Neni 14 i ligjit për statusin e deputetit, i ndryshuar në vitin 2013, parashikon që deputeti që nuk banon në qytetin e Tiranës përfiton dieta gjatë kohës që merr pjesë në mbledhjet e Kuvendit, të komisioneve e mbledhjet e grupit parlamentar, ndërsa deputetët që banojnë në Tiranë përfitojnë dieta për ditët e shërbimit jashtë Tiranës.
Në rastin konkret, deputetët e opozitës, të cilët banojnë në Tiranë apo jashtë Tiranës, kanë përfituar dieta pa marrë pjesë në asnjë prej mbledhjeve të organeve të Kuvendit, për shkak të vendimit për bojkotin e Parlamentit.
Deputeti i PD, Asllan Dogjani, ndonëse banon në Tiranë, është deputet po në Tiranë dhe rezulton që në muaj prill nuk ka marrë pjesë në asnjë veprimtari parlamentare, ka përfituar 37 625 lekë dieta. Gjithashtu, deputeti Edi Paloka, banues në Tiranë dhe deputet po në Qarkun e Tiranës, ka përfituar në muaj prill 2017, kohë në të cilën PD bojkotonte Kuvendin, rreth 400 dollarë dieta brenda muajit. Gjithashtu, edhe deputetët e Partisë Demokratike Gerti Bogdani, Jorida Tabaku, Kletis Kruja, Kastriot Islami etj., banues në Tiranë dhe deputetë të zgjedhur po në Qarkun e Tiranës, gjatë periudhës së bojkotit kanë përfituar dieta.
Si përfitohen dietat
Vendim nr. 114/2014 për mënyrën e trajtimit të deputetëve parashikon që deputeti përfiton dieta ditore, për ditët e shërbimit brenda vendit, në masën 4 për qind të pagës bazë dhe vlerë hoteli deri në 3 000 lekë nata, kundrejt faturës tatimore dhe printimit të kasës elektronike bashkëlidhur.
Ndërkaq, sipas këtij vendimi deputetët me vendbanim në rrethin e Tiranës përfitojnë dieta ditore deri në 6 ditë në muaj për ditët e shërbimit jashtë rrethit të Tiranës. Deputeti duhet të plotësojë deklaratën për lëvizjet Tiranë-destinacion jashtë rrethit të Tiranës.
Deputetët i përfitojnë dietat gjithnjë pas dorëzimit të dokumentacionit vërtetues të firmosur nga ana e tyre. Mbetet për t’u parë se çfarë shërbimesh kanë kryer deputetët e opozitës dhe çfarë dokumentacioni kanë paraqitur, gjatë periudhës së bojkotit, në kushtet kur veprimtaria e tyre ishte e fokusuar tek kauza e çadrës.
Abuzimi sipas KLSH
Sipas një raporti të Kontrollit të Lartë të Shtetit, mbi auditimin e rregullueshmërisë financiare në Kuvendin e Shqipërisë, për vitet 2014, 2015 dhe 2106, deputetët e Parlamentit Shqiptar kanë abuzuar me paratë e taksapaguesve sa i takon shpenzimeve për udhëtime jashtë vendit, për të marrë pjesë në aktivitet të ndryshme ndërkombëtare, ku përfshihen biletat e udhëtimit, fjetja, dietat e etj. Deputetët, në shumë raste, janë nisur më herët për të marrë pjesë në konferenca të ndryshme, duke u argëtuar me parë publike.
Gjithashtu, deputetët kanë ndryshuar itinerarin e udhëtimit, duke prerë bileta të reja, po me paratë publike. Në raste të tjera, paratë janë shpenzuar, por udhëtimet nuk vërtetohen që janë kryer. “Nga auditimi u konstatua se ka mospërputhje mes datës së nisjes sipas urdhrit të Sekretarit të Përgjithshëm dhe itinerarit të parashikuar në ftesën për ofertë (data e parashikuar e nisjes është 25.09.2016, pra dy ditë më herët si dhe 26.09.2016, pra një ditë më herët).
Nga verifikimet e kryera të urdhërshpenzimeve dhe urdhërshërbimeve respektive, rezultoi se ndonëse janë nisur më herët, janë mbuluar nga buxheti i shtetit shpenzimet për fjetje dhe dieta”, thuhet në raportin e KLSH.
