Tiranë, më  05. 08. 2016  - Banka Amerikane e Investimeve (ABI Bank) vazhdoi të mbajë një pozicion rekord në treguesit më të rëndësishëm të sistemit bankar në gjysmën e parë të vitit 2016. Ky është një vazhdim i rezultateve pozitive të tre mujorit të parë të këtij viti në mjaftueshmërinë e kapitalit, fitimshmërinë, dhe rritjen e depozitave dhe aktiveve të bankës.

ABI Bank, është institucioni me përfitueshmërinë më të lartë në treg si rezultat i përmirësimeve në cilësinë e portofolit të kredisë dhe uljes së shpenzimeve administrative. Përfitueshmëria e lartë ka çuar në një mjaftueshmëri kapitali rekord për bankën dhe më të lartën në sektorin bankar në Shqipëri me 23%. Niveli i lartë i depozitave dhe i kapitalit ndikuan në rritjen në masën 19% të aktiveve të bankës me një vlerë totale 229 milionë euro.

Në mbledhjen periodike të rradhës Bordi Drejtues analizoi performancën e Bankës Amerikane të Investimeve gjatë tremujorit të dytë të vitit 2016 në kontekstin e situatës së përgjithshme të sektorit bankar dhe ekonomisë shqiptare në përgjithësi. Bordi qëndron i kujdesshëm në pozicionimin e bankës në një mjedis me përfitueshmëri në zbritje si rezultat i normave të ulta të interesit.

Bordi vlerëson rëndësinë e masave të ndërmarra deri më tani për uljen e shpenzimeve operacionale të bankës, modernizimin dhe rritjen e efektivshmërisë si dhe të efiçencës së sistemeve operacionale, përmirësimin e degëve, dhe hapjen e shërbimeve VIP.
 
Gregory Katz, përfaqësues i NCH Capital, theksoi se rezultatet e gjashtëmujorit të parë kanë vendosur baza të shëndetshme për një rritje të qendrueshme dhe me fitim të bankës për vitin 2016 dhe në vazhdim.
 
Lorenzo Roncari, Kryetar i Bordit Drejtues, nënvizoi: “Treguesit ekonomik të Shqipërisë parashikojnë një rritje të moderuar afatmesme të kushtëzuar nga rritja e investimeve të huaja direkte dhe përmirësimi i eksportit vendas. ABI Bank ka përfunduar shumë nga etapat e konsolidimit të bilancit dhe operacioneve dhe tani do të luajë rolin e vet në mbështetjen e rritjes ekonomike të klienteve dhe vendit”.
 
Ndërkohë, Anëtari i Bordit Mark Crawford u shpreh: “Kombinimi i eksperiencës se personelit ekzistues me drejtimin e ri dhe futja e kulturës amerikane me sloganin “Investo në Optimizëm” po jep rezultate të prekshme dhe pozitive”.
 
Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Bankës Amerikane të Investimeve, Andi Ballta, theksoi se ristrukturimi dhe riorientimi i bankës drejt klientëve të mëdhenj dhe të mesëm, pa përjashtuar rëndësinë e bizneseve të vogla krijon sigurinë për fitime afatgjata dhe të qëndrueshme.

Gjashtëmujori i dytë i 2016-ës do të përqëndrohet në kredidhënie të shpejtë që përputhet me rritjen e pritshme të ekonomisë në vitet në vazhdim.  Sinergjitë ndërmjet ABI Bank dhe Tranzit Finance do të vazhdojnë të përmirësojnë cilësinë e portofolit të kredisë duke ruajtur efiçencën në menaxhimin e kostove. 
 
ABI Bank është pjesë e fondeve të menaxhuara nga NCH Capital, një prej investitorëve më të mëdhenj amerikanëme qendër në New York dhe me mbi 3 miliardë dollarë nën administrim.

Redaksia Online
(M.Ç/shqiptarja.com)