A po i afrohet Europa fundit të një epoke?

A po i afrohet Europa fundit të një epoke?

Angela Merkel dhe Emanuel Macron

Kancelarja gjermane Angela Merkel po i këshillon ministrat e saj të lexojnë "Të Përhënët: Si shkoi Evropa në luftë më 1914", një libër që shqyrton shkaqet e Luftës së Parë Botërore dhe dështimet politike që kontribuan në atë katastrofë.

1914-a është ndryshe nga viti 2018-a në shumë aspekte, por ajo që e shqetëson Merkelin dhe të tjerët të hedhin vështrimin nga e kaluara është se periudha para Luftës së Parë Botërore solli shfaqjen e "politikës së njeriut të madh" dhe kërcënimin e nacionalizmit, si dhe avancimin e projekteve nativiste nga udhëheqës të ndryshëm me përpjekjet e tyre për të bashkuar rajone të ndryshme apo për të nxitur valët e shovinizmit publik.

Stabiliteti gjeo-strategjik dhe parashikueshmëria morën fund. Politikanët bënë gabime të mëdha në llogaritë e tyre. Autori i librit “The Sleepwalkers: How Europe Went to War in 1914”, historiani Christopher Munro Clark, thotë: "Që nga fundi i Luftës së Ftohtë, sistemi i stabilitetit dypolar global i ka hapur rrugën një grupimi më kompleks dhe më të paparashikueshëm të forcave, përfshi rënien e perandorive dhe ardhjeve në pushtet - një situatë që ka ngjashmëri me Evropën e vitit 1914. "

Krahasimet me vitin 1914 janë përbuzur nga udhëheqësit nativistë të Evropës që akuzojnë kundërshtarët e tyre se janë alarmantë.

Zgjedhja e librit nga kancelarja Merkel flet për frikën e centristëve dhe të liberalëve se rritja e nacionalizmit populist në Evropë, ushqyer nga një krizë migruese e pazgjidhshme, mund të shënojë fundin e mundshëm të një epoke.

Por centristët pro BE-së në continent, të udhëhequr nga Emmanuel Macron i Francës, po përpiqen të rivendosin stabilitetin dhe parashikueshmërinë përballë rritjes së pasigurisë politike dhe të nativizmit. Në kundërshtim me ta është një blloku i udhëheqësve nativistë, me Matteo Salvinin e Italisë në krye, i cili është i zënë me planet e betejës për zgjedhjet parlamentare të Bashkimit Evropian vitin e ardhshëm. Ata janë kthyer për të marr këshilla nga ish ndihmësi i presidentit Donald Trump, Steve Bannon.

Kampet kundërshtare synojnë ta paraqesin garën e ardhshme elektorale si një moment përcaktues për bllokun shumëkombësh, të goditur nga një krizë migrimi toksike dhe pabarazia ekonomike. Rusia ndërkohë ka ndihmuar në financimin e partive anti-BE-së në të dyja anët e spektrit politik. Në të njëjtën kohë, përtej Atlantikut, presidenti Trump po tregon gjithnjë e më shumë paqartësi për aleancën me bllokun që Uashingtoni ndihmoi të formohej.

Identiteti është në qendër të fushatës së ardhshme zgjedhore dhe përplasja e parë serioze do të vijë në qytetin austriak të Salzburgut, ku krerët e BE-së do të takohen më 19 shtator për një samit dy-ditor për të diskutuar edhe njëherë Brex-itin dhe trajtimin e krizës së imigrantëve si një bllok. Krerët nuk do të pajtohen për dy çështjet kryesore në axhendën zyrtare, duke reflektuar vizionet e tyre të kundërta për Evropën.

Në Salzburg, Macron do të tregojë idetë e tij për reforma dhe rigjallërim të bllokut, duke argumentuar për një integrim më të madh politik dhe ekonomik. Nacionalistët kërkojnë frenimin e integrimit të mëtejshëm si pjesë e vizionit të tyre për të ndryshuar kursin e bllokut për t'u bërë një grupim më i lirë i shteteve kombëtare, të cilat do të ishin më të lirë nga Brukseli dhe më pak të detyruara nga traktatet e BE-së.

Kampionët kryesorë në luftën për kontroll mes liberalizmit dhe nacionalizmit u ndeshën javën e kaluar në një betejë fjalësh, duke dhënë një shije të garës elektorale që do të pasojë. Salvini dhe kryeministri hungarez Viktor Orban nisën një fushatë anti imigracionit, duke e pozicionuar Macronin si kundërshtarin e tyre kryesor. "Aktualisht ka dy kampe në Evropë dhe njëri drejtohet nga Macron," tha Orban, i cili kërkoi të portretizonte udhëheqësin francez si pro-imigracionit duke argumentuar se ai është "lider i atyre partive që mbështesin migracionin në Evropë dhe në anën tjetër jemi ne që duam të ndalojmë migrimin e paligjshëm ".

Gjatë gjithë javës së kaluar, udhëheqësi francez i dha shtytje ideve të tij për reforma ambicioze, disa prej të cilave mbështeten nga Gjermania, për të nxitur integrimin e BE-së – një antidot siç e sheh ai ndaj asaj që ai e quan demokraci joliberale të Orbanit dhe nacionalistëve të tjerë autokratë që sipas tij, po thjeshtojnë krizën e migrimit për të shtuar zemërimin nativist.

Macron vuri në lojë udhëheqësit nacionalistë që pranojnë ndihmat e zhvillimit nga blloku ndërsa e përçmojnë BE-në. "Nuk do t'u jepja asnjë arsye nacionalistëve dhe atyre që përhapin fjalën e urrejtjes. Nëse duan të më shohin si kundërshtarin kryesor, kanë të drejtë, "tha ai gjatë një udhëtimi në Kopenhagë./VOA

/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Thirrja e Erjonit dhe Belindit në të njëjtën ditë në SPAK, politikë penale dhe jo profesionale

Spahiu: Thirrja e Erjonit dhe Belindit në të njëjtën ditë në SPAK, politikë penale dhe jo profesionale