“Hodhën diçka. Nuk di si ta përshkruaj. Ishte si një valë zanore jashtëzakonisht e fortë. Menjëherë ndjeva sikur koka po më shpërthente nga brenda. Të gjithëve na filloi gjakderdhja nga hunda. Ramë përtokë, të paaftë për të lëvizur. Nuk arritëm më të qëndronim në këmbë pas asaj arme zanore, ose çfarëdo që të ishte.”

Kjo është një dëshmi anonime, që i atribuohet një ushtari venezuelian të angazhuar në mbrojtjen e rezidencës së presidentit Nicolas Maduro. Rrëfimi ka marrë vëmendje të madhe pasi u shpërnda nga zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, dhe u analizua gjerësisht nga Fox News, duke i dhënë një peshë më të madhe publike , edhe pse pa konfirmim zyrtar.

Pretendimet nuk janë befasuese për ekspertët e fushës së mbrojtjes. Prej dekadash, Pentagoni ka studiuar mënyra për ta shndërruar zërin në një armë jo-vdekjeprurëse, të aftë të paralizojë kundërshtarin pa e vrarë. Një ide që evokon edhe mitin biblik të borisë së Jerikos, por që ka qenë objekt kërkimesh edhe nga shkencëtarët e Rajhut të Tretë.

Siç shkruan Juliette Volcler në librin “Il suono come arma”, veshi është një objektiv i pambrojtur: nuk mund të mbyllet dhe tingujt që e godasin mund të ndryshojnë thellësisht gjendjen fizike dhe psikologjike të njeriut. Një shtysë e fortë për këtë lloj kërkimi erdhi gjatë luftës në Irak, ku ushtria amerikane kërkonte mënyra për të shpërndarë turma apo për të neutralizuar civilë të dyshuar pa përdorur armë zjarri.

Kështu u zhvilluan pajisje të lëvizshme që lëshonin impulse zanore drejt turmave, duke i çorientuar dhe paralizuar përkohësisht. Disa prej tyre, të njohura si LRAD (Long Range Acoustic Device), janë përdorur edhe nga policia amerikane gjatë protestave mjedisore apo demonstratave kundër samiteve ndërkombëtare. Megjithatë, përdorimi i tyre ka qenë i diskutueshëm për shkak të rrezikut për dëmtime të përhershme.

Në Nju Jork, pas një padie gjyqësore, Gjykata e Apelit i cilësoi këto pajisje si “përdorim të pajustifikuar force” dhe në vitin 2021 policia u detyrua ta kufizojë përdorimin e tyre vetëm për transmetim mesazhesh.

Pretendime të ngjashme u ngritën edhe në Beograd në marsin e kaluar, ku protestuesit anticorrupsion raportuan një tingull paralizues që i detyroi të bien përtokë; autoritetet serbe e mohuan përdorimin e LRAD.

Edhe Marina Amerikane ka investuar në zhvillimin e këtyre sistemeve për mbrojtjen e anijeve nga sulme vetëvrasëse apo nga piratët, veçanërisht në Detin Arabik dhe në Bririn e Afrikës. Në vitin 2005, një pajisje e tillë u përdor për të zmbrapsur sulmin ndaj anijes turistike Seabourn Spirit pranë Somalisë. Detajet mbi përdorimet ushtarake mbeten të klasifikuara.

Një tjetër linjë kërkimi lidhet me të ashtuquajturën “sindroma e Havanës”, një sërë shqetësimesh shëndetësore të raportuara nga diplomatë dhe oficerë inteligjence amerikanë që nga viti 2015, nga Kuba deri në Vjenë.

Në disa raste, dëmet kanë qenë të përhershme. Dëshmi të mbledhura nga mediat italiane flasin për pajisje ultrasonike të ofruara nga ish-agjentë të KGB-së pas Luftës së Ftohtë, të afta të çrregullonin ekuilibrin dhe reagimet e njeriut brenda një rrezeje të kufizuar.

Ndërkohë, investime të mëdha janë bërë edhe në teknologji me valë mikro, të afta të neutralizojnë dronë dhe raketa duke “djegur” komponentët e tyre elektronikë. Këto sisteme janë testuar dhe futur në përdorim në disa anije amerikane, por nuk ka informacion për versione të destinuara kundër njerëzve.

Në kufirin me Meksikën, trupat amerikane të dërguara nga Donald Trump përdorin prej muajsh LRAD të montuara në automjete apo helikopterë, kryesisht për shpërndarje paralajmërimesh. Megjithatë, këto pajisje janë gjithashtu të afta të lëshojnë impulse zanore deri në shkallën 160 decibel, që mund të shkaktojnë humbje të menjëhershme të dëgjimit.

Sipas ekspertëve, ajo që përshkruhet nga dëshmitarët e operacionit në Karakas mund të ketë qenë edhe një variant i përmirësuar i granatave “flash-bang”, të përdorura nga forcat speciale për të çorientuar kundërshtarët gjatë ndërhyrjeve.

Dallimi, sipas tyre, mund të qëndrojë në faktin se pajisja e përdorur nuk lëshoi dritë, por ushtroi presion të fortë zanor mbi organet e kokës.

Prej kohësh po punohet në mënyrë sekrete për zhvillimin e një “topi zanor” të drejtuar ose edhe të një pajisjeje me efekt masiv, të aftë të mbulojë zona të tëra.

Një skenar i ngjashëm është përshkruar edhe në filmin “Leave the World Behind” të vitit 2023, ku një konflikt i brendshëm në SHBA shfaq forma të reja lufte, përfshirë zërin paralizues që depërton në shtëpitë e civilëve.

Pyetja që mbetet e hapur është nëse këto skena janë ende fantashkencë, apo një parathënie e luftërave të së ardhmes që po afrohen më shpejt sesa pritej.