Abbat Preng Doçi, për gjallërimin
dhe lulëzimin e Shqipërisë

Abbat Preng Doçi, për gjallërimin<br />dhe lulëzimin e Shqipërisë
Abbat Preng Doçi, si u kthye në atdhe pas 11 vitesh mërgim e peripecish diplomatike. Jeta e pazakontë e një kleriku dhe atdhetari të pashoq i lindur me 7 shkurt 1846  dhe i ndarë nga jeta me 22 shkurt 1917... Shkollimi dhe angazhimi në shërbim të zotit e të popullit shqiptar i abatit të famshëm, nga vitet e studimeve në Itali, kthimi në vendlindje... Të papriturat në jetën e Abat Doçit nga arrestimi dhe koha e burgut në Stamboll, misionet në Kanada e Indinë e largët, kthimet në Romë dhe kontaktet e përhershme me patriotët dhe atdhetarët...
 
****** 
Krahina mesjetare e Mirditës, ka një histori të bujshme dhe shumë kureshtare. Si mbiemër ndeshte për të paren herë në kadastrën Venedikase të Shkodrës të vitit 1416-1417, në personin Gjon e Pjeter Mirdita.  Ndërsa Mirditën si fshat apo krahinë mirë të organizuar  e gjejmë në regjistrat osmane të Sanxhakut të Dukagjinit të vitit 1533, 1571 etj.  Historia e kësaj krahine legjendare pa dyshim lidhet ngushtë më zhvillimet kishtare, kulturore e politike, dioqezës së Arbrit të shek..XII - (Sancti Alexandri diocesis Albanensis), pikërisht abacive benediktine që funksiononin brenda shtrirjes së saj gjeografike, si: abacia e Shën Palit në Blinishtin e Vjetër, e Shën Marisë në Nderfanë, e Shelbuemit  në Rubik, e në veçanti të abacisë së Shën Llezhdrit në Orosh të Mirditës, e cila qe epiqendra e më e rëndësishme që lidhet ngushtë më ngjarjet historike të pushtimeve në harkun pesë shekullor (1468-1912) të gjysmë hënës turke mbi Mirditën dhe trojet shqiptare në përgjithësi.

Abacia së Shen Llezhdrit në Malin e Shenjtë të Oroshit  (Agjios Oros),  e themeluar në vitin 1319 dhe cila lidhet ngushtë më jetën dhe veprimtarin e abat Preng Doçit (1646-1917), gjatë kohës se pushtimeve të egra osmane ishte një vatër e zjarret shpirtërore, morale e politike. Ajo qe shtylla më e fort dhe faktor i rëndësishëm për mos helenizimin e mos turqizmin e shqiptarëve në Mirdite e më gjerë. Abacia e Oroshit, gjatë shekullit të XVIII, shërbeu si vend hapësirë për krijimin e unitetit të besës  të 5 apo 12 bajraqeve të Mirditës,  ashtu edhe në mënyrë te veçantë  me krahinat fqinjë, si Malësi e Madhe,   Mat, Dibër e Lumë, në përballje më pushtuesin aziatik i cili kishte për qellim nënshtrimin  e kësaj krahine e për ta vazhduar aksionin në përmbysjen e plotë në krahinave të tjera në veri të Shqipërisë. Qeveria Turke, kërkonte futjen në përdorim të sheriatit (ligjit kuranor) duke zëvendësuar Kanunin e Maleve, ku kjo e fundit ishte idea më e spikatur e shpirtit të shqiptarit, për ruajtjen e lidhjes nder fisnore, besës, mikpritjes, ndihmesës së tjetrit në rast ngushtice, kultivimin e ndërgjegjejes kombëtare etj.. Katolicizmi duke qenë vlere universale dhe komunikim shpirtërore i njerizimit dhe shkollë e ideve të qytetërimit evropian u ndje fuqishme në altarin e kulturës dhe identitetit tonë kombëtar në Arbëri, por në veçanti në krahinën e Mirditës, ku pushtuesi aziatik krijonte kurthe të veçanta shkatërrimi për nënshtrimin e islamizimin e kësaj krahine të ashpër e të paepur e legjendare.
 
Brumosja e Doçit
Secilit shekull, besimtarët mirditas dhe prelat të tyre i rezervojnë ngjarje me rendësi në përpjekjet për forcimin e katolicizmit dhe theksimi  e tipareve kombëtare të tij. Në përballje më pushtuesin turk në gjysmën e dytë të shekullit XIX,  spikaste, dom Preng Doçi, i lindur më 7 shkurt vitit 1846, në lagjen e Parasporit, në luginën më të bukur të Bulgrit të Mirditës. Prenga, i nxitur nga ipeshkvi i Lezhës, atdhetari Pal Dodmazej dhe klerikët atdhetar të abacisë se Oroshit si, poeti i njohur Dom Pjeter Zarishi dhe Dom Gasper Krasniqi, duke fituar thirrjen e meshtarisë, përfundoi mësimet e mesme klerikale në Seminarin e Jezuiteve në Shkodër, (1859-1861) për t’i vazhduar studimet e larta filozofike e teologjike në kolegjin Urbaniano të Romës të cilat i përfundoi me mjaft sukses në vitin 1871.

Gjatë qëndrimit në Romë ai  krahas lendeve të shkollës u njoh edhe më gjuhen e letërsinë arbëreshe dhe poetin e madh Jeronim De Rada e Dimiter Kamarda dhe më disa vepra të njohura deri atëherë të shkrimtarëve tanë të vjetër, nga të cilat thelloj dijeni shpirtërore letrare e atdhetare.
Dochi, gjatë pasurimit më dituri në Romë, krahas shqetësimit për gjendjen shpirtërore të popullit në Arbëri, në vëmendjen e tij vazhdimisht ishte gjendja e vështirë e mirditasve e mbajtur si “ishull” nga shtetrrethimet turke.
 
Nga mërgimi ëndrra për vendlindjen
Dom Preng Dochi, i frymëzuar qysh në fillim të rinisë së vet me idenë e thjeshtë atdhetare, sapo shkeli në tokën e të parëve, në Mirditë, në vitin 1871, për shkak të trysnive të vazhdueshme të pushtuesve, krahas për kujdesit shpirtëror të besimtarëve në Korthpulë e më vonë në Abacinë e Oroshit, u dha intensivisht pas çështjes kombëtare. Në fillim si kapelan dhe sekretar tek Abati i Oroshit, dom Gasper Krasniqit gjatë viteve 1872-1875 dhe më vonë si famullitar në Kalivare rrëzë mali të Mëneles, kohë e cila lidhet me kryengritjet kundër turqve të viteve 1876-1877, ku Doçi luajti një rol të dorës se parë i ndihmuar nga princi i Mirditës, Preng Bibë Doda.

Pas helmit te Bid Dodes dhe te ipeshkvit Pal Dodmazein ne vitin 1868, nga Perandoria Osmane dhe dështimit të kryengritjes në prill të vitit 1877, situata në Mirdite si vatër e fuqishme qëndresë Shqiptare, shkoi duke i keqësuar dhe dita ditës kuptohej se do kalonte në shpërthim me armë. Për t’ia bërë të njohur Evropës situatën alarmuese, në maji po të këtij vitit, Dom Preng Doçi do të dilte jashtë kufijve të Perandorisë. Duke kaluar neper shtigje malore nga Shkreli, Boga e Thethi, rruga e tij qe e shkurtër sepse në kufirin me Malin e Zi në Andrijevicë afër Plavës dhe Gucisë, u zu robër nga ushtaret Turq dhe prej andej e dërguan në Pejë dhe në fund në Stamboll të Turqisë. Nga ky vend rinisi për Preng Doçin 31 vjeçar, në jetë e re  me plotë sprova neper tre kontinente: Evropë, Azi e Amerikë, që do zgjaste plot 11 vjet.

Pasi u dërgua në burgun e Stambollit, Doçi arriti të kontaktojë me patriarkun katolik të këtij kryeqyteti, armenin Stefan Azarjan, i cili sapo u njoftua për këtë çështje, ndërmori aksionin për ta liruar dom Prengën. Patriarku, fal zgjuarsisë se tij diplomatike arriti për ta liruar nga burgu Dochin, më emrin Pére Achile, me kusht që të mos kthehej në Shqipëri. Doçi, më zemër të thyer më 7.VII. 1877, nga Roma iu dashtë të nisje në mision të ri në Tokën e Re, (Neë Foundland), duke u shënjuar si emigranti i parë shqiptarë në Amerikë.

