Firma “Orange” sipas dokumentit të QKR është hapur vetëm një muaj më parë dhe është shumë e çuditshme, që në morinë e firmave që mund të konkurrojnë për të fituar tenderin e dekorimit dhe zburimit të qytetit, ta fitojnë atë si një firmë disa ditore.
Por, firma “Orange” duket se është hapur vetëm për këtë qëllim. Sipas dokumentit që disponon shqiptarja.com, në rregjistrin kombëtar të regjistrimit të biznesit, (QKR) rezulton se firma është themeluar me datë 13 tetor 2011 dhe është regjistruar në QKR më 18 tetor 2011. Pra kjo kompani reklamash është krijuar vetëm pak ditë më parë se sa të tojë tenderin miliona lekësh për dekorin e Tiranës, dekor i cili ka filluar të vendoset që
në fillim të kësaj jave. Duke pasur parasysh kohën që i është dashur për të prodhuar mijëra stema dhe shirita kuq e zi, si dhe procedurën ligjore që duhet për zhvillimin e një tenderi, duket se gjithçka ka qenë e përfunduar me kohë.
“Shqiptarja.com” ka arritur të zbulojë, po sipas të dhënave që janë depozituar pranë QKR-së, se në momentin që kjo firmë është regjistruar dhe që do të ushtrojë veprimtarinë e saj në fushën e marketingut, prodhimit të reklamave (TV, radio, print, kinemave, internet, etj), rezulton se zotëruesit e saj janë njerëz që kanë lidhje miqësie të afërt me Lulzim Bashën. Kështu, përfaqësuesja ligjore e kësaj kompanie është Odeta Malaj, e cila zotëron edhe 20 për qind të aksioneve të "Orange Adversting".
Por Odeta Malaj nuk është e panjohur aspak për median, ajo është vajza e cila i organizoi të gjithë fushatën elektorale për kryetar bashkie Lulzim Bashës në zgjedhjet lokale të 2011-ës. Ndërsa ortaku kryesor i kompanisë së reklamave "Orange Adversting" me 80 për qind të aksioneve është biznesmeni i njohur i "Megatek" Dionis Teqja, i cili në të vërtetë ka lidhje të tjera biznesi me kunatin e kryetarit të bashkisë, Erion Isufaj.
Kunati i kryebashkiakut, Erion Isufaj, sipas të dhënave të marrë nga faqja zyrtare e Qendrës Kombëtare të Regjistrimit të Biznesit, është anëtar i këshillit mbikqyrës të "Megatek", duke filluar që nga 3 qershori i vitit 2010 me një afat deri më 3 qershor 2013, si dhe janë ortakë me nga 50 për qind të aksioneve të kompanisë "Reno Albania", dokument që disponohet po ashtu nga shqiptarja.com.
Në këtë mënyrë del e qartë se si ka mundur një kompani reklamash e krijuar vetëm një muaj më parë, të shpallet fitues për një tender të një rëndësie të tillë, siç është ai i dekorimit të Tiranës për festat e Çlirimit dhe të Pavarësisë. Por nuk është vetëm kjo. Tashmë jemi në prag edhe të festave të fundvitit, dhe nga bashkia e Tiranës mësojmë se do të kemi një dekor "të paparë dhe natyrisht nga e para" edhe për këta data simbolike. Dhe duket se edhe për këtë dekor ka nisur puna tashmë dhe është shpallur fituesi, pasi për pak ditë, shiritat kuq e zi të festës së Pavarësisë, do të hiqen për t'u zëvendësuar me drita shumëngjyrëshe të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri.