Policia e Elbasanit ka pezulluar nga detyra shefin e Seksionit të Trafiqeve, pas denoncimit të transmetuar në emisionin investigativ, për një rast të dyshuar abuzimi me detyrën.
Në njoftimin zyrtar thuhet se ndaj punonjësit ka nisur hetimi administrativ dhe penal në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore dhe Prokurorinë e Elbasanit.
Njoftimi i policsë:
Reagim i Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan/ Në lidhje me rastin e transmetuar në emisionin investigativ “Stop”, që trajtonte një rast të dyshuar abuzimi me detyrën të shefit të Trafiqeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, ju bëjmë me dije se:
Është pezulluar menjëherë nga detyra punonjësi i Policisë, komisar O. M., me detyrë shef i Seksionit të Trafiqeve në DVP Elbasan, deri në përfundim të hetimit administrativ e penal.
Ndërkohë, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në bazë të nenit 121, pika d, të Ligjit nr. 82, viti 2024, “Për Policinë e Shtetit”, ka nisur menjëherë hetimin administrativ.
Po në lidhje me rastin, po bashkëpunohet me AMP, meqenëse jemi në kushtet e dyshimit të kryerjes së veprës penale nga punonjësi i Policisë, O. M., ku Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka nisur hetimin penal, në bashkëpunim me Prokurorinë e Elbasanit.
Policia e Shtetit falënderon median dhe qytetarët që denoncojnë rastet e abuzimit me detyrën nga punonjësit e saj dhe i fton sërish ata të vijojnë t’i raportojnë çdo rast të tillë, duke i garantuar reagim të menjëhershëm dhe të paanshëm.
Komente









