A mund ta shpëtojë diplomacia sigurinë evropiane?

 A mund ta shpëtojë diplomacia sigurinë evropiane?

Daniel Baer, drejtori i programit të Evropës në think-tankun “Carnegie Endowement for International Peace”:

Përballë kërcënimit ushtarak të Rusisë kundër Ukrainës, dhe kërkesave që NATO të ndalë zgjerimin e mëtejshëm, Perëndimi po dëshiron një dialog me Moskën. Por përpjekjet diplomatike që nuk mbështeten nga fuqia e fortë, mund të mos jenë të mjaftueshme për të shmangur një luftë.

Duke pasur parasysh perspektivat e sotme të diplomacisë, mendja më shkon tek pazari diplomatik më i suksesshëm mbi sigurinë evropiane i 50 viteve të fundit: Akti Final i Helsinkit i vitit 1975. Në atë kohë, disa gjëra ishin të ngjashme me sot.

Sovjetikët ishin të shqetësuar për pozitën më të mirë gjeopolitike të Shteteve të Bashkuara, dhe e panë si të rrezikshme rënien e fuqisë së tyre relative. Sot presidenti rus Vladimir Putin e di se problemet ekonomike dhe demografike të vendit të tij janë të shumëfishta, dhe se pasuritë energjitike mund të mos jenë një garanci e përhershme e ndikimit në botë.

Asokohe SHBA-ja donte të shmangte një konflikt në Evropë, dhe ishte e lodhur nga Lufta e Vietnamit. Sot administrata e presidentit amerikan Joe Biden nuk do të donte që Evropa të ishte në 3 apo 5 krizat aktuale globale, dhe shpreson të fokusohet në unifikimin e kombit amerikan pas 2 dekadash luftë në Irak dhe Afganistan.

Por i ndryshëm ishte në atë kohë një element i rëndësishëm. Në vitin 1975 sovjetikët donin të çimentonin statuskuonë e vendosur nga Traktatitë Varshavës. Sot, Putin është i pakënaqur me statuskuonë. Kur një fuqi në rënie dëshiron një realitet tjetër, stimujt për të përdorur forcën mund të tejkalojnë edhe joshjen nga diplomacia. Gjithsesi ne duhet të përpiqemi ta zgjidhim me mjete diplomatike këtë krizë.

François Heisbourg, këshilltar special në Fondacionin për Kërkime Strategjike:

Vetëm 6 muaj më parë, kjo pyetje do të dukej e pakuptimtë. Sigurisht, ka pasur situata të vështira:konfliktet e pazgjidhura në Ukrainë dhe Kaukaz, represioni në Bjellorusi, revizionizmi rus dhe sanksionet perëndimore. Por në përgjithësi, rendi i sigurisë pas Luftës së Ftohtë në Evropë, nuk dukej se kanosej nga ndonjë rrezik i afërt.

NATO ishte në një gjendje statuskuoje. Ajo ishte bllokuar tek tre “Jo”-të e saj të vitit 1997 edhe kur Rusia pushtoi Ukrainën në vitin 2014:jo armë bërthamore, jo forca mbi nivelin e një brigade, dhe jo baza të huaja në vendet e Traktatit të dikurshëm të Varshavës.

Që nga viti 2008, nuk kishte asnjë perspektivë realiste për anëtarësimin e Ukrainës në NATO.

Por për arsyet e veta, Rusia vendosi të kërcënojë Ukrainën, ndërsa po kërkon në mënyrë diplomatike të kufizojë sovranitetin e të gjitha shteteve evropiane për të zgjedhur aleancat e tyre.

Në përpjekje për të prishur statuskuonë, Rusia gjendjet sot para një dileme:A do të turpërohet publikisht, duke pranuar një situatë në thelb të pandryshuar para krizës, apo do të përdorë forcën për të fituar territor si një formë suksesi në Ukrainë?Përgjigja e kësaj pyetje është në dorën e Kremlinit. Perëndimi mund të ndihmojë vetëm në zbutjen e tensioneve, por jo të zhbëjë një krizë që nuk e ka krijuar vetë.

