Hekuran Zhiti, aktori, poeti e dramaturgu i harruar

(28/6/2000)Shtëpia e madhe trekatëshe e Zhitëve, gjendet edhe sot në fshatin Mëlovë, në thellësi të ma leve të Skraparit. Ndonëse jo me shkëlqimin e saj të dikurshëm, ku mblidheshin burrat më me emër dhe famë në të gjithë Jugun e Shqipërisë, ajo qëndron ende aty, por tashmë pa njerëzit e saj që e bënë të njohur dhe i dhanë emrin deri larg në periferitë e Selanikut, në Greqi. Rreth 120 hektarë tokë në fshatin grek Millovo (thuhet të jetë populluar nga skraparllinj) të Selanikut, kanë qenë pronë e kësaj familjeje, e cila deri në periudhën e Monarkisë të Mbretit Zog i ka marrë rregullisht qeranë. Ndërmjet shumë burrave të shquar që bujtnin në konakun e madh të Hasan Zhitit, që nga koha e pavarësisë, ka qenë dhe plaku patriot Sali Butka, shtëpi në të cilën ka shkruar pjesën më të madhe të poezive të tija. Plaku Hasan, patriot e bektashi i kulluar, ndonëse vetë jo shumë i shkolluar, u kujdes që shkolla të mos i mungonte fëmijëve të tij. Kështu, tre djemtë e tij, mbaruan në "Normalen" e Elbasanit dhe në Tekniken e Korçës, të cilat njiheshin dhe ishin ndër shkollat më të lakmuara të asaj kohe. Normalist në Elbasan Hekurani, që ishte fëmija i dytë nga tre djemtë e familjes Zhiti, lindi në atë fshat në vitin 1913. Pasi merr mësimet e para në qytetin e Beratit, ai dërgohet me bursë shtetërore në shkollën e famshme të Elbasanit që njihet ndryshe me emrin "Normalja", të cilën e filloi në vitin 1927. Ndërmjet shumë bashkëmoshatarëve të tij që mësonin në atë shkollë. Hekurani do të zinte një miqësi të ngushtë me Sterjo Spassen e Simon Shuteriqin, miqësi që do ta ruanin deri në vitet e fundit të jetës së tyre. Që në fillimet e tija në këtë shkollë, Hekurani shfaq prirje për të shkruar poezi, të cilat ja tregonte mësuesit të tij Karl Ljarjes (nga Shkodra), i cili e ndihmonte dhe e inkurajonte duke parë tek ai një talent që premtonte shumë. Pasionin për të shkruar, Hekurani e kishte fituar nga babai i tij Hasani, që si bektashi adhuronte dhe njihte mjaft mirë shumë nga poemat e poezitë e Naim Frashërit (në persisht), që i kishte të gjitha në shtëpi. Përveç prirjeve që Hekurani kishte për poezinë, ai shfaq gjithashtu një talent si interpretues për teatrin. Në atë shkollë me punën e insistimin e tij, si dhe me ndihmën e pedagogut Karl Ljarja, ai formoi një grup teatral, i cili filloi të shfaqte pjesë të shkurtra brenda mureve të "Normales", e më pas deri në skenat e improvizuara të qytetit të Elbasanit, ku mblidheshin me qindra njerëz. Një nga bashkëmoshatarët e tij Haki Ballshi, (ish-normalist) në kujtimet e tija shkruan: "E qeshura që të ngjallte ai, kishte me vete optimizmin e jetës, duke rrëzuar pikëpyetjet e kota. Ai ishte Omar Khajami ynë. Por Zhiti me humorin e tij dinte të sillte dhe dimrin në fytyrat e atyre që anonin nga e keqja. Ai kishte një aftësi të çuditshme improvizimi, dhe hipi në skenat e kohës duke luajtur rolet kryesore. Mjafton që të shkruhej nëpër afishe se interpretonte Zhiti, e salla e kinemasë mbushej plot e përplot. Portretin e tij nëpër reklama e shisnin hamejtë e skenës rrugëve të qyteteve, duke u bërë kështu ndoshta një nga aktorët më të njohur në gjithë Jugun e Shqipërisë. Edhe pjesët e huaja si "Martesa me pahir", ai i adoptonte dhe i përshtaste publikut