Adile Xhabija: Ju flet Radio Moska

Adile Xhabija: Ju flet Radio Moska
Ajo mban në kurriz 87 vite jetë, por edhe sot rrëfen plot me emocion eksperiencën e saj në fushën e gazetarisë. Adile Xhabija gazetarja e parë femër në vend, pas Luftës së Dytë Botërore, do të fliste shqip në seksionin e lajmeve në Moskë. Ishte vetëm 22 vjeçe kur tha për herë të parë " Ju flet Moska". Në një intervistë për Shqiptarja. Com Xhabija rrëfen fillimet e saj në gazetari, që datojnë në vitin 1945 me radio Shkodrën, si dhe vështirësitë që haste një femër gazetare në atë kohë. Për kontributin e madh në fushën e gazetarisë Adile Xhabija, u nderua dje me urdhërin "Naim Frashëri i Artë" nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi. Me motivacionin " për kontribut të veçantë për çështjen e emancipimit të femrës shqiptare dhe si një ndër gazetaret e para në vendin tonë pas luftës së dytë botërore". Karrierën e saj si gazetare do ta niste në moshën 20 vjeçare në radio Shkodra një ambient shumë të vogël me dy dhoma për të bërë gazetari, por që ishte shumë i madh për nga vlera dhe rëndësia e tij, sepse ngriti dhe trajtoi probleme të ndryshme që shqetësonin shoqërinë shqiptare në ato vite. Në vitet 1946- 1949 do të largohej për në Moskë, sëbashku me të shoqin dhe do të ishte kështu spikerja e parë e seksionit shqip në këtë radio. Pas eksperiencës tre vjeçare në Rusi, Adile Xhabija do të rikthehej përsëri në radio dhe do të bëhej Drejtore e radio Kuçovës, post të cilin e mbajti për 3 vjet radhazi. Me mbylljen e kësaj radioje në vitin 1956 ajo do të shkëputej nga gazetaria për të ndjekur rrugën e mësuesisë. Por pasionin e gazetarsisë ia tashgëoi të bijës Ludmilla Xhabijas, vajzës së vetme të saj e cila u nda nga jeta në vitin 1995.

Znj. Xhabija, u nderuat me Urdhërin Naim Frashëri i Artë, si ndiheni?
Jam shumë e lumtur dhe e nderuar që pas shumë vitesh të largëta pune të nderohem me urdhërin "Naim Frashëri i Artë". Për mua është një nder i madh që të kem këtë urdhër në karrierën time si gazetare aq më tepër që më jepet në një ditë të veçantë për ne gratë siç është 8 marsi.

Keni qënë spikerja e parë e radio Shkodrës në vitin 1945, si e kujtoni atë kohë?
Isha vetëm 20 vjeçe kur fillova të punojë si spikere në radio "Shkodra". Punonim në një ambient të vogël me dy dhoma, por problemet dhe temat që trajtoheshin aty ishin shumë të mëdha. Në Shkodër flisnim për problemet sociale që shqetësonin shoqërinë e asaj kohe. Duke mos pasur radio nëpër shtëpi, zëri im dëgjohej në gjithë qytetin me anë të altoparlanteve të vendosura në rrugët e qytetit.

Cfarë temash trajtonit kryesisht?
Temat ishin nga më të ndryshmet, probleme shoqërore, probleme të fanatizmit, si të hiqnim ferexhetë, problemet e emancipimit të gruas, si të ngriheshin sa më shumë shkolla për të parandaluar analfabetizmin, etj.

Parë në kënvështrimin e sotëm, mendoni që media ishte një nga faktorët për zgjidhjen e këtyre problemeve?
Kjo ishte një sfidë për ne dhe mendojë që arriti të depërtonte më mendësinë e njerëzve të asaj kohe. Po përveç kësaj njerëzit e shikonin radion edhe si një vend argëtimi pasi jepej muzikë popullore, muzikë e lehtë. Meqënëse nuk ka pasur as radio, as television njerëzit i dëgjonin këto nëpërmjet altoparlantëve.

Si e kujtoni eksperiencën tuaj në radio Moska, keni hasur ndonjë moment të vështirë?
Unë isha spikerja e parë e Radio Moskës, ose më saktë shqiptarja e parë që fola në gjuhën shqip. Nuk kujtojë ndonjë moment të vështirë, sepse isha spikere lajmesh. Punomin 7 veta nga Shqipëria por vetëm unë isha efektive të tjerët ishin me honorare.
Në Moskë u shpërngula bashkë me tim shoq, ai ishte student ndërsa unë gazetare. Të dy mësuam rusishten në mënyre të shkëlqyer.
Si vazhdoi karrierë juaj më pas?
Me tu kthyer në Shqipëri u emërova si drejtore e radio Kuçovës. Punova përreth 3 vjet si drejtuese e kësaj radioje dhe u shkëputa në vitin 1956 për të kaluar në fushën e arsimit.

Ju mungoi gazetaria kur kaluat në arsim?
Nuk më ka munguar sepse unë jepja gjuhë shqipe dhe letërsi. Ju jepja dije fëmijëve dhe kjo ishte shumë kënaqësi.

Sa e vështirë ishte për një grua të punonte si gazetare në atë kohë?
Ishte shumë e vështirë për një grua të punoje si gazetare, por unë e kisha thyer konceptin sepse isha shumë e përparuar. Unë kisha mbaruar shkollën e mesme në Shkodër, në kohën kur shoqet e mia ishin te mbyllura në shtëpi dhe ishin me ferexhe. Kisha marrë maturën në vitin 1943, kulturën e kishim shumë të madhe sepse kemi pasur pedagogë që kishin studiuar jashtë shtetit dhe kryesisht në Perëndim. Por përpos kësaj kemi studiuar shumë, për 8 vjet kam stuiduar italisht e latinisht ndërsa më pas frengjisht. Mendojë që isha e përgatitur si gazetare pavarësisht se nuk kishte shkollë gazetarie.
Si ju duket gazetaria sot dhe cila do të ishte këshilla që do ti jepnit gazetarëve të rinj?
Gazetaria tani është më e lirë, ka ecur shumë përpara. Gazetarët e rinj duhet të lexojnë shumë dhe nuk duhet të shohin vetëm televizor. Duhet ti futen problemeve më në thellësi, si dhe të zotërojnë shumë mirë gjuhën shqipe. Shumë herë televizionet bëjnë gabime, gazetarët i shkruajë fjalitë përsëprathi dhe nuk kuptohet mendimi fare . Kurse ne na ka përgatitur shumë latinishtja.

(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Mos harroni çadrat! Reshje shiu dhe temperatura deri në 14 gradë

Mos harroni çadrat! Reshje shiu dhe temperatura deri në 14 gradë