Ata kanë zbardhur vendime në emër të KRRT dhe të Këshillit të komunës, pa i diskutuar në mbledhjet dhe pa i shënuar në protokollet përkatëse, si dhe kanë dhënë me qira një sipërfaqe toke prej 21,330 m2, në kundërshtim me ligjin dhe pa zhvilluar procedurat ligjore.
Ndërkaq, tre zyrtarët e komunës Remas kanë kryer veprime dhe mosveprime të kundërligjshme gjatë ushtrimit të detyrës si anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave në prokurimet publike të Komunës, të cilat i kanë sjellë një dëm ekonomik për Buxhetin e Shtetit në vlerën 14,8 milionë lekë(mbi 100 mijë euro).
KONTROLLET E KLSH DHE SHKELJET E GJETURA
Auditimi në Komunën Udenisht
Kontrolli i Lartë i Shtetit, në zbatim të programit të auditimit nr. 225/4, datë 16.12.2013, ka audituar komunën Udenisht, Pogradec, për periudhën Janar 2011- Shtator 2013.
Nga ky auditim, u konstatuan një sërë shkeljesh të dispozitave ligjore, për të cilat KLSH ka kryer kallëzim penal në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Pogradec, për ish-Kryetarin e komunës N.D., ish Kryetarin e Këshillit të Komunës, H.H. dhe ish-Përgjegjësin e Zyrës së Urbanistikës së këtij institucioni, A.SH, për konsumim të elementëve të veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, neni 248 i Kodit Penal.
Më konkretisht, për ish-Kryetarin e Komunës Udenisht, N.D., shkeljet janë:
- Në 2 raste, ka dhënë leje ndërtimore në prona shtetërore si dhe në bregun liqenor, në kundërshtim me nenin 40 dhe 41 të ligjit nr. 8405, datë 17.9.1998 “Për Urbanistikën”, si dhe në kundërshtim me VKM nr. 722, datë 19.11.1998 “Për miratimin e rregullores së urbanistikës”;
- Në 2 raste, ka dhënë leje sheshi dhe leje ndërtimi në zonë turistike, në kundërshtim me vendimin e KRRTRSH-së “Për miratimin e Masterplanit të Zonës Turistike Lin-Tushemisht”, i cili përcakton vijën mbrojtëse përgjatë bregut të liqenit;
- Në 7 raste, ka kryer zbardhjen e vendimeve të Këshillit të Komunës, duke vendosur nënshkrimin e tij për emrin e Kryetarit të Këshillit të Komunës, veprim në kundërshtim flagrant me të drejtat e tij si Kryetar dhe në tejkalim të kompetencave, duke marrë atribute të cilat ligji ia njeh posaçërisht vetëm Kryetarit të Këshillit të Komunës.
- Ka nënshkruar kontratë për dhënie me qira të tokës bujqësore të pandarë në sipërfaqe 10,000 m2 dhe 800 m2, në bregliqen Udenisht, pa kryer asnjë procedurë ligjore dhe pa marrë vendim në Këshillin e Komunës;
- Ka nënshkruar kontratë qiraje për dhënien në përdorim të fondit pyjor dhe kullosor kombëtar, me sipërfaqe prej 10,730 m2, për parkim makinash, ndërsa vendimi i Këshillit të komunës shprehet për një sipërfaqe prej 2,000 m2, etj.
Për ish-Kryetarin e Keshillit te Komunës Udenisht, H. H., shkeljet janë:
- Ka zbardhur kërkesa për shitjen e pronës shtetërore, ndryshe nga sa ka miratuar Këshilli i komunes, duke nxjerrë dy vendime në të njëjtën datë, për parcela të ndryshme dhe për sipërfaqe të ndryshme, por me përfitues të njëjtin subjekt;
- Ka dhënë kontratë qiraje për tokën bujqësore, pa kryer asnjë procedurë ligjore dhe pa vendim të marrë në mbledhjen e këshillit komunal.
Për ish-Përgjegjësin e Zyrës së Urbanistikës se Komunës Udenisht, H. H., shkeljet janë:
- Në 2 raste, ka dhënë leje ndërtimore në prona shtetërore si dhe në bregun liqenor, në kundërshtim me nenin 40 dhe 41 të ligjit nr. 8405, datë 17.9.1998 “Për urbanistikën”;
- Në 2 raste, ka dhënë leje sheshi dhe leje ndërtimi në zonë turistike, në kundërshtim me vendimin e KRRTRSH-së “Për miratimin e Masterplanit të Zonës Turistike Lin-Tushemisht”, ku është përcaktuar vija mbrojtëse përgjatë bregut të liqenit.
Për veprimet e mësipërme, KLSH i ka përcjellë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pogradec të gjitha provat dhe dokumentet përkatëse.
Gjithashtu, KLSH i ka kërkuar Kryetarit të komunës Udenisht, fillimin e procedurave administrative e ligjore për dhënien e masave disiplinore për 10 nëpunës të kësaj komune.
Auditimi në Komunën Remas
Kontrolli i Lartë i Shtetit, në zbatim të programit të auditimit nr. 1078/1, datë 31.12.2013, ka audituar komunën Remas, Lushnje për periudhën Janar 2011- Dhjetor 2013.
Nga ky auditim, u konstatuan një sërë shkeljesh të dispozitave ligjore, për të cilat KLSH ka kryer kallëzim penal në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lushnje, për N.Ç, me detyrë Përgjegjës i Zyrës së Financës. F. K., me detyrë Përgjegjës i Zyrës së Tatimeve dhe A.B., me detyrë Përgjegjës i Zyrës së Administrimit dhe Menaxhimit të Tokës, për konsumim të elementëve të veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, neni 248 i Kodit Penal, për;
Veprimet dhe mosveprimet, që janë shoqëruar me skualifikime/kualifikime të gabuara të kryera nga Autoriteti Kontraktor, prej llogaritjes së vlerës së kontratës, deri në shpalljen e fituesit për pesë tendera, të cilat i kanë shkaktuar dëm ekonomik Buxhetit të shtetit në vlerën 10,9 milionë lekë, janë të papajtueshme me kriteret e veçanta të kualifikimit në tenderëve, si dhe përcaktimet e parashikuara në nenin 1 "Objekti dhe qëllimi", të ligjit nr. 9643, datë 20.11.2006 "Për Prokurimin Publik", pikën 1 “Përgjegjësia e autoritetit kontraktor” të VKM nr. 1, datë 10.1.2007.
Gjithashtu nga veprimet dhe mosveprimet, e autoritetit kontraktor, prej lidhjes së kontratës deri në likuidimin e saj në 5 tenderët e kryer në këtë komunë, i është shkaktuar dëm ekonomik Buxhetit të Shtetit në vlerën 3,96 milionë lekë, ne kundërshtim me kriteret e parashikuara në në ligjinnr. 9643, datë 20.11.2006 "Për prokurimin publik", dhe VKM nr. 1, datë 10.1.2007.
Për veprimet e mësipërme, KLSH i janë përcjellë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lushnje të gjitha provat dhe dokumentet përkatëse.
Gjithashtu, KLSH i ka kërkuar Kryetarit të komunës Remas, fillimin e procedurave administrative e ligjore për marrjen e masës disiplinore “Ndëprerjen e marrëdhënieve të punës” për këta nëpunës të kësaj komune.
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)