Presidenti amerikan Donald Trump është përfshirë në një debat të ashpër me një gazetar të agjencisë Reuters gjatë një komunikimi me mediat, pasi ky i fundit e pyeti nëse vendimi për të mos udhëtuar drejt Kansasit lidhej me lodhjen nga udhëtimet apo me gjendjen e tij shëndetësore.

Trump reagoi ashpër ndaj pyetjes, duke e cilësuar gazetarin si “të sëmurë” dhe “të neveritshëm”, ndërsa nuk kurseu as komentet për pamjen e tij fizike. “Dukesh tmerrësisht keq. Duhet të kujdesesh për formën tënde fizike”, iu drejtua presidenti amerikan gazetarit, duke kritikuar gjithashtu edhe agjencinë Reuters.

Nga ana tjetër, Trump shpjegoi se nuk kishte arsye të udhëtonte drejt Kansasit, pasi sipas tij aktiviteti atje po shkonte shumë mirë. Ai tha se do të zhvillonte një takim online, ndërsa të nesërmen kishte planifikuar të udhëtonte drejt Floridës.

Gjatë debatit, gazetari e pyeti sërish nëse ndihej mirë, duke i kujtuar se e kishte ndjekur prej dy javësh. “Ndihem i përkryer”, u përgjigj Trump, përpara se ta sulmonte sërish verbalisht.

Përplasja u zhvillua para kamerave, në një tjetër moment tensioni mes presidentit amerikan dhe gazetarëve.

Biseda e plotë:

Gazetari: Zoti president, fakti që nuk po shkoni në Kansas nuk ka të bëjë me lodhjen tuaj nga udhëtimet?

Trump: Oh, ti je i sëmurë që bën një pyetje të tillë. Je i sëmurë! Me kë je ti?

Gazetari: Jam nga Reuters, zoti president.

Trump: Je një njeri i sëmurë. Reuters është i tmerrshëm, meqë ra fjala. Mund ta imagjinoni? Shikoni këtë budalla! Shikoni këtë njeri, është krejtësisht jashtë forme. Shikoni sa keq duket kur vjen drejt meje.

Gazetari: Zoti president, ju nuk do të shkoni në Kansas...

Trump: Nuk po shkoj në Kansas sepse ai po ecën shumë mirë. Do të zhvilloj një telemiting. Nesër do të jem në Florida. Nëse del diçka tjetër, mund të shkoj edhe diku tjetër.

Gazetari: Por pse nuk po shkoni në Kansas, zoti president?

Trump: E dini cila është arsyeja? Nuk mendoj se është e nevojshme të shkoj në Kansas. Nesër do të shkoj në Florida.

Gazetari: A ndiheni mirë? Ju kam ndjekur gjatë dy javëve të fundit.

Trump: Ndihem i përkryer! Ti je i neveritshëm. Kujdesu për formën tënde fizike. Dukesh tmerrësisht keq!

Trump: Faleminderit të gjithëve!