A do dalë Evi Kokalari në protestën e sotme të Sali Berishës?

A do dalë Evi Kokalari në protestën e sotme të Sali Berishës?

Grenell dhe Evi Kokalari

Prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës, aksionet protestuese në Shqipëri kundër politikave ekspansioniste të Serbisë në rajon i nisi Lëvizja Vetëvendosje!, më 8 maj 2019, në vizitën e Vuçiçit në Tiranë. Motivet dhe synimet tona ishin të pastra: dëshironim të rrisnim vetëdijen në Shqipëri mbi faktin se Serbia nuk kishte ndryshuar dhe se Shqipëria e Kosova duhet të kishin një politikë të jashtme të përbashkët, veçanërisht përball Serbisë e për të zbrapsur përpjekjet e saj për ekspansion në kurriz të shqiptarëve dhe popujve të tjerë të Ballkanit.

Kërkuam drejtësi për gjenocidin në Kosovë të kryer nga qeveria ku Vuçiç ka qenë ministër informacioni. Kërkuam kthimin e të pagjeturve, dëmshpërblimet e luftës, njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe kërkim-falje nga ana e Serbisë.

E shpallëm Vuçiç “non-grata” në Shqipëri dhe kërkuam bashkim kombëtar. Aksionet protestuese me të njëjtat kërkesa i përsëritëm edhe në vizita të tjera të Vuçiçit në Tiranë.

Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri aktualisht ka mbetur pezull, dhe si duket mund të ketë nevojë të gjenden mënyra të tjera për të mbrojtur të njëjtat kauza.

Sali Berisha ka thirrur protestë kundër “Open Balkan”, që zhvillohet nesër gjatë vizitës së Vuçiçit në Tiranë.

Është e qartë se kemi të bëjmë me të njëjtin Berishë që e mbështeti “Open Balkan” në shtator të vitit të kaluar në pseudo-marrëveshjen e Ëashingtonit, kur këtë marrëveshje e çoi përpara Presidenti Trump bashkë me Richard Grenell.

Është e qartë se Berisha nuk e hedh poshtë atë pseudo-marrëveshje ku Kosovës iu imponua “Open Balkan”, sepse Richard Grenelli me Evi Kokalarin i kanë premtuar Berishës se do ia anulojnë statusin “non-grata” nëse Trump rikthehet në pushtet.

Por ata nuk kanë premtuar se do anulojnë “Open Balkan” nëse Trump rikthehet në pushtet.

Është pra e qartë se më shumë sesa kundër Serbisë e për bashkim kombëtar, Berisha këtë protestë po e zhvillon për të mbrojtur veten dhe familjen që i është shpallur “non-grata”, për të rritur legjitimitetin përballë Bashës e Ramës, e për të treguar se opozitën në Shqipëri tashmë de facto e drejton ai.

Po mos të ishte kështu, po mos ta kishte hallin te “non-grata” ndaj tij, atëherë tashmë Berisha do duhej të ishte distancuar edhe nga Grenelli dhe enturazhi i tij, si Evi Kokalari, që janë mburrur për marrëveshjen e Washingtonit e për “Open Balkan” – por këtë të fundit e futi madje në minutë të fundit edhe në “Komisionin e Rithemelimit” të PD-së.

Duke i pasur të gjitha këto të qarta, megjithatë, Vuçiç po vjen në Tiranë bashkë me politikat e tij ekspansioniste, dhe tjetër protestë ndaj tij nuk është thirrur përveç asaj që ka thirrur Sali Berisha kundër binomit “Rama-Vuçiç”.

Kështu, shqiptarët mbeten sërish në dilemën e pjesëmarrjes ose jo në një protestë të drejtë të organizuar e drejtuar nga njerëz me motivet e gabuara.

Dhe për këtë, fajin e kemi vetë!

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë