Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se janë shumë larg marrëveshjes me Lëvizjen Vetëvendosje.
“Jemi shumë, shumë, shumë larg ndonjë marrëveshje eventuale, nuk pres që të ndryshojë pa ndryshuar pozicionet politike të partive. Për LDK-në balanca institucionale është e domosdoshme dhe derisa nuk ka balancë, nuk mund të ketë as marrëveshje. Nëse qëndrojnë pozicionet e njëjta si të dhjetorit përfundimi është i njëjtë si tani”, ka thënë Abdixhiku pas takimit me Albin Kurtin.
Ai theksuoi se qëllimi i LDK-së ka qenë të gjendet zgjidhja, derisa ka shprehur keqardhje, duke thënë se janë në rrugë që nuk jep zgjidhje afatgjate.
“Qëllimi i LDK ka qenë të gjendet zgjidhja, jo të merremi kush kë po e mund, po e mashtron, po e vonon. Në këtë pikë me keqardhje them se jemi në rrugë që nuk jep zgjidhje afatgjatë”, është shprehur Abdixhiku.
Abdixhiku shtoi se LDK-ja ka kërkuar që ta propozojë emrin për president.
“Është çështja e presidentit. LDK ka kërkuar që presidenti të propozohet nga LDK, natyrisht që emrat të diskutohen me partnerët dhe në këtë pikë nuk kemi pasur dakordancë. Oferta e dhjetorit që LDK të merr jo kryetarit e Kuvendit, por zv.kryeministrin dhe disa ministri nuk është e mjaftueshme, nuk është dinjitoze as për të dhënë zgjidhje për krizën që jemi. Nuk mund ta pranojmë si të tillë, nëse e doni LDK-në në qeverisje atëherë LDK duhet të jetë e përfaqësuar. Sapo të pajtohemi që propozimi për president të vijë nga LDK, atëherë bashkë me Kurtin e caktojmë atë emër. Nuk po flas ‘na jepni mbështetje dhe vijmë me dy emra’. Jo jo, flasim, sepse po flasim për presidentin”, ka shtuar ai.
Lajmi kryesor:
Kosovë/ Në mesnatë skadon afati për konstituimin e Kuvendit, Kurti pas takimit me Abdixhikun: Dallim mes rezultatit dhe kërkesave! Kreu i LDK: Jemi larg marrëveshjes









