Kapet në Itali korçari me kokainë

(14/3/2002)ITALI Eshtë arrestuar në Itali, me 3 kilogramë kokainë korçari Mile Spase, ndërkohë që udhëtonte me trenin ndërkombëtar Montecnis. 38-vjeçari, i cili jetonte në provincën e Novarës, është zbuluar nga forcat e Guardia di Finanza me komandant Giorgio Troiese. Droga ishte ndarë në 11 pako të vogla dhe ishte fshehur mirë në një çantë udhëtimi. Sipas të dhënave që ka mbledhur më pas policia italiane, i arrestuari bën pjesë në një organizatë të madhe, e cila merret me trafikimin e lëndëve narkotike duke shfrytëzuar pikërisht transportin automobilistik ose atë të rrugëve të hekurta. Pas sekuestrimit të drogës një grup tjetër policor ka kontrolluar menjëherë shtëpinë e Spases si dhe disa banesa të shqiptarëve të tjerë, miq ose fqinj të tij. Gjatë kontrollit të ushtruar në shtëpinë e Spases hetuesit kanë zbuluar edhe një sasi të konsiderueshme parash të pista, të cilat ishin bërë gati për t'u ricikluar. Gjithashtu mes tyre ka qenë edhe një dokument me anë të të cilit zbuloheshin shumë detaje se si funksiononte organizata e cila gjithnjë sipas mediave italiane e ka qendrën në Korçë. Në fakt Spase është me kombësi maqedonase dhe me shtetësi shqiptare. Ai jeton pikërisht në zonën e Liqenasit, në Korçë. Organizata në të cilën bënte pjesë Mile Spase e trafikonte drogën në Itali, duke bërë rrugën Francë-Hollandë. Kjo nuk është hera e parë gjatë këtyre muajve të fundit që sektori i Guardia di Finanza, e zonës Bardonecchia kryen aksione shumë të suksesshme. Në përfundim të këtyre aksioneve janë sekuestruar sasira të konsiderueshme droge si dhe janë arrestuar disa korrierë, të gjithë shqiptarë. Pas arrestimit të fundit policia po vazhon intensivisht hetimet për të zbuluar komponentët e tjerë të kësaj organizate. Meqenëse zona në të cilën u krye arrestimi duket se është një nga qendrat që përdoret nga trafikantët shqiptarë, forcat e Guardia di Finanza kanë marë masat duke shtuar agjentët e specializuar në luftën kundër narkotikëve. Kohët e fundit Frejus, tuneli i Malit të Bardhë që lidh Italinë me Francën, është kthyer në rrugën e preruar nga trafikantët e drogës.

//Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Skandali tek Onkologjiku, e kujt është përgjegjesia?



×

Lajmi i fundit

E ardhmja e PD-së/ Nesturi: A do tërhiqet Berisha ndonjëherë? Luan Baçi: Ne morëm vulën, askush nuk u ndie