Pas punës misionare për shumë vite në Gjirin e Ishujve në Kanada, nga letra e Doçit mësojmë së me 2 prill 1883 është ne Romë, dhe më 16 maj 1883, zbret në portin e Tivarit pasi gjoja kishte marrë të dhëna prej Shkodre së asgjë nuk do i pengonte për kthimin e tij në Shqipëri. Por, pasi përpjekjet e ipeshkvit të Shkodrës, Imzot Guerrinit dhe autoriteteve diplomatike në Cetinë nuk sollën rezultatin  e duhur,  për kthimin e tij në Mirditë,  Doçi ishte kthye në Romë, dhe më porosi te Propaganda Fides, në gusht 1884, mori përsëri rrugën e mërgimit tashmë për në Indinë e lart në Bombei, ku qëndroi  deri në vitin 1886, për tu kthye po në ketë vit përsëri ne Romë.

Doçi, me kulturë të gjerë e vrojtuese i vëmendshëm gjatë qëndrimit në mërgim, u thellua në njohjen e botës, të popujve, të jetës e të kulturës, të mënyrës së tyre të qeverisjes.

Prandaj është në vend të theksohet së kjo periudhe e qëndrimit të tij në Kanada e Indi e me pas në Romë, ka ushtruar një ndikim të madh në formimin e tij duke u bërë kështu një nga personat më të shëtitur e më të ditur të kohës së tij. Ai pasuroi  në mënyrë të gjithanshme teorike e praktike dijen e provojën e vet në fushën e luftës politike dhe organizimin e luftës për liri dhe në lëmin e kulturës dhe besimit katolik.

Doçi edhe nga Bombei i largët, por edhe nga Roma e afërte,  mbante lidhjet me atdhetarë shqiptare, jetonte me brengat e atdheut të vet. Në pritje të përgatitjes së terrenit për kthimin ne vendlindje, Doçi në Romë beri disa hulumtime nëpër arkiva  e biblioteka te Vatikanit duke gjurmuar materiale për Shqipërinë e në veçanti për vjetërsinë e Mirditës dhe abacisë së Oroshit. Me këto materiale historike paraqiti Mirditën si princeri autonome. Më shumë dëshmi historike e këmbëngulje arriti t’ ia mbushi mendjen  Selisë se Shenjte,  që abacia e Oroshit,  me dekretin “supra montem Mirditarum”, Papa Leoni i XII datë 25 tetor 1888, të njihet si abaci e një rangu të veçantë me titullin “Abbacia Nullius”, që ishte e rangut të një dioqeze e cila nuk jep llogari asnjë ipeshkvi, por drejtpërsëdrejti Selisë së Shenjte.
 
Kthimi në Atdhe dhe vazhdimi i misionit në shërbim të Zotit e popullit
Pas shumë peripecive diplomatike, Shkodër, Romë, Stamboll e Vjen, më ndihmën e Austro-Hungarisë si garant pran portës së Lart, Doçi me 27 tetor 1888, arriti pas 11 viteve mërgimin të kthehej në Shkodër, duke u caktuar abat në Oroshin e lavdishëm.  Kthimi sipas dekreti te sulltanit dorëzuar Bahri Pashës në Shkodër, ishte kushtëzua që mos të merrej më politik dhe veprimtaria tij kërkonte që mos të kalonte kufijtë e Provincës se Mirditës.

Doçi, si autoritete i lart kishtare i cili tani varej nga Roma dhe Vjena, i kishte dhënë vetes më tepër detyrë, për të punuar ne rrugën e veprimtarisë kishtare, për rimëkëmbjen  e kishave të shkatërruara nga turku, për liri dhe të mirën atdheut.  Përkundrejt pengesave qe kishte përpara, punonte më plote energji për fuqizimin e faktorit te brendshëm me anë të besës e bashkimit, zhvillimit të jetës kulturore e shpirtërore. Mbarimi i shek. XIX, përben një moment me rendësi në historinë e Mirditës, pasi me nxitjen e Doçit u shënjua lulëzimi me i madh i përpjekjeve të shqiptarëve për liri kundër ushtrisë Turke. Qëllimet e Abat Doçit, ishte edhe përfshirja e shqiptarëve te Mirditës në koalicione politike te Evropës, çfarë do përfitonte dhe Shqipëria.

Abat Dochi, punoj me përkushtim të pazakontë, ne ruajtjen, kultivimin dhe ngritjen e vetëdijes kombëtare duke dhënë dëshmi se është  e mishëruar thelle ne popull. Kambanat kishe se Oroshit kanë ranë jo vetëm për meshë, por edhe për meshën e lirisë duke i ngritur malësi ne kushtime te njëpasnjëshëm.
Sundimi turke u përpoq me te gjitha fuqitë e saj ta nënshtronte Mirditën por nuk qe e mundur pasi mirditasit nuk pranuan për asnjë çmim sistemin timarve e ndërrimit te besimit, tjetërsimin e  kulturës shekullore të popullit të Arbrit. Kujdesin për kultivimin e kulturës arbërore Primo Dochi (Preng Doçi), e kishte treguar edhe gjatë qëndrimit të tij të përkohshme në Mal të Zi. Ai në relacionin e tij nga Tivari dërguar në vitin 1883 Kongregacionit për Përhapjen e Fesë, në mes tjerash thotë, se përveç në Cetinë e Rijeka (mendon në Rijeka Crnojeviq), ku jetojnë 92 katolike nga Shkodra, ka të tillë dhe në Nikshiq dhe në Danillovgrad.

Në vargun e organizimeve përgatitore për t`i kundërshtuar Perandorisë osmane në Shqipëri, ishte mbledhja e fshehtë e vitit 1893, organizuar në famullinë e Shkrelit (Malësia e Madhe). Gjykuar nga rëndësia e personave  pjesëmarrës dhe ngjarjeve që pasuan,  themi se, në këtë takim, qe hedhur një nga platformat e rëndësishme për organizimin e lëvizjeve dhe kryengritjeve popullore kundër sunduesve osmanë.

Në mbledhjen e Shkrelit, Nikaj dhe Doçi, ndër të tjera, ishin zotëruar se do merreshin me afrimin e shqiptareve të dy besimeve, katolikë dhe myslimanë. Në qytetin e Shkodrës, përçarja e shkaktuar nga turqit sipas, Nikajt, ishte e dukshme. Sipas këtij konstatimi, rezulton se afrimi i shqiptarëve të dy besimeve, do ishte puna bazë për përgatitjen e lëvizjeve dhe kryengritjeve, që do të zhvilloheshin kundër Perandorisë osmane, deri në shpalljen e plotë të pavarësisë së Shqipërisë.

Nikaj, edhe përkundrejt pozicioneve të ndryshme kishtare që kishin me abatin e Mirditës, Preng Doçin, ndërmjet tyre mbanin lidhje të ngushta miqësie. Të dy kishin të njëjtin drejtim politik, “Shqipënin e lirë e vetsunduese” thekson Nikaj.

Abat Preng Doçi, letrar, hulumtues dhe diplomat, kishte paraqitur para krerëve të Mirditës në Orosh, në vitin 1897 programin me të cilin parashikonte organizimin e lëvizjeve dhe kryengritjeve nga 1897-1900 dhe në vazhdim. Në këtë program sipas konsullit, Theodor Ippeni,  të datës 25 qershor 1897, ishte paraparë bashkimin e tri krahinave: Malësisë së Madhe, Dukagjinit dhe Mirditës, nën administrimin e Prek Pashës. Duke pasur parasysh se ai, kishte pozicion të lartë kishtar, mori përsipër, para të huajve ta paraqesë programin si një ndërmarrje spontane të disa patriotëve e jo, si të udhëzuar nga ai apo nga Austro-Hungaria. Meqenëse kisha katolike në Shqipëri, që në vitin 1837  ishte nën protektoratin e kultit të Austro-Hungarisë, Doçi, me 7 dhjetor 1897, raporton Vjenën lidhur me programin  në fjalë.

Duke qenë se Doçi ishte Abat i një abacie të një rangu me dioqezën,  kthimin në Mirditë, në vitin 1888, e kishte të kushtëzuar nga diplomacia evropiane si garant para Perandorisë osmane, për mosangazhimin e tij në politikë. Prandaj në veprimtarinë tij atdhetare u detyrua të ishte shumë i fshehtë  dhe më i rezervuar në raport me çështjen në fjalë. Sidoqoftë,  puna e tij nuk pat të ndalur, sepse vazhdonte të merrte pjesë tërthorazi apo drejtpërsëdrejti në organizimin e kryengritjeve të popullatës për çlirimin e vendit nga zgjedha turke.

Për punën e tij të pa lodhur dhe heroike, diplomacia austro-hungareze do të shprehej se emzot Doçi, ishte burrë i zgjuar dhe energjik, i cili e kishte marrë përsipër që të realizojë bashkimin politik të fiseve shqiptare.