të kohës. Unë s'mund të harroj suksesin e bujshëm në Kavajë, aq sa dhe profesori ynë Vasil Andoni, që bënte punën e suflerit, s'duroi dot dhe nga gëzimi u fut në skenë. Dhe Hekurani për të mos prishur pjesën e futi në rol. "Në revistën "Normalisti" të asaj kohe (2 dhe 3 të vitit 1933), midis të tjerash shkruhej: "Gazi e të përplasunat e duarve ndigjoheshin gjithkah, pse Zhiti ja din mshehtësinë jetës... të gjithë mbetën shumë të kënaqun dhe i luteshin Zhitit që të mos harrojë dhe për vitin tjetër". Takimi me Fishtën Me të ardhurat që mundën të fitonin nga shfaqjet modeste teatrale, që vunë nëpër skenat e Elbasanit dhe të disa qyteteve të tjera, nxënësit e "Normales" bënë një turne nëpër Shqipëri. Në këtë ekskursion të gjatë, që u bë me qëllime njohjeje të vendlindjes, klasa e Hekuranit shkoi dhe në Shkodër, ku u prit në një takim dhe nga poeti i njohur Padër Gjergj Fishta. Lidhur me këtë bashkënxënësi i tij Haki Ballshi përsëri kujton: "Të magjepsur para tij, Hekurani guxoi dhe bëri shaka e Fishta e përgëzoi". Po kështu dhe vetë Hekurani, lidhur me takimin që bëri me poetin e madhë, do të ndalej gjatë në kujtimet e tija, ku midis të tjerave shkruan: "At Gjergj Fishta na zgjati me radhë paketën. Asnjë prej djemëve nuk guxoi të merrte cigaret para pedagogëve. Unë ja mora për t'i bërë qejfin dhe i thashë: "Po e marr, se ma jep ajo dorë që ka shkruar atë poemë të mrekullueshme". Nga ai takim Hekurani do të merrte prej Fishtës si kujtim me autograf Lahutën e Malsisë, të cilën ende familja Zhiti e ruan si një nga reliket e rralla. Nisur nga talenti i madh i Zhitit dhe nga admirimi që kishin nxënësit e pedagogët e "Normales" për të, në fundin e vitit shkollor 1932, ata i dërguan një letër Mbretit Zog që ta çonte atë për studime në një shkollë teatri në Itali, gjë e cila nuk u realizua dot. Po në vitin 1932, pas vrasjes së Riza Cerovës (mikut të familjes Zhiti), Hekurani shkroi një elegji, të cilën e interpretonte vetë. Nga kjo gjë ai u arrestua si antimonarkist dhe lirohet përsëri. Pas mbarimit të "Normales" së Elbasanit, Hekurani merr diplomën dhe emërohet mësues në Roskovec të Fierit e në fshatrat e minoritetit (Pogon), ku jep mësim për tre vjet. Hekurani ishte një nga intelektualët e asaj kohe që kundërshtuan pushtimin fashist të Shqipërisë. Ai shkroi një poezi për 7 Prillin, e cila për dhjetëra vjet ka qenë në librat e këndimit të klasave të ulëta, por anonime pa emrin e tij. Shkruan poemën e famshme Në vitet e pushtimit të Shqipërisë, Hekurani ishte mësues në Berat, ku bënte një jetë aktive intelektuale. Ai kishte një miqësi të ngushtë me profesorët Abaz Ermenji e Sejfi Protopapa (sot fizikant në SHBA). Në atë qytet Hekurani drejton jetën artistike dhe shkruan shumë prozë, poezi dhe skeçe e pjesë teatrale që i vë vetë në skenë. Hekurani si rrallë njeri në atë kohë, kishte miqësi të ngushtë dhe me krerët e Ballit Kombëtar ashtu dhe me komunistët. Ai luftën në mes tyre e quante një fatkeqësi dhe tragjedi kombëtare. Ai shkonte dhe merrte pjesë në varrimet e të vrarëve që bëheshin nga të dy kampet kundërshtare, nacionalistët e komunistët, ku lexonte elegjitë që i shkruante enkas për ta. Në një rast Hekurani ndërhyri pranë krerëve të Ballit në Berat për të liruar një komunist, pasi kishte marrë më parë letër nga Mit'hat