Ben Hodges, drejtues i studimeve strategjike në Qendrën për Analizën e Politikave Evropiane (CEPA):

Sigurisht që jo, nëse zhvillohet në mënyrën e zakonshme. Nëse Kremlini sheh përballë vetëm Shtetet e Bashkuara, pa mbështetje të fortë evropiane në një front të unifikuar, atëherë rreziku i një ofensive të re ruse do tërritet. Presidenti rus Vladimir Putin nuk është ndalur që nga viti 2008 kur pushtoi Gjeorgjinë.

Ndaj ai po vepron tani në kushtet e një niveli të lartë të tolerancës ndaj rrezikut nga ana e Perëndimit. Në rast se Gjermania do të angazhohet të jetë “një partner në udhëheqje” për Shtetet e Bashkuara, siç kishte shpresuar dikur ish-Presidenti George H.W Bush, atëherë ka një shans që negociatat të shmangin luftën në Ukrainë.

Por ndërkohë Kremlini duhet të bëjë diçka që në fakt e bën rrallë:të jetë transparent dhe të zbatojë marrëveshjet që tashmë ekzistojnë. Dhe në këtë aspekt unë nuk jam shumë optimist. Sipas Raportit ditor të Misionit Special të Monitorimit të OSBE-së (SMM) të datës 10 janar në rajonin e Donjeckut, mes mbrëmjeve të datave 5 dhe 9 janar, SMM regjistroi 152 shkelje të armëpushimit, duke përfshirë 38 shpërthime.

Në periudhën e mëparshme, misioni regjistroi 85 shkelje të armëpushimit në rajon. Ndërkohë për të njëjtën periudhë në rajonin e Luhanskut, misioni regjistroi 791 shkelje të armëpushimit, duke përfshirë 213 shpërthime. Anëtarët e formacioneve të armatosura, i mohuan misionit vëzhgues kalimin në Stanicia Luhanska në rajonin e Luhanskut.

John Kornblum, ish-ambasador i SHBA-së në Gjermani:

Siguria evropiane është një kategori e përgjithshme, ashtu si graviteti. Ajo nuk mund të “shpëtohet”, por mund të zbatohet për qëllime të mira dhe të këqija. A ka aktualisht rol diplomacia? Kjo gjë varet. Për shembull, Mikhail Khodorkovsky mendon se edhe negociatat i rritin shanset e presidentit rus Vladimir Putin për sukses.

Dhe për të marrë përgjigjet e duhura, duhen bërë pyetjet e duhura. Problemi nuk është në fakt NATO. Kriza aktuale filloi me nënshkrimin e një marrëveshjeje ekonomike relativisht modeste midis BE-së dhe Ukrainës. Putini është më i shqetësuar për kërcënimin e demokracisë në hapësirën post-sovjetike.

Atëherë, çfarë duhet bërë? Së pari, duhet të ruajmë qetësinë. Sa më shumë që evropianët ankohen se kanë mbetur jashtë bisedimeve, aq më i sigurt bëhet Putin. Më e rëndësishmja, duhet të refuzojmë axhendën që synon të na imponojë Putin. Ne duhet ta përshkruajmë krizën si diçka e provokuar nga një regjim kleptokratik i dështuar.

Pjesë e problemit janë vrasjet e kryera nga regjimi rus jashtë shtetit, si dhe ndërhyrjet në zgjedhjet e vendeve të tjera. Po ashtu duhet të fokusohemi tek forcimi i respektit për parimet e Helsinkit të vitit 1975. Mjerisht, administrata e presidentit amerikan Joe Biden i është afruar rrezikshëm bërjes së pyetjeve të gabuara.

Ajo duket se shqetësohet më shumë mbi mënyrën se si shiten deklaratat e saj brenda vendit, sesa t’i japë shpresë Ukrainës dhe të tjerëve. Udhëheqësit tanë duhet të mësojnë një mësim të hidhur. Një botë dixhitale e panjohur dhe konfuze, do të na kërkojë më shumë se kurrë që t’i përshtatim reagime të reja kërcënimeve të reja e të rrezikshme./ Bota.al

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Kë doni ju që të fitojë zgjedhjet në SHBA?



×

Lajmi i fundit

Fier/ 18- vjeçarja vetplagoset me armë zjarri, ende nuk dihet shkaku

Fier/ 18- vjeçarja vetplagoset me armë zjarri, ende nuk dihet shkaku