Kryeministri Edi Rama u pyet nëse ndien përgjegjësi politike për emërimet e bëra nga qeveria, me fokus edhe te emërimi i ish drejtoreshës së SHISH, Vlora Hysenit, dhe nëse po krijohet një standard ku pushteti delegohet pa u përballur me pasoja.
Në përgjigjen e tij, Rama tha se përgjegjësia politike nuk lidhet me veprimet individuale të personave të emëruar, por me vijimin e reformës në drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit. Rama paralajmëroi se ata që tradhëtojnë qëllimin e përbashkët do të përballen me drejtësinë e pavarur.
Pyetje: Ju ritheksuat në Rinas se përgjegjësia mbetet individuale. A ndjeni përgjegjësi politike për emërimet e bëra dhe a po krijohet një standard për pasardhësit tuaj, për kryeministrat e ardhshëm, që të marrin vendime politike, të bëjnë delegime të pushtetit, por të mos përballen me pasoja politike dhe publike?
Rama: Kjo e përgjegjësisë politike është një avaz i përsëritur në mjedisin e diskutimit publik. Unë nuk pretendoj t’ju ndryshoj kuptimin që keni për përgjegjësinë politike. Për mua, përgjegjësia politike është një: që reforma në drejtësi të mos ndalet, që lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe të gjitha veprimeve që bien ndesh me ligjin të zhvillohet gjithmonë e më shumë si një mision i sistemit. Ne kemi qenë këtu kur ato që shohim sot as nuk mund të imagjinoheshin. Kjo ka ndodhur vetëm pasi ndërmorëm përpjekjen transformuese dhe bëmë reformën në drejtësi. Nëse pyetja juaj nënkupton se për përgjegjësitë individuale duhet të përgjigjemi si në komunizëm, unë them se atë sistem e kemi lënë pas. Nëse mendoni se, sapo bëhet një emërim, lind automatikisht përgjegjësia e atij që emëron për çdo gabim që mund të bëjë më vonë i emëruari, atëherë kjo është një mënyrë e të parit të gjërave që i përket komunizmit. Sot, në demokraci, ne kemi detyrë të përcaktojmë objektivat, të tregojmë çfarë duam të bëjmë me mbështetjen dhe fondet që mblidhen nga taksat dhe të japim llogari për mënyrën se si qeverisim. Ata që tradhtojnë qëllimin e përbashkët duhet të përballen me pasojat përmes sistemit të pavarur gjyqësor. Franca është një vend demokratik. Atje ministri i Drejtësisë u akuzua për pedofili, por nuk u largua nga detyra dhe presidenti nuk mori asnjë përgjegjësi politike. Në fund, procesi e nxori ministrin të pafajshëm dhe ai vazhdon të jetë në detyrë. Këto janë qasje që secili vend i ndjek sipas sistemit të vet. Askush nuk merret në mbrojtje kur vjen puna për t’u përballur me pasojat e një veprimi që hyn në sferën e hetimit apo të gjykimit të pavarur.
Lajmi kryesor:
Arresti i Hysenit/ Rama: Kush tradhton, të përballet me drejtësinë, reforma s'ndalet! Von der Leyen: Hetimet ndaj zyrtarëve të lartë, provë se sistemi funksionon









