Armada ‘e mrekullueshme’ amerikane, siç është përkufizuar nga Donald Trump, është në pritje të urdhërit për sulm. Përgjigja e Teheranit? “Jemi gati”!. Janë deklarata të forta që fshehin pasiguri të mëdha. Të ndërmarrësh një operacion të tillë është relativisht e thjeshtë. Vështirësia qëndron tek mbyllja, sidomos nëse nuk ke një zgjidhje konkrete. Në mungesë të saj, duhen parë skenarët e mundshëm të analizuar nga Guido Olimpio i prestigjiozes italiane Corriere della Sera.
Skenari i Venezuelës
Shtetet e Bashkuara mund të nisin një manovër të ngadaltë, me presion diplomatik dhe ndoshta veprime konkrete kundër anijeve cisternë. Goditja më e rëndë mund të ndodhë vetëm në një fazë të dytë. Edhe në në Karaibe kishte një “armadë”, por u deshën muaj deri në kapjen e Nicolas Maduros. Megjithatë, është e qartë se dy krizat nuk mund të krahasohen me njëra tjetrën Pentagoni ka dërguar aeroplanmbajtësen Lincoln dhe anije të pajisura me raketa cruise, ka zhvendosur avionë luftarakë F-15 nga Europa në Jordani, ka shtuar bateritë anti-raketë (dhe të tjera pritet të mbërrijnë), ka transferuar materiale të reja përmes një ure ajrore dhe në zonë ka avionë të aftë për të çorientuar elektronikisht rrjetet kundërshtare, si edhe mjete furnizimi për të mbështetur bombarduesit B-52 ose B-2. Mbi 40 mijë ushtarë janë në dispozicion.
Goditje të kufizuara
Pentagoni mund të shënjestrojë komandën e Gardës Revolucionare dhe bazat e raketave, por do të ishin të kufizuara. Iranianët kanë paralajmëruar se kjo do të konsiderohej një akt përshkallëzimi. “Do të përgjigjemi në mënyrë masive dhe të zgjatur” thotë Irani
Ofensivë e gjerë
SHBA-të mund të nisin një fushatë të vërtetë e të gjatë në kohë, duke përdorur raketa dhe bombardues strategjikë. Kjo do të ishte një rrugë e ndërlikuar dhe e kushtueshme që do t’i tërhiqte SHBA-të drejt një krizë plot të panjohura. Ka edhe kundërshti të rëndësishme: aleatët arabë kundërshtojnë çdo nismë ushtarake dhe kanë deklaruar se nuk do të lejojnë përdorimin e bazave të tyre, nyje thelbësore për logjistikën amerikane. Një pjesë e elektoratit MAGA (Make America Great Again) të Donald Trump nuk mbështet aventura të reja larg kufijve kombëtarë. Për ndjekësit e presidentit, fronti i vërtetë është brenda SHBA-së.
Ndryshim regjimi
Shtëpia e Bardhë do të dëshironte një ndryshim regjimi. Janë përmendur disa variante që mund të nxisë një goditje ushtarake: një tranzicion drejt demokracisë së plotë, edhe pse mungon një opozitë e organizuar; një transformim i brendshëm i regjimit me figura “të moderuara” në vend të radikalëve; ose një grusht shteti që do të çonte në rrëzimin e ajatollahëve. Këto skenarë mund të favorizohen nga dobësia aktuale e Republikës Islamike./CorrieredellaSera
Komente