Filozofi francez, Zhan Pol Sartër ka shkruar se “nuk mund te jesh intelektual po qe se nuk zotëron, përveç dijes edhe guximin”. Doçi, duke e poseduar  edhe njërën  dhe tjetrën, vazhdoi të nxiste popullin në organizimin e kryengritjeve. Ai, qe frymëzues i organizimit të kuvendit të mbajtur gjatë muajit prill në Kimëzë dhe më vonë në Fan të Mirditës në vitit 1911, në të cilin ishte vendosur të kundërshtoheshin sanksionet e ndërmarra kundër popullit, nga Perandoria osmane.

Nikaj, dhe Doçi u gjetën edhe në vorbullën e shpërthimeve të kryengritjeve në Malësinë e Mbishkodrës, gjatë muajt mars-gusht vitit  1911.  Doçi në vazhdim qe përkrahës i mbajtjes së Kuvendit në Kullmet të Lezhës, në tetor të vitit 1911, kur krerët  e 12 bajraqeve të Mirditës vendosën që të  mos u binden autoriteteve osmane. Gjithashtu, Abati përkrahu dhe nxiti mbajtjen e kuvendit të Rubikut, organizuar po në këtë vit, në të cilin u hartua projekt-kushtetuta për Shqipërinë autonome, e cila në raportet e konsujve quhej Memorandumi i mirditasve. Kjo projekt-kushtetutë qe prezantuar, nëpërmjet delegacionit mirditor dhe në Besëlidhjen e Shkupit,  me 10 gusht 1912.

Nuk ka dyshim se Preng Doçi,  klerik i lartë, qëndronte në ballë të lëvizjeve dhe kryengritjeve kombëtare si vizionar, me mjetet që i lejoheshin. Në lidhje me këtë, flet dhe fakti, i letërkëmbimit të vazhdueshëm të Doçit, me deputetin e Perandorisë osmane, e më pas kryetari e qeverisë se përkohshme të Shqipërisë, Ismail Qemalin nga viti 1903, deri në 1912 dhe me pas, duke menduar për rregullimin e gjendjes dhe pas shpalljes se pavarësisë së vendit.
 
Angazhimi kulturor i Doçit
Romancieri i parë shqiptar Dom Ndoc Nikaj, në “Kujtime të një Jetës së kalueme”,  rrëfen se hartimi i programit kulturore i Doçit ndodhi në kohën kur Nikaj qëndronte në  krye të famullisë së Shkrelit. Takimi,  rrëfen, Nikaj,  qe mbajtur në vitin 1893, dhe  pjesëmarrës ishin, abati i Mirditës  Preng Doçi; prifti i Velipojës, Dom Mark Shllaku;  i Rrjollit, Dom Zef Shkreli; i Shkodrës, dom Jak Sarreqi,  dhe prifti nga Mirdita,  dom Dodë Koleci. Synimi i tyre, sipas tij, ishte formimi i një lidhje kombëtare e cila mori emrin “Bashkimi Shqiptar”. Në vazhdim Nikaj shprehet se: “Nuk bame shkresa  qe mos të ndodhte rrezik zbulimi nga ana e qeverisë turke edhe të n`a nxente me prova në dorë”. “U lidhme më shkrue në giuhen shqype  se i cili mbas andjes së vet dhe mbas prirjet perkatëse“.

Si rezultat i takimit ne Shkrel, ishte formimi i Shoqërisë Bashkimi ne vitin 1899, e me seli ne Shkodër e udhëhequr nga abat Doçi dhe nga ku 1908 doli Fjalori i Ri, i gjuhës shqipe i cili vlerësohej lart nga, prof. Ahmet Kelmendi e prof.. Gaetano Petrotta etj. Duke vlerësuar lart punën e kësaj shoqërie ne lëmin e letërsisë Luigj Gurakuqi shkruante: “Akademia Bashkimi, në pak vjet solli shumë ndihmë literaturës sonë me botime te veta te vlefshme”.
Duke pasur parasysh vështirësitë e mëdha  të Preng Doçit si klerik i lart në Mirditë, lista e shoqërisë Bashkimi është e gjatë dhe  e larmishme. Për afro 9 vjet nga themelimi i saj deri ne Kongresin e Manastirit, (1908) vuri në qarkullim mbi 35 libra nga autoret e fusha të ndryshme. Në kohën e lirisë Konstitucionale (1908), e cila ishte një manovrim perandorak, Nikaj, hapi në Shkodër në vitin 1909 veprimtarinë e tij botuese, duke siguruar një shtypshkronjë të vogël me pakicë germash. Në janar të vitit 1910 ai filloi të botonte së bashku me Doçin, gazetën “Koha”, e cila duke filluar nga numri i dytë, doli me emrin “Bashkimi” dhe  si motiv të vetin  kishte kujdesin për punët kombëtare dhe të diturisë.

