Kur Fran Frrokaj fitoi bashkinë e Lezhës në verën e vitit 2015, për “Rilindjen” që vinte pas suksesit elektoral të 2013-s, dhe që doli edhe me triumfuese në zgjedhjet lokale të atij viti, ishte thuajse një e papritur, që pas dominimit në Shqipërinë e jugut dhe atë qendrore, kufiri i pari që hasi drejt veriut ishte pikërisht ai i bashkiseë së Lezhës, pasi edhe Kruja e Kurbini ishin fituar nga të majtët dhe këta të fundit konkurronin edhe në Lezhë të bashkuar kundër PD-së.

Por me skandalin e sotëm të abuzimit të pronave në bregdet, që kulmoi me arrestimin e “shpëtimtarit” të së djathtës Frrokaj  dhe të një pjesë të madhe të zyrtarëve të bashkisë Lezhë, të cilët në bazë të hetimit të Prokurorisë kishin dhënë toka ranore në bregdet në favor të të tretëve, duke i konsideruar ato si toka bujqësore, përveç rënies së mitit të një bastioni të djathtë që iu kundërvu të majtës për arsye politike apo ideologjike, ka rënë edhe kauza e të paturit një opozitë të pastër dhe shpresëdhënëse edhe në nivel lokal, pasi ajo në nivel qendror, i kishte rikonfirmuar pamundësinë e të qenit një kauzë qeverisëse në zgjedhjet parlamentare të 2017-s.

Pavarësisht parlajmërimeve të shumta të ambasadorit amerikan në Tiranë Donald Lu dhe hapave te bëra ditë pas dite, edhe pse të ngadalta për krijimin e institucioneve të reja të drejtësisë, që pritet nga BE-ja, SHBA-të dhe qytetarët shqiptarë që ta trondisin në themel politikën e vendit, duket se përveç abuzuesve të së shkuarës, persona të pushtetshëm, vijojnë edhe sot me abuzime ditën për diell, duke menduar se ndoshta nuk do t’iu bjerë radha sepse  nuk janë ata “peshqit e mëdhenj” që do të ngecin në rrjetën e drejtësisë.

Në fakt, po të kihet parasysh niveli i zyrtarëve të lartë që janë arrestuar dhe po hetohen për shpërdorim detyre apo për korrupsion, që nga Dashamir Xhika e Andi Toma të Rrugëve, e deri te Fran Frrokaj, duket se ky i fundit është vërtet “peshkun më i madh” që ishte parlajmëruar nga ambasadori amerikan në Tiranë, pasi dy të parët ishin funksionarë partiakë të emëruar politikisht, ndërsa Frrokaj ishte një i zgjedhur direkt me votat e popullit.

Nëse do të ketë apo jo peshq më të mëdhenj në vijim kjo mbetet për t’u parë, por ajo që është e sigurt është se rrjeta, të paktën ajo e para e Prokurorisë së re të “përkohshme” e Arta Markut dhe e policisë së shtetit duket së po funksionon. Peshqit e tjerë po presin, përfshi edhe gjyqtarët që do këne në dorë çështjet aktuale dhe që ndërkohë do të paraqiten për të dhënë llogari për punën e tyre përpara KPK-së.

s.k/Shqiptarja.com