Frashëri. Xhandari Pjetër Gurakuqi që i dorëzoi komunistin e kapur, kur pa letrën e Mit'hatit, iu drejtua atij: "Dëgjo Hekuran, po ta kapin partizanët Mit'hatin do ja këpusin gjuhën". Në një nga poezitë e tija të shkruara në atë kohë, në të cilën përshkruan luftën vëllavrasëse, ai shprehet "...Gur e pllaka janë skuqur, faqe tokës është vaditur/ Ulurin shgab` e Tomorrit mbi fatosat që janë shtritur/ këtë gjak që kam në gji, do t'a çoni në Oqeanë/ Që ta shohë gjithë bota, sesa gjak shpien lumenjt t`anë...". Në atë kohë njëri nga vëllezërit e tij (Ahmeti) kishte dalë partizan, kurse Hekurani largohet prej komunistëve. Midis të tjerave, shkak për këtë gjë u bë dhe një poemë që shkroi ai dhe që konsiderohet nga më të famshmet e asaj kohe. Kjo poemë, që do të bëhej dhe shkaku i mëvonshëm i arrestimit të tij nga komunistët, titullohej "Përqafimi i dy kundërshtarëve". Subjekt i saj ishin dy vëllezër, njeri me ballin e tjetri komunist, që vriten midis tyre dhe ashtu pa dhënë shpirt përqafohen. Kjo poemë, konsiderohet e rrallë për atë kohë, sepse kudo që shkruhej njëra palë sulmonte tjetrën, kurse ai aty bën thirrje për pajtim. Kjo poemë asokohe pati një jehonë të madhe në rrethet nacionaliste dhe u botua e ribotua në shumë gazeta si "Oshëtima e Korçës" (nr.1. shkurt 1944), "Luftëtari i Lirisë" etj. Ajo ishte një poemë dramatike, që u vu në shumë skena deri në kinema "Kosova" në Tiranë. Ndërsa ajo poemë bënte thirrje për pajtim, komunistët e partizanët kishin urdhër që ku ta shihnin ta digjnin. Asokohe në Berat, Hekurani shkroi me dhjetëra pjesë teatrale, ku shumë prej tyre i vuri në skenë, duke interpretuar vetë. Nga këto që kishin më shumë sukses ishin: "Krismat për Liri", "Të falimentuarit", "Plagët e Shqipërisë", "Dramë për Kongresin e Lushnjes", "Shakaxhi e batakçinj" etj. Nga kulmet e krijimtarisë së tij konsiderohet drama "Nusja memece", ku ai interpretonte vetë rolin kryesor. Arrestimi, vëllanë ja vrasin Pak kohë para mbarimit të luftës, Hekuranit i bënë thirrje që të largohej nga Shqipëria, bashkë me shumë nacionalistë të tjerë, sepse komunistët e cilësonin atë si të humbur. Ai nuk u largua, duke pasur dhe besim se nuk do ta ngacmonin, sepse vëllai i tij (Ahmeti) zbriste nga malet bashkë me të fituarit. Ai qëndroi në Berat, ku vazhdoi të shkruaj dhe pjesët e tija jepeshin nga Radio-Berati (qendër zëri e partizanëve). Ai kishte një miqësi të ngushtë me Vexhi Buharanë (orientalistin e famshëm) dhe Mustafa Greblleshin, me të cilët kalonte pjesën më të madhe të kohës. Pas zgjedhjeve të para të pasluftës, Hekuranit i arrestojnë vëllanë e madh (Maksutin) që ishte mësues, duke e akuzuar: "Të përzier me grupin e deputetëve". Ai vdes në tortura, duke e hedhur nga shkallët e hetuesisë në Berat. Pas kësaj Hekuranin e heqin nga puna dhe e caktojnë punëtor në një magazinë duhani. Më pas në 1946 arrestohet dhe ai, e torturohet çnjerëzisht. Atë e akuzojnë për poemën e famshme, e cila, sipas tyre, ju kishte bërë shumë dëme gjatë luftës dhe se e kishin lënë aty me mision Abaz Ermenji e Mit'hat Frashëri. Pas më shumë se një viti e gjysmë e lirojnë, duke e shpallur të padëshirueshëm për në Berat. Ai së bashku me gruan dhe dy fëmijët e vegjël, largohet e shkon në Durrës, ku gjen strehë në një magazinë dhe fillon punë si hamall në port. Por