Kriza e Washington Post ka bërë më shumë zhurmë se të tjerat, sepse bëhet fjalë për gazetën e kryeqytetit amerikan, e njohur historikisht për rolin në skandalin Watergate që çoi në dorëheqjen e presidentit Richard Nixon në vitin 1974. Sot ajo është në pronësi të Jeff Bezos, themeluesit të Amazon, i cili është akuzuar se kërkon të afrohet me president Donald Trump dhe se po dobëson qëndrimin kritik të gazetës ndaj tij.
Në fillim të shkurtit 2026, Washington Post njoftoi shkurtimin e rreth një të tretës së stafit, përfshirë qindra vende pune në redaksi. U prekën sektorë si sporti, librat dhe një pjesë e mbulimit ndërkombëtar. Masa u paraqit si ristrukturim për ta bërë gazetën financiarisht të qëndrueshme.
Para shpalljes së shkurtimit, disa gazetarë i kërkuan publikisht Bezos të ndërhynte. Ai nuk reagoi. Sindikata e punonjësve foli për “zbrazje” të gazetës dhe paralajmëroi rënie të cilësisë dhe besueshmërisë. Disa përfaqësues sindikalë thanë se nëse pronari nuk dëshiron më të investojë në misionin e saj, gazeta meriton një pronar tjetër.
Edhe ish-drejtori Martin Baron e quajti situatën një nga momentet më të errëta në historinë e gazetës.
Por kriza nuk ka nisur tani. Ajo ka prekur shumë media të tjera amerikane.
Në janar 2024, Los Angeles Times shkurtoi të paktën 115 vende pune, mbi 20% të stafit gazetaresk, përballë humbjeve vjetore prej 30–40 milionë dollarësh. Gazeta që dikur rivalizonte me New York Times për rrjetin e korrespondentëve ndërkombëtarë, prej kohësh kishte humbur peshë.
Boston Globe, i njohur për hetimet mbi skandalet e abuzimeve në kishën lokale, shihet si një nga rastet më të suksesshme të kalimit në modelin digjital. Megjithatë, tirazhi i printuar ka rënë me mbi 50% krahasuar me periudhën para pandemisë, ndërsa rritja e abonimeve digjitale është ngadalësuar.
Chicago Tribune, nën kontrollin e fondit Alden Global Capital, është bërë simbol i kritikave ndaj fondeve që akuzohen se “shtrydhin” redaksitë. Në vitin 2024, gjatë një greve, u kujtua se stafi kishte rënë nga mbi 100 gazetarë në më pak se 80.
San Francisco Chronicle u përball herët me krizën digjitale, për shkak të vendndodhjes në zemër të Silicon Valley. Që në vitin 2007 njoftoi shkurtime të mëdha, ndërsa vitet në vijim vazhduan largimet vullnetare për të ulur kostot.
Ndër të paktët që po investojnë është Rupert Murdoch, i cili ka zgjeruar modelin e New York Post me një gazetë të re në Kaliforni, California Post, në print dhe online, me akses falas. Projekti shihet si përpjekje për të mbushur boshllëkun e lënë nga dobësimi i redaksive tradicionale dhe ka edhe një profil politik të djathtë.
Situata është edhe më e rëndë në mediat lokale. Në 20 vitet e fundit, gati 40% e gazetave lokale në SHBA janë mbyllur. Vetëm vitin e fundit janë mbyllur mbi 130. Shumë zona janë kthyer në “shkretëtira informacioni”, pa mbulim të besueshëm lokal. Nga viti 2005 deri në 2025 janë zhdukur rreth 365 mijë vende pune në gazetari.
Arsyet janë të njohura: rënia e të ardhurave nga reklamat për shkak të platformave si Google dhe Meta, ulja e abonimeve tradicionale, vështirësia për të monetizuar përmbajtjen online dhe zhvendosja e publikut drejt rrjeteve sociale.
Por ka edhe zëra kritikë brenda vetë medias. Gerard Baker, ish-drejtor i Wall Street Journal, shkroi një editorial me titull provokues: “Kërcënimi më i madh për gazetarinë? Gazetarët.”
Sipas tij, rënia e besimit të publikut nuk mund t’u faturohet vetëm pronarëve apo presionit politik. Ai argumenton se raportimi i njëanshëm dhe përzgjedhja selektive e temave kanë dëmtuar seriozisht besueshmërinë.
Baker pranon se sulmet e president Donald Trump ndaj medias janë shqetësuese, por shton se ato funksionojnë pikërisht sepse besimi i publikut ishte dobësuar më herët.
Ai përmend si shembuj mënyrën si janë trajtuar çështje si Russiagate, Black Lives Matter dhe emigracioni, duke argumentuar se mediat shpesh kanë zgjedhur çfarë të theksojnë dhe çfarë të lënë jashtë.
Sipas tij, tregu mediatik amerikan është ende i gjallë, por thellësisht i polarizuar. Problemi kryesor, thotë ai, është se në momentin kur vendi ka më shumë nevojë për një shtyp të besueshëm që të kontrollojë pushtetin, besimi i publikut është shpërdoruar./CorrieredellaSera
Komente