Doçi, më të drejt është cilësuar edhe si mbrojtës i nismave në lëmin e hapjes se shkollave ne gjuhen shqipe. Me kontributin e tij, rihapet shkolla në Orosh ne vitin 1899. Me pas u çel shkolla në Spaç, Kashnjet, Rrëshen e Rubik. Në 5 shkollat fillore në Mirditë në vitin 1904, ndiqnin mësimet në shqip 96 nxënës. Pa u ndalur para vështirësive Doçi dhe shoqëria Bashkimi, botuan librat të të gjitha lendeve, për të tera rendet e shkollës fillore.

Doçi dhe shoqëria Bashkimi, e mbronin me fatalizëm në Kongresin e Manastirit alfabetin e Bashkimit, duke u shprehur se: “është me estetik e me latin, ruan etimologjinë e gjuhës, është sistem i përdorur nga të paret tanë, Budi, Bardhi, Bogdani dhe arbëreshët, etj”.  Duke u shqyrtuar nga ekspertet e gjuhës, alfabeti i Bashkimit mori epërsinë e duhur në formimin e alfabetit te Manastirit.

Studiuesi i abat Doçit, kushëriri  Pal Pjeter Doçi, shprehët se, “pa mohuar punën në lëmi të tjera, Prend Doçi, ka bërë emër në radhë të parë si poet dhe në poezinë shqipe të rilindjes, ai është një nga më të spikaturit.” Edhe nga studiues të tjera dëshmohet fakti se pjesa më e madhe e krijimtarisë se tij, ka humbur e një pjesë tjetër është botuar pa emër.

Prof. K. Denio, nga Franca, do shkruan, “ Greqinë moderne e bënë detaret dhe tregtarët, Shqipërinë e bënë poetet”. Duke u mbështetur në dëshmitë e Dora, d’Istria për abatin, themi së Doçi ishte njëri ndër të tillët.
 
Përfundimi:
Sipas vlerësimeve të Pal Pjeter Doçit, abati i Mirditës, Preng Doçi, i rrahur me jetën kishtar e politike, nuk ka dyshim se i njihte pikësynimet e shteteve të ndryshme evropiane ndaj Shqipërisë dhe qëndrimet e tyre ndaj çështjes kombëtare shqiptare.

Në mënyrë të veçantë ai ndiqte më shumë vëmendje qëndrimin e Vjenës ndaj Shqipërisë, sidomos kur kishte të bënte më të drejtën e protokultit dhe të kulturës shqiptare. Si largpamës dhe i matur Doçi kishte nuhatur dhe zhbirilua rivalitetet politike për Ballkanin në mes Rusisë dhe Austro-Hungarisë.

Disa diplomat e kane vend ne dukje se Doçi, synonte të jetë sa më i kontrollueshëm në punën e vet, për ta ruajtur sa me tepër pavarësinë e Mirditës, si nga Austro-Hungaria dhe Italia, duke ngritur tensione të vazhdueshme më pushtuesit osman.

Qëndrimi i tij ndaj disa ngjarjeve ne Mirditë e rreth saj ka shkaktuar jo pak dyshime, interpretime të ndryshme, mosbesime, e deri në akuza gjithfarësh. Të gjitha ata qe e kanë njohur, qofshin shkrimtar, udhëtar, diplomat apo historian, thonë se Doçi ishte i mbyllur,  kishte një karakter misterioz i pa parashikueshëm i pa depërtueshëm.

Duke qenë i mbyllur e i papërmbajtur dhe i matur e i prere ai kishte autoritet edhe tek ndërkombëtaret.

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Me lot në sy, babai i Martinit i bashkohet protestës para Ministrisë së Arsimit (VIDEO)

Me lot në sy, babai i Martinit i bashkohet protestës para Ministrisë së Arsimit (VIDEO)