dhe pas kësaj e diktojnë dhe e heqin nga porti, objekt strategjik, dhe detyrohet të punojë në komunale, duke shtruar rrugë. Në estradën e Lushnjes Asokohe dy nga miqtë e Hekuranit, shkrimtarët e njohur Nonda Bulka e Petro Marko, me përkrahjen dhe të Karehman Yllit ndërhyjnë që ai të punonte tek revista "Hosteni". Kjo gjë nuk ju pranua, por u lejua që të punonte si mësues ne Karbunarë të Lushnjes. Në atë fshat, ai filloi të përgatiste grupet artistike, gjë e cila u bë shkas ta thërrisnin në Lushnje, ku do të hapej Estrada profesioniste e këtij qyteti. Hekurani u bë një nga themeluesit e kësaj Estrade, së bashku me Fotaq Filipeun (pianistin e famshëm që kishte shoqëruar Tefta Tashko Koçon në turnetë e saja para lufte nëpër Shqipëri), i cili sapo kishte dalë nga burgu politik. Në atë Estradë së bashku me Zhitin do shënonte dhe fillimin e karrierës së saj artistike e famshmja Vaçe Zela, dhe Xhosho Vasija (aktori i njohur shkodran), pasi ishte i internuar në fshatrat e Lushnjes. Hekurani punoi si aktor profesionist pranë asaj estrade që nga krijimi i saj në 1961-in, e deri sa e nxorrën në pension të detyrueshëm në vitin 1972, kur filloi goditja ndaj shfaqjeve të huaja dhe liberalizmit. Gjatë gjithë atyre viteve, ai qëndroi si në gjëmba, pasi i përmendej biografia (pas letrave anonime të shumta) dhe i kujtoheshin poezi që nuk kishin partishmëri. Ai interpretoi aty me dhjetëra role në skeçe të ndryshme, shumë nga të cilat i shkruante vetë. Gjatë një turneu në Korçë, ai tërhoqi vëmendjen e regjisorit Pirro Mani, i cili kërkoi që ta merrte në Tiranë, duke e ndërruar me çfarë të dëshironin ata të Lushnjes. Ajo gjë nuk ishte e thënë të bëhej, pasi Manit i kujtuan biografinë e njeriut që ai kërkonte. Në atë vit që e nxorën në pension, ai shkroi dramën "Kongres mbi baltë", kushtuar Kongresit të Lushnjes, por që nuk arriti dot ta vinte në skenë. Po kështu shkrimtari i njohur Mojsi Zaloshnja tentoi që t'i botonte librin "Magazinierët e matematikës", por nuk e lejuan, pasi kërkohej leje nga lart, ndonëse disa poezi të tija ishin futur në librat e folklorit si anonim. Djali në burg politik, vdes i verbër Në atë kohë, kur atë e larguan nga Estrada, dy fëmijëve të tij nuk iu dha e drejta që të shkonin në Universitet. Më pas vetëm njëri nga fëmijët e tij, Visari mundi që të mbaronte për Gjuhë-Letërsi në Shkodër. Pas largimit nga estrada, ai vetëmbyllet në shtëpi i dëshpëruar. Dy djemtë ja pushojnë nga puna dhe të tretin Visarin që ishte mësues në Kukës, ja dënojnë me dhjetë vjet burg politik, pasi kishte shkruar poezi dekadente. Ai ishte goditur rëndë, ndoshta atje ku nuk e priste. I verbuar dhe pa ndihmë, vdiq nga goditjet që pësoi në vitin 1989. I konsideruar si armik, në varrimin e tij munguan përfaqësuesit zyrtarë dhe njerëzit e artit (ishte vetëm Fotaq Filipeu). Fjala e lamtumirës aty u mbajt nga një njeri i thjeshtë që ishte punëtor ferme. Një nga shokët e tij të vjetër (Haki Ballshi) i goditur si ai, kujtoi një nga poezitë e Hekuranit ku thuhej. "... Si të gjithë të shikoja / Pa çdo gjë do ta duroja / Ah kështu, pra qënka thënë, / të mos shoh as diell as hënë...".

//Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Rikthehet panairi ditët e bujqësisë në Lushnje! Mbledh aktorët më të rëndësishëm të bujqësisë në vend dhe rajon