A do të mund të realizohet votimi nga jashtë për zgjedhjet e ardhshme për Kuvend të parashikuara për vitin 2025?

A do të mund të realizohet votimi nga jashtë për zgjedhjet e ardhshme për Kuvend të parashikuara për vitin 2025?

Foto ilustruese

Prej përgjegjësisë që kemi si institucion për përgatitjen dhe administrimin e zgjedhjeve në Shqipëri, por edhe prej interesit qytetar që kemi, jemi nxitur për të zhvilluar këtë diskutim mbi të ashtuquajturin “votimi nga jashtë” me pjesëmarrjen e të gjithë palëve të lidhura, apo të interesuara në këtë proces.

Pyetja është, a do të mund të realizohet votimi nga jashtë për zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme për Kuvend të parashikuara për në vitin 2025?

Përgjigja ndaj kësaj pyetje duhet të marrë në konsideratë çfarë realiteti ligjor dhe politik kemi sot, si dhe pritshmëritë për këto realitete në të ardhmen. Në mbyllje të sesionit të verës të vitit 2020 Kuvendi i Shqipërisë miratoi disa ndryshime në Kodin Zgjedhor sipas të cilave për herë të parë në Shqipëri u parashikuan norma ligjore në lidhje me votimin nga jashtë vendit.

Këto dispozita nuk përcaktonin as më shumë dhe as më pak se (i) votuesit me banim jashtë territorit të Republikës kanë të drejtë të votojnë atje ku ata kanë vendbanimin dhe (ii) se është KQZ institucioni përgjegjës jo vetëm për zhvillimin dhe administrimin e këtij procesi, por edhe për të nxjerrë aktet e nevojshme nënligjore.

Akte të cilat në fakt do të duhej të përcaktonin rregulla mbi: (i) si do të bëhej regjistrimi i atyre që banojnë jashtë terriorit dhe duan të votojnë atje ku ata banojnë, (ii) kushtet dhe kriteret që e kualifikojnë një votues si të tillë, (iii) mënyrat e votimit dhe mbi (iv) përllogaritjen e mandateve prej votave nga jashtë.

KQZ u riformatua në tetor të vitit 2020. Zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë ishin në Prill 2021. Pra këtij institucioni, brenda një peridhe më pak se 6 mujore i duhej të (i) miratonte gjithë aktet nënligjore si dhe (ii) të përgatiste më pas gjithë infrastrukturën teknike e njerëzore për realizimin e votimit nga jashtë.

Edhe pse ne i bëmë të gjitha përpjekjet për të patur konsensus midis partisë në qeveri dhe opozitës për miratimin të paktën të akteve nënligjore, nuk ia dolëm që ato t’i miratonim. Kjo edhe për shkak të kohës së kufizuar që të gjithë patëm në dispozicion.

Rrjedhimisht edhe në zgjedhjet e 25 prillit 2021 votuesit shqiptarë me banim jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë nuk mundën të votonin atje ku ata kanë vendbanimin.

Gjykata Kushtetuese me vendimin nr.38 datë 09.12.2022 në përfundim të shqyrtimit të një kërkese të Shoqatës “Diaspora për Shqipërinë e Lirë” vendosi:

Pranimin e pjesshëm të kërkesës.

Konstatimin e cenimit të së drejtës kushtetuese të votës së emigrantëve në zgjedhjet për Kuvendin, për shkak të boshllëkut ligjor.

Detyrimin e Kuvendit për plotësimin e boshllëkut ligjor brenda një viti.

Pushimin e gjykimit lidhur me urdhrin nr. 219, datë 19.04.2021 të Ministrisë së Shëndetësisë.

Pra sipas vendimit të GJK, Kodi Zgjedhor në fuqi ka boshllëk, boshllëk i cili pengon realizimin e votimit nga jashtë. GJK ka ilustruar në arsyetimin e  saj edhe se ku konsistojnë këto boshllëqe. E për plotësimin e tyre GJK ka vendosur detyrimin për Kuvendin t’i plotësojë këto ndryshime brenda një viti, pra brenda datës 09 dhjetor të këtij viti.

A do ta përmbushë Kuvendi i Shqipërisë këtë urdhërim të GJK? Unë këtë nuk e di.

A është i detyruar Kuvendi ta përmbushi këtë urdhërim të GJK? Unë mendoj se “Po”.

Çfarë ndodh nëse Kuvendi nuk e përmbush këtë urdhërim të GJK?

Natyrisht që për Kuvendin nuk ka ndonjë sanksion nëse nuk zbaton vendimin e GJK. Por nga ana tjetër, të paktën në vlerësimin tim, duhet të kuptohet se votimi nga jashtë nuk do të jetë i mundur të realizohet për sa kohë që nuk do të plotësohen boshllëqet në Kodin Zgjedhor. Dikush mund të ketë një interpretim dhe kuptim tjetër mbi atë që ka konstatuar dhe mbi atë që ka urdhëruar GJK.

Unë nuk besoj se një kuptim tjetër i vendimit të GJK qoftë ky “kuptim” edhe me konsensus të plotë politik dhe partiak, pozitë-opozitë, do t’i hapte rrugën realizimit të votimit nga jashtë.

Për mendimin tim amendimi i Kodit Zgjedhor është hapi i parë dhe sine qua non për të mundësuar votimin nga jashtë në vitin 2025.

Ndaj për sa institucionalisht si KQZ e kemi të mundur dhe të lejuar, i nxisim pozitë dhe opozitë të dakordësohen mbi ndryshimet e kërkuara të Kodit Zgjedhor në lidhje me votimin nga jashtë.

Është me rëndësi që rregullat mbi (i) regjistrimin e votuesve nga jashtë, mbi (ii) mënyrën e votimit dhe (iii) mbi numërimin e votave, nxjerrjen e rezultatit zgjedhor e përcaktimin e mandateve fituese nga votuesit nga jashtë të miratohen sa më shpejt, mundësisht brenda këtij vitit, ashtu sikurse GJK urdhëron.

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Ilirjan: 03/11/2023 12:05

    A sjellin parà emigrantet,po ato kane rendesi.As ska pse te votojne,as femijet qe lindin nga emigrantet skane pse tu japim shperblim.Shqiperia është vetem e atyre qe jane ne Shqiperi.Emigrantë...rrini andej nga jeni e mos na merzisni shumë,kjo eshte tokë e zanun.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Jakin Marena: Kujt i duhej ‘sakrifica’ e Gjekmarkajt në prag të Natës së Krishtit?!

Jakin Marena: Kujt i duhej ‘sakrifica’ e Gjekmarkajt në prag të Natës së Krishtit?!