Departamenti i Efikasitetit të Qeverisë (DOGE), një nga nismat më të reklamuara të mandatit të dytë të presidentit amerikan Donald Trump, është shpërbërë në heshtje, pavarësisht se duhej të funksiononte deri në korrik 2026. Kjo vjen pas përplasjes mes Elon Musk dhe Trump.

Drejtori i Zyrës së Menaxhimit të Personelit (OPM), Scott Kupor, konfirmoi për Reuters se “DOGE nuk ekziston më si ent i centralizuar”, duke bërë deklaratën e parë zyrtare që pranon mbylljen e tij. Sipas tij, shumë prej funksioneve të njësisë janë zhvendosur tashmë në OPM.

I krijuar në janar, DOGE mori vëmendje të madhe për shkak të përpjekjeve të shpejta për të tkurrur agjencitë federale, ulur buxhetet dhe orientuar punën e tyre drejt prioriteteve të Trump-it. Elon Musk, i cili fillimisht drejtoi nismën, e reklamoi shpesh në rrjetet sociale dhe madje u shfaq me një sharrë elektrike në një konferencë, duke e cilësuar atë si “sharra e burokracisë”.

Megjithatë, pretendimet e DOGE se kishte kursyer dhjetëra miliarda dollarë nuk u verifikuan kurrë nga ekspertë të pavarur, për shkak të mungesës së transparencës.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Liz Huston, tha se Trump “vazhdon të punojë për reduktimin e shpërdorimeve dhe abuzimeve në qeveri”, por administrata ka sinjalizuar gradualisht fundin e njësisë, sidomos pas largimit të Musk nga Uashingtoni. Ndërkohë, ish-anëtarët e DOGE kanë kaluar në role të tjera qeveritare.

Pavarësisht shpërbërjes së DOGE, administrata Trump po vazhdon përpjekjet për të ulur rregulloret federale. Zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë janë duke zhvilluar mjete të reja të inteligjencës artificiale për të analizuar dhe propozuar heqjen e rregullave ekzistuese.

Musk dhe Trump, të cilët shiheshin si aleatë të ngushtë që nga zgjedhjet presidenciale të SHBA në vitin 2024, u përfshinë muaj më parë në një shkëmbim akuzash dhe kërcënimesh lidhur me kontratat qeveritare të revokuara dhe thirrjet për shkarkim, pasi njeriu më i pasur në botë kritikoi projektligjin e ri gjithëpërfshirës për taksat. Musk u rikthye së fundmi në Uashington, ku mori pjesë në një darkë zyrtare me princin saudit Mohammed bin Salman.