beratit, veç postoblloqeve të ngritura, ka lajmëruar edhe policitë e rretheve fqinje, si dhe ka lajmëruar pikat kufitare në të gjithë vendin, me qëllim ndalimin e tij në rast tentative për t'u larguar jashtë shtetit.

//Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Pas shërimit nga Covid, Biden kthehet sot në Shtëpinë e Bardhë