DIVJAKË- Nga sot patatja dhe qepa nuk do të shitet poshtë 40 lekë/ kg, kështu tregtarët nuk do mund të gjejnë më justifikime për të rritur çmimet në mënyrë abuzive, siç kanë bërë deri më sot! Një vendim i tillë erdhi pas abuzimeve që Report Tv solli një ditë më parë, ku në tregjet e kryeqytetit këto dy produkte bazë në kuzhinën e çdo shqiptari shiteshin 8-fish më shumë. 

200 prodhues kanë rënë dakord për këtë çmim dysheme, 40 lekë/ kg dhe jo 10-15 siç e kanë pasur më parë, teksa zv. kryeministri Erion Braçe e cilëson si një vendim të drejtë që shkon në qëllim të mbrojtjes së punës së tyre. " Boll tregtarët morën mall pa lekë në Divjakë duke u pasuruar në kurriz të bujqve", shkruan mes të tjera Braçe.

Intenerari bujk –grumbullues -pikë shumice dhe tregtar i pakicës e bën qepën dhe pataten të kushtojnë, prandaj zv. kryeministri, i cili ka ngritur shpesh zërin përballë këtyre abuzimeve, u bën thirrje tregtarëve që të blejnë direkt në Divjakë dhe jo në dorë të dytë apo të tretë. 

"Këto janë çmimet e qepës dhe patates; Prej mëngjesit të sotëm, Bujqit e Divjakës kanë vendosur: Çmimi i qepës së thatë: 40 leke/kg', çmimi i patates së re: 40 leke/kg. Boll tregtarët morën mall pa lekë në Divjakë duke u pasuruar në kurriz të bujqve. Blini direkt në Divjakë! Mos blini në dorë të dyte e të trete! Ejani në Divjakë e merrni mallin drejtpërdrejtë me këto çmime", shkruan Braçe.
1588924571_dicjake.JPG

Foto e publikuar nga zv. kryeministri Erion Braçe