SHBA: Princi saudit ka imunitet në procesin mbi vrasjen e Khashoggit

SHBA: Princi saudit ka imunitet në procesin mbi vrasjen e Khashoggit

Biden dhe Mohammed bin Salman

Administrata e Presidentit Biden u shpreh të enjten se Princi i Kurorës së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman ka imunitet në procesin gjyqësor për vrasjen e Jamal Khashoggi. Ky përfundim i administratës u dënua menjëherë nga ish e fejuara e gazetarit të vrarë.

Jamal Kashogi, shtetas saudit, me banim në Shtetet e Bashkuara, që kishte kritikuar princin saudit të kurorës Mohammed bin Salman, u vra më 2 tetor të vitit 2018, brenda konsullatës saudite në Stamboll. Shërbimet e zbulimit amerikan besojnë se urdhri për vrajsjen e tij u dha nga Princi Mohammed, i cili ka qenë de facto sundimtar i Mbretërisë prej disa vitesh.

“Xhamal u vra për së dyti sot”, shkroi në Twitter ish e fejuara e tij vetëm pak minuta pasi lajmi u bë publik. “Mendonim se mund të kishte dritë për drejtësi nga Shtetet e Bashkuara, por sërish, paratë u vunë para drejtësisë”.

Zyra e komunikimit të qeverisë saudite nuk iu përgjigj kërkesës për koment ditën e premte. Një zëdhënës i konsullatës saudite në Uashington, nuk u arrit të kontaktohej për një koment, të enjten në mbrëmje, pas orarit të punës.

“Ky është një përfundim ligjor nga Departamenti i Shtetit sipas parimeve të mirëpërcaktuara të ligjit ndërkombëtar”, tha zëdhënësi i Keshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë përmes nje deklarate të shkruar.

Zëdhënësi tha se pyetjet e tjera duhet t’i drejtoheshin Departamenteve të Shtetit dhe të Drejtësisë. Kërkesa është bërë nga avokatët e Departamentit të Drejtësisë .

“Mohammed bin Salman, Kryeministri i Mbretërisë së Arabisë Saudite, është kreu aktual i një qeverie të huaj dhe në përputhje me rrethanat, ka imunitet në proces”.

Në shtator, mbreti saudit Salman emëroi përmes një dekreti mbretëror kryeministër Princin Mohammed. Një zyrtar tha se posti në fakt përfshinte përgjegjësi qe princi i kurorës i kishte kryer dhe para emërimit.

Presidenti Biden u kritikua kur në takimin e parë me Princin e Kurorës, e përshëndeti atë me një përplasje të grushteve jashtë pallatit mbretëror në Xhedah. Shtëpia e Bardha tha se zoti Biden i kishte thënë Princit Mohammed se e konsideronte përgjegjës për vrasjen e Kashogit.

Princi, i njohur me inicialet e tij MbS, ka mohuar të ketë urdhëruar vrasjen e Kashoggit, por pranoi më vonë se vrasja ndodhi “nën qeverisjen e tij”. Aleanca e gjatë midis dy vendeve u tensionua në tetor pas vendimit të organizatës OPEC+ të udhëhequr nga Arabia Saudite për të ulur prodhimin e naftës, vendim që shkaktoi një betejë deklaratash midis Shtëpisë së Bardhë dhe Riadit.

Kjo lëvizje e fundit tregon dobësinë e administratës përballë mbretërisë, thanë disa analistë.

“Vendimi për t’i dhënë imunitet Princit i jep atij një mesazh të qartë se ai duhet të vazhdojë të mbrojë interesat nacionaliste të Arabisë Saudite pa kompromis, edhe kur ato bien ndesh me interesat thelbësore të Shteteve të Bashkuara," tha Cinzia Bianco, nga Këshilli Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë.

Kashogi kishte kritikuar Princin saudit të Kurorës Mohammed bin Salman në një opinion në Washington Post. Ai kishte hyrë brenda konsullatës saudite në Stamboll për të marrë dokumentet që i duheshin për t’u martuar me të fejuarën e tij, shtetasen turke, Hatice Cengiz. Ai nuk u pa kurrë të dilte nga konsullata.

“Është ironike që vetë Presidenti Biden firmos që Princi të mos mbajë përgjegjësi, kur ishte po Presidenti Biden që i premtoi popullit amerikan se ai do të bënte ç’ishte e mundur që ai të vihej para përgjegjësisë. As administrata Trump nuk e ka bërë këtë”, tha përmes një deklarate të shkruar Sarah Lee Whitson, zëdhënëse e “Demokraci Për Botën Arabe, Tani”.

Vitin e kaluar, administrata Biden lejoi publikimin e një raporti të zbulimit amerikan që përcaktonte se princi i kurorës kishte të ngjarë të kishte miratuar vrasjen e gazetarit Khashoggi.

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Aeroporti i Kukësit, Albcontrol studim fizibiliteti për infrastrukturën e trafikut ajror

Aeroporti i Kukësit, Albcontrol studim fizibiliteti për infrastrukturën e trafikut ajror