Me ardhjen e sezonit veror gjithnjë e më shumë për shkak të vapës frekuentohen pishinat dhe deti, por asnjëherë nuk jemi të sigurtë për cilësinë e ujit duke qenë gjithnjë të ekspozuar ndaj infeksioneve të shumta, sëmundjeve të lëkurës, alergjike, mykotike dhe jo vetëm. Një prej dilemave që na shoqëron pas larjes dhe notit në det është fakti nëse duhet të qëndrojmë për një kohë të gjatë me trupin e lagur me ujë me kripë apo jo. Këtë përgjigje na e dha mëngjesin e sotëm dermatologia Eva Jorgaqi gjatë bisedës në studion e "Rreze Dielli" në Report Tv
"Kripa e detit ose solucionet fiziologjike, nuk është se duhen mbajtur gjatë në trup. Edhe për detin janë të njëjtat probleme që janë edhe për pishinën. Mbajtja gjatë e ujit të detit mund të shkaktojë dermatit irritativ. Kripa mund të shkaktojë probleme, kështu që unë nuk shoh ndonjë arsye për ta mbajtur aq gjatë.",- tha dermatologia Eva Jorgaqi në studion e "Rreze Dielli".
Një prej problemeve të lëkurës që i shqetëson më së shumti individët është edhe myku. Sipas dermatologes ato vijnë zakonisht për shkak të lagështisë së trupit, ndaj edhe duhet të tregojmë kujdes.
"Sëmundjet mykotike zakonisht preferojnë palat e lëkurës, nën sjetulla, poshtë gjoksit, intertrigot, në hapëirat mes thonjve, apo gishtave të këmbëve. Ato vijnë zakonisht kur ne bëjmë banjë, por nuk thahemi mirë, lagështira e trupit e favorizon shfaqjen me pruri për një kohë të gjatë. Problemi shikohet që është evident për një kohë të gjatë tek thonjtë apo lëkura. Atëherë ne i drejtohemi mjekut, sepse ka disa lloje myku. Direkt pas ekzaminimit fillojmë edhe trajtimin.",- U shpreh dermatologia Jorgaqi.