Nga Kina në Zambia, si i shpenzuan deputetët lekët
Deputetët e Kuvendit të Shqipërisë dhe stafi i këtij institucioni kanë shpenzuar 640 milionë lekë të vjetër gjatë vitit 2016 për udhëtime jashtë shtetit, bileta avioni, hotele dhe dieta. Shifra është bërë e ditur përmes një raporti financiar të vetë Kuvendit të Shqipërisë që “Shqiptarja.com” E disponon. Janë shpenzuar 32 milionë lekë për blerje bileta udhëtimi jashtë shtetit. Gjatë vitit 2016 axhenda e aktiviteteve ndërparlamentare ka qenë e ngjeshur. Kanë udhëtuar 418 staf dhe deputetë në destinacione të ndryshme (130 staf dhe 288 deputetë). Nga këto 10 kanë qenë jashtë Evropës si disa udhëtime drejt Uashingtonit, Nju Jorkut, Filadelfia, Kinë, Zambia. Rreth 32 milionë lekë janë shpenzuar edhe për dieta, akomodim, transport aeroport-destinacion dhe anasjelltas. Nga tabela krahasimore e përgatitur nga Kuvendi kjo shifër është tre herë më e lartë se e vitit 2012.
Përfitimet e deputetëve gjatë mandatit
1-Përveç pagës bazë, deputeti shpërblehet për pjesëmarrje në mbledhjet e komisionit të përhershëm apo nënkomisionit ku bën pjesë. Në këtë rast, masa e shpërblimit është 2 000 lekë për çdo mbledhje, pavarësisht numrit të mbledhjeve që zhvillohet në një ditë.
2-Masa e shpërblimit për kryetarët e komisioneve të përhershme të Kuvendit është 2 500 lekë për mbledhje dhe për kryetarët e nënkomisioneve 2 200 lekë për mbledhje.
3-Pjesëmarrja në komisionet e përhershme dhe nënkomisionet paguhet deri në 12 mbledhje në muaj së bashku, dhe për kalendarë të veçantë të komisioneve përgjegjëse të miratuar në Konferencën e Kryetarëve, jo më shumë se 20 mbledhjeve në muaj.
4-Deputeti përfiton dieta ditore, për ditët e shërbimit brenda vendit, në masën 4 për qind të pagës bazë dhe vlerë hoteli deri në 3 000 lekë nata, kundrejt faturës tatimore dhe printimit të kasës elektronike bashkëlidhur:
5-Deputetët me vendbanim në rrethin e Tiranës përfitojnë dieta ditore deri në 6 ditë në muaj për ditët e shërbimit jashtë rrethit të Tiranës. Deputeti do të plotësojë deklaratën për lëvizjet Tiranë-destinacion jashtë rrethit të Tiranës.
6-Deputetët, deklarimi i vendbanimit të të cilëve nuk është në rrethin e Tiranës, përfitojnë dieta ditore deri në 12 ditë në muaj gjatë kohës që marrin pjesë në seancë, komisione dhe mbledhje të grupeve parlamentare.
Deputeti në këtë rast do të plotësojë deklaratën për lëvizjet me destinacion vendbanim-Tiranë. Në rastet kur këta deputetë përfitojnë shpenzime për qira banese, sipas pikës 10 të këtij vendimi, nuk përfitojnë pagesën për shpenzime hoteli.
7-Deputeti që shkon me shërbim jashtë shtetit përfiton dieta ditore, sipas akteve të miratuara nga Këshilli i Ministrave.
8-Kuvendi mbulon shpenzimet telefonike për deputetët, për vlerën mujore prej 17 000 lekësh. Për kryetarët e komisioneve të përhershme dhe kryetarët e grupeve parlamentare vlera mujore është 20 000 lekë. Ky shërbim mbulohet gjatë gjithë vitit.
9-Kuvendi mbulon shpenzimin për pagesën e tarifës së pajisjes me pasaportë diplomatike vetëm për deputetët, gjatë periudhës së ushtrimit të mandatit.
Redaksia Online
e.m/Shqiptarja.com