Deputeti i zgjedhur i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, është optimist se nesër do të konstituohet legjislatura e dhjetë e Kuvendit, si dhe do të formohet qeveria e re. Megjithatë, ai nuk tregon se si do të veprojnë në zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga komuniteti serb.
Ai për KosovaPress thotë se nuk mund t’i parasheh dinamikat e seancës konstituive, megjithatë u mbetet deputetëve që të shprehin vullnetin e tyre përmes votës.
“Po, pas konstituimit të Kuvendit, menjëherë hapet mundësia dhe procedura për zgjedhjen e qeverisë. Natyrisht, parashihen disa veprime, siç është caktimi i mandatarit dhe dekretimi i mandatarit për kryeministër nga ana e presidentes së Republikës. Unë nuk e di a përmbushet kjo brenda ditës apo jo. Teorikisht është e mundshme, domethënë ka ndodhur në vitin 2021, por mbetet të shihet. Mbetet të shihet procesi i konstituimit dhe besoj që pas konstituimit do të jenë menjëherë veprimet tona të shpejta: zgjedhja e qeverisë dhe pastaj kalimi tek miratimi i buxhetit të shtetit për këtë vit”, deklaron Rrustemi.
Rrustemi kërkon nga Kryesia e vjetër e Kuvendit, e cila do të mblidhet sot, që t’i përcaktojë modalitetet për mbarëvajtjen e seancës konstituive.
Deputeti i LVV-së thotë se aty duhet të përcaktohet verifikimi i mandateve të deputetëve, zgjedhja e kryetarit të Kuvendit, nënkryetarëve shqiptarë, si dhe zgjedhja e nënkryetarëve nga komunitetet jo-shumicë, në pako apo ndaras.
'Nuk mund t’i parashoh dinamikat e Kuvendit në seancën e nesërme. I mbetet gjithsesi Kryesisë së vjetër për të diskutuar dhe për të përcaktuar modalitetet se si e sheh procesin e konstituimit ditën e nesërme dhe modalitetet e votimit. Dhe në anën tjetër i mbetet natyrisht deputetëve që të shprehin vullnetin e tyre përmes votës. Po, ajo që e dimë tashmë është që Kuvendi i Kosovës duhet të konstituohet dhe nuk mund të kalohet në faza të tjera, siç është zgjedhja e qeverisë apo miratimi i buxhetit, për sa kohë nuk kemi konstituim të Kuvendit. E në anën tjetër kemi, siç e dini edhe ju dhe opinioni publik, një periudhë të shkurtër të veprimeve të shpejta, intensive dhe të rëndësishme. Deri më 5 mars duhet të përmbyllet konstituimi i Kuvendit, zgjedhja e qeverisë, miratimi i buxhetit, Plani i Rritjes dhe padyshim edhe zgjedhja e presidentit apo presidentes së Republikës”, potencoi Rrustemi.
Rrustemi bëri të ditur se Lëvizja Vetëvendosje nuk ka zhvilluar diskutime me asnjë parti politike për formimin e një koalicioni qeverisës.
Ai thotë se rezultati zgjedhor dhe mandatet e fituara e bëjnë të panevojshëm një bashkëpunim të tillë për formimin e Qeverisë, megjithëse paralajmëroi se do të ketë dialog me partitë opozitare për çështje që kërkojnë shumicë të cilësuar, si marrëveshjet ndërkombëtare dhe zgjedhja e presidentit.
'Nuk ka pasur diskutim të brendshëm për sa i përket ndonjë mundësie të koalicionit për qeveri. Domethënë, vota e qytetarëve dhe mandatet e fituara e bëjnë të panevojshme një bashkëpunim në kuptimin e koalicionit për zgjedhjen e qeverisë. Domethënë, nevojën e kemi pasur vitin e kaluar, domethënë me rezultatin e zgjedhjeve të 6 tetorit. Aktualisht, sa i përket qeverisë, nuk kemi vështirësi dhe probleme. Po, duhet të kemi dhe do të kemi diskutime me partitë opozitare për sa i përket marrëveshjeve ndërkombëtare, sidomos Planit të Rritjes që kërkon së paku 80 deputetë për ratifikim, dhe në anën tjetër gjithsesi zgjedhjen e presidentit apo presidentes së Republikës”, thotë ai.
Në bazë të rezultateve, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar mbi 51 për qind të votave, duke siguruar 57 deputetë në Kuvend./Kosovapress
Komente










