Kush janë tre gjyqtarët e procesit të vrasjes së Azemit

TIRANE (21/3/2001) Arben Micko është gjyqtari që do të kryesojë procesin gjyqësor të vrasjes së Azem Hajdarit. Në një atmosferë jo fort të qetë, mëngjesin e djeshëm, gjyqtarët e mbetur penalistë kanë hedhur shortin për këtë dosje, e cila tashmë e ka drejtuesin e saj në maratonën gjyqësore. Ndërsa anëtarët e tjerë të trupit gjykues të zgjedhur dje janë Ilir Mustafaj dhe Ilir Çeliku. Kryetari i këtij trupi gjykues, Arben Micko, drejton procesin e 14 shtatorit, grupin e parë. Prej më shumë se një viti e gjysmë, ky proces shtyhet dhe zvarritet. Numri i seancave të zhvilluara e të pazhvilluara është rekord, megjithëse datat midis tyre vendosen qëllimisht shu-më larg njëra-tjetrës. Por gjyqtari Arben Micko ka në sirtarët e tij edhe dosjen e famshme të Genc Ferhatit, person ky i akuzuar për vrasjen e Medion Shehut dhe Denis Ginës. Edhe kjo dosje ka pësuar të njëjtin fat me atë të 14 shtatorit. Seanca që shtyhen pambarimisht, dëshmitarë që thirren e nuk vijnë dhe në të njëjtën kohë ndaj tyre nuk merret asnjë masë për t'i sjellë në Gjykatë. Një nga dosjet tjera të rëndësishme, që ka gjykuar Micko, është edhe vrasja e Lundrës, ku ai i ka dhënë pafajësinë Arben Grorit, person i akuzuar si bashkëpunëtor në vrasjen e dy shtetasve. Ndërsa gjyqtari Mustafaj nuk ka shumë kohë që ka përfunduar procesin gjyqësor ndaj të pandehurit Nehat Kulla dhe Ismet Ramadani. Nehat Kulla është dënuar vetëm me 12 vjet heqje lirie për akuzat e armëmbajtjes pa leje dhe fallsifikimit të dokumenteve, ndërsa akuzat e rënda ndaj tij si vrasjet me paramendim, tentativa për vrasjen e tetë policëve etj., janë hedhur poshtë nga trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Mustafaj. Anëtari tjetër që do të marrë pjesë në gjykimin e dosjes "Hajdari" është Ilir Çeliku. Ky gjyqtar ka në dorë procesin gjyqësor të ngritur ndaj Leka Zogut, me akuzën e kryengritjes së armatosur. Dosja e vrasjes së Azem Hajdarit u dorëzua në gjykatë fundin e javës së shkuar, pas deklarimit të mbylljes së hetimeve nga organi i akuzës, megjithatë kjo është vetëm njëra pjesë e punës, pasi hetimet vazhdojnë për gjetjen e bashkëpunëtorëve të tjerë në vrasje.

//Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Këshilli Bashkiak miraton projektin e ri “Ecole 24”: Kurse falas në teknologji për të